Ministry of Education and Sports

Mblidhet Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla morri pjesë në mbledhjen e tretë të Këshillit Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, të zhvilluar në Shtëpinë e Foshnjës “Hana dhe Rozafa".

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Nikolla i kushtoi rëndësi përfshirjes së prindërve dhe komunitetit si partnerë të rëndësishëm të jetës së shkollës.

“Është shumë e rëndësishme që Ministritë të fillojnë bashkëpunimin me pushtetin vendor që bashkërisht të adresojmë gjithnjë e më mirë problematikat që ndeshen në institucionet e arsimit apo në komunitet. Në këtë mënyrë krijojmë për fëmijët mjedise të sigurta, larg diskriminimit dhe që lidhen me edukimin e qytetarëve të së nesërmes”, tha Nikolla.

Gjatë takimit, një vëmendje kryesore iu kushtua ngjarjes së ndodhur në një institucion të përkujdesit shoqëror për fëmijët në Shkodër, ku nëpërmjet një videoje është parë dhuna e ushtruar e një punonjëseje ndaj fëmijëve. 

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi deklaroi dje, se ky është një rast që duhet t’u shërbejë të gjitha institucioneve që ndërveprojnë mes tyre për çështjen e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, që të marrin masat e duhura dhe të hartojnë një plan konkret veprimi për të parandaluar përsëritjen e të tilla skenave.

Në takimin e të Këshillit Kombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, u prezantua “Raporti i monitorimit e zbatimit të Planit të Veprimit për Fëmijët, për periudhën 2013-2014” .Në dallim nga raportet e mëparshme, Raporti 2013-2014 ka përqafuar një qasje të re në reflektimin/pasqyrimin e situatës së të drejtave të fëmijëve. Raporti ka pesë kapituj që paraqesin situatën aktuale, progresin e bërë në çdo fushë, problematikat, sfidat për realizimin e të drejtave si dhe rekomandimet e nevojshme.

Duke pasur parasysh se viti 2015 është viti kur përfundon Plani i Veprimit për Fëmijë, aktualisht ka filluar puna për hartimin e Raportit përfundimtar të Vlerësimit të zbatueshmërisë së këtij plani që pritet të lançohet në 20 nëntor të këtij viti, duke hapur kështu edhe diskutimet dhe procesin e hartimit të Planit të ri të Veprimit për Fëmijë 2016-2020, pjesë e të cilit është edhe Ministria e Arsimit dhe  Sportit.

Anëtarët e Këshillit diskutuan ndër të tjera, në lidhje me hartimin e politikave specifike në sektorë të ndryshëm që afektojnë çështje të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Në takim ishin prezentë përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Zhvillimit Urban, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Integrimit Evropian, Ministrit të Çështjeve Vendore, Avokatit të Popullit, etj.