Ministry of Education and Sports

Matura Shtetërore: Standard mirëadministrimi, mision i arrirë

Dje u zhvillua provimi i detyruar i Maturës Shtetërore 2014, në lëndën “Gjuhë Shqipe dhe Letërsi” dhe u shënua një standard i ri mirëadministrimi në të gjithë vendin.

Sot dua të falenderoj të gjithë ata që nga i gjithë vendi kanë përshëndetur këte standard kthesë duke shprehur se skema e administrimit dhe realizimit të këtij procesi të sigurtë nuk është meritë personale, por e një pune dhe përgjegjësie në skuadër.

Një skuadër e përgjegjshme që tregoi se është e mundur të mirëadministrosh një proces ku i vetmi qëllim është ofrimi i sigurisë dhe cilësisë.

Një skuadër që hierarkinë e ka hierarki përgjegjësish. Ndaj dhe përfaqësues e drejtues më të lartë të arsimit ishin në zonat të identifikuara dikur “si problematike”. Një administrator në një nga zonat e “nxehta” me shkruante: “Nuk kisha besim se kësaj here do bëhej ndryshimi e ndaj erdha plot mosbesim në provim. Erdha sepse doja ta shihja me sytë e mi. Ju kërkoj ndjesë për mosbesimin.Tani kuptova që ndryshimi është i mundur dhe atje ku duket i pamundur”.

Kjo ishte arsyeja që ky provim si asnjëherë tjetër mundësoi një standard të unifikuar kudo në të gjithë vendin.

E thënë qartë, treguam se, po, është i mundur ky ndryshim aty ku bindja është e thellë se detyra parësore e institucioneve është jetësimi i proceseve që ofrojnë mundësi të barabarta për të gjithë.

E vyer ishte ndihma e shumë aktorëve të cilët me mbështetjen e tyre  mundësuan mbarëvajtjen e procesit.

Për këtë arsye, dua të falënderoj të gjithë trupën e administratoreve, Forcat e Rendit, personelin e Postës Shqiptare, një risi që realizoi standard dhe cilësi sigurie të lartë, CEZ-in dhe Ministrinë e Shëndetësisë, Zyrat Arsimore dhe Drejtoritë Rajonale të Arsimit, stafin e MAS të përfshirë në procesin e administrimit të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. 

Një mirënjohje e posaçme për Komitetin Kombëtar të MSH 2014 të drejtuar nga zëvendësministrja Malaj.

E natyrisht, një urim të përzemërt për të gjithë maturantët dhe prindërit e tyre. Ju jam mirënjohëse sepse me dinjitet mundësuat një proces model. Bashkë po shënojmë një kthesë në drejtim të administrimit të sigurtë dhe cilësor të Maturës Shtetërore dhe po së bashku do të mundësojmë një kthesë në drejtim të përmbajtjes dhe cilësisë të proceseve mësimore.

Mesazhi është i qartë dhe u përçua me sukses.  Matura është një mundësi për të parë, për të vënë në provë forcën e dijeve që të rinjtë tanë marrin në bankat e shkollës, se ndershmëria dhe merita janë e vetmja rrugë që mundëson suksesin; larg ëndrrave të gënjeshtërta. Këtë gjë ia u kemi detyrim të rinjve tanë, ia kemi detyrim të ardhmes të vendit tonë.

Dua të ndaj me ju disa të dhëna që tregojnë më shumë mbi procesin e administrimit të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, zhvilluar më datë 30.05.2014:

Në provimin e MSH 2014, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, sesioni i parë, zhvilluar në dt. 30.05.2014, morën pjesë 45.064 maturantë.

  • Testi është mbështetur në programin orientues të gjuhës shqipe dhe letërsisë dhe përbëhet nga dy pjesë: një pjesë joletrare (tekst argumentues) dhe një pjesë letrare (poezi).
  • Testi përmbante 25 pyetje (13 me alternativa dhe 12 me shtjellim), të cilat vlerësojnë objektivat e programit orientues dhe janë në përputhje të plotë me natyrën e pyetjeve që nxënësit janë ndeshur gjatë të gjitha viteve të tyre të shkollimit.
  • Testi garanton vlerësimin e nxënësve sipas aftësive që ata zotërojnë dhe ka tre nivele: Niveli I – 40% – 20 pikë; Niveli II- 40% -20 pikë; Niveli III- 20 % – 10 pikë
  • Skema e vlerësimit të testit, është e publikuar në faqen e MAS dhe AKP-së dhe nuk është e ngurtësuar.
  • Vlerësimi i testeve fillon në dt.02.06.2014 në pesë qendrat e vlerësimit: Tiranë, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Fier.
  • Shpallja e rezultateve do të bëhet 14 ditë pas përfundimit të testit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
  • Nxënësit duhet të marrin 10 pikë (20%) për të qenë kalues.
  • Shoqërimi i testeve nga AKP, DAR/ZA-të në qendrat e vlerësimit dhe anasjelltas u krye në zbatim të rregullores së MSH 2014, si dhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer të MAS me Postën Shqiptare dhe Ministrinë e Brendshme.
  • Futja e maturantëve në mjedise, kontrolli për celularë dhe dokument identifikimi, u bë në prani të përfaqësuesve të MAS.
  • Në DAR Kukës dhe Durrës, u konstatuan nxënës me kartë identiteti fallco dhe për ta u morën masat konform rregullores së MSH.
  • Gjatë zhvillimit të provimit u konstatuan 13 nxënës me celularë gjatë procesit të provimit: 5 ZA Krujë; 1 (DAR Elbasan); 4 (ZA Peqin); 1 (DAR Fier); 1 (ZA Pogradec); 1 (DAR Kukës); 1 (DAR Vlorë), për të cilët u morën masat në zbatim të rregullores së MSH.

 
Dua ta mbyll duke ripërsëritur, janë marrë të gjitha masat në drejtim të sigurisë të këtij procesi dhe jemi të vendosur ta administrojmë atë me sukses deri në provimin e fundit. 
 
Proces me standarde të unifikuara, kjo është e jona përgjegjësi dhe ky detyrimi ynë moral në mbrojtje të dinjitetit tuaj.

Ju uroj suksese!