Ministry of Education and Sports

MATURA SHTETËRORE: Sfidat e Gjeneratës Tjetër

 

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit në takimin me nxënësit e shkëlqyer për reformën në sistemin arsimor:

 

Kam filluar të punoj si mësuese e matematikës në vitin 90-të. Në vitin tim të parë të punës dhashë mësim në maturë dhe kujtoj se si jetoja me emocionin e provimit të maturës dhe përjetimin me të cilin prisja rezultatet e nxënësve te mi. Kujtoj komisionin e parë. Asokohe provimi ishte me shkrim dhe me gojë. Kolegia në krah me thotë: "Po të rreh më shume ty zemra më duket". Ishte dhe konstatim dhe qesëndi. Qesëndi se ne, mësueset me përvojë, i presim pak me paragjykim mësueset e reja e ndoshta emocioni im u lexua edhe si jo përvojë.

Në fakt në 16-të vitet e mësimdhënies së matematikës njësoj më ka rrahur zemra me emocion, sa herë që maturantët kishin provim edhe kur isha mësuese, edhe kur isha drejtore gjimnazi edhe në vitet kur isha drejtuese vendore. 

Sot jam Ministre e Arsimit dhe përtej emocionit personal më kërkohet që zemra të pulsojë përgjegjësi në fakt.

Përgjegjësi që lidhet me jetën e  maturantëve e po aq familjeve të tyre e shumë e më shumë pritshmërive për suksesin e nesërm të kësaj gjenerate.

Sot në këtë takim ndahen përvoja  ish  maturantësh  dhe mësuesish të shqetësuar për ecurinë e MSH. 
Kryeministri është i pranishëm për të dëgjuar dhe ndarë me ju rrugën që kemi vendosur ta ndërtojmë bashkarish duke dëgjuar, duke vlerësuar e marrë vendime që përsosin këtë proces edhe pse ka qenë konsistatues që vëmendja të ishte e plotë dhe masat të ishin konkrete për t’i kthyer dinjitetin provimeve te maturës shtetërore, që për fat të keq shteti iu ka vënë emrin e tij duke i quajtur provime shteti.

Sigurisht vëmendja jonë është e posaçme për secilin prej jush të dashur maturantë. 

Dhe kur them ju, nënkuptoj jo vetëm ju që jeni në këtë sallë, por këdo jashtë salle në qytet apo fshat, bijë apo bir i një familje në mundësi apo pamundësi ekonomike dhe intelektuale.

Sepse, besomëni secili  është për ne po aq i shtrenjtë.

Ne kemi një program të qartë për vijimësinë e MSH si një proces vetëm dalës, pra si provime që certifikojnë ciklin përmbyllës të arsimit të mesëm të lartë, por ndërhyrja jonë do të jetë që këtë vit, sepse e përsëris: Ju të dashur maturantë, ju kemi të shtrenjtë dhe s’mund të tolerojmë me që puna dhe djersa juaj të vlerësohet me një proces të keqadministruar me teste që hapen natën e shiten ditën, me zhurmues e detektorë,  që i kushtuan buxhetit të taksave të  prindërve tuaj  vetëm në vitin 2013 plot 16 milion e 288 mijë lekë. 16 milion e 288 mijë lekë të reja që mësues më thonë që ishte një situatë qesharake, kur kopjo ishte sheshit. Me këtë shumë mund të ishte rikonstruktuar një prej gjimnazeve të mëdha apo tre shkolla të vogla .

Me fiktivitet në vlerësime, duke mos i mohuar dikujt atë që meriton e dikujt tjetër duke i dhënë më shumë seç  i takonte. 

Kjo është një copëz tabloje me maturën deri vitin që shkoi.

Me të marrë detyrën në lëvizëm menjëherë në dy drejtimet kryesore, duke ndërmarrë masa në drejtim të cilësisë dhe në drejtim të administrimit me kujdesin më të madh që jo vetëm të gjithë të informoheshin në kohë, por dhe për të mos pasur asnjë ndikim negativ nga fakti që ndërhynim në mes të procesit mësimor.

Ngritëm Komitetit për Maturën Shtetëror dhe hartuam udhëzimin dhe rregulloren për MSH. E shtuam atë me ekspertë dhe mësues me shumë përvojë. Komiteti drejtohet nga zëvendësministrja znj. Malaj. 

Lidhëm një marrëveshje mes Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Brendshme dhe Postës Shqiptare për shërbimin postar të materialeve të provimeve për t’i dhënë siguri procesit të çuarjes së testeve në qendrat e provimeve.

Me përmirësimin e infrastrukturës së transportit dhe shërbimet e Postës Shqiptare është gjetur me vend shpërndarja e re e planifikuar për më shumë cilësi e më pak kosto.

Gjithashtu po komunikojmë me  Institucionet e Arsimit të Lartë për vënien në dispozicion të auditoreve të universiteteve për testimin e maturantëve me një kapacitet deri në 150 vetë. 

Kemi një plan të qartë veprimi  në lidhje me bazën logjistike në drejtim të përzgjedhjes së administratorëve nga AKP,  për të garantuar kualifikimin e hartuesve të bankës së pyetjeve si dhe një proces dinjitoz për përzgjedhjen e mësuesve vlerësues.  Dinjitoz dhe të rreptë në kritere pasi nga përgjegjshmëria e tyre varet cilësia e vlerësimit të çdo testi. Nuk do të tolerohen më gabime në vlerësim.

Do të garantojmë sekretimin e testeve me vulë të njomë në mënyrë krijimin e standarteve të sigurisë (për herë të parë).

Ne po jetësojmë praktikën e këshillimeve të karrierës që deri më 15 mars maturantët të kenë orientime për përzgjedhjen e lëndëve.
 
Në takimet e organizuar në shumë qarqe të vendit nga unë apo Zv/mininistrja, kanë dalë disa pyetje.
Pse nota mesatare nuk ka më shumë peshë?

Studiuam me kujdes situatën reale në shkolla, projektuam dhe stimuluam situata që qartësisht na thoshin se një rritje e peshës specifike të notës mesatare do të ndikonte negativisht së pari tek me të mirët. Pse?

1.    Jo standarde vlerësimi
2.    Shkolla dhe vlerësime fiktive

Rritëm mesataren e shkollës nga 20% më parë, në 26% këtë vit, sepse duke ju thënë po keni të drejtë që puna e tre viteve të ketë më shume peshë, por do të ishte e pafalshme që jo për fajin tuaj ju të penalizoheshit edhe më shumë.

Ndaj po punojmë për vlerësimin e çdo shkolle me anë të Kartës së Performancës dhe bërjen publike të informacionit, sikurse po punojmë për një kurrikul të re e tekste cilësore. 

Përcaktuam paraprakisht kufirin për të marrë notë kaluese(cut off)-20% të pikëve. Maturanti/kandidati nuk quhet kalues, nëse ka marrë më pak se sa 20% të pikëve të testit. 

Ky ndryshim është thelbësor përsa i përket transparencës së vlerësimit të nxënësit. Studentët dhe mësuesit e dinë paraprakisht cili është kufiri minimal që dijet e tyre iu sigurojnë vlerësimin kalueshëm në provim.

Për herë të parë vjen testimi i gjuhës së huaj me detyrim.

Nuk e futëm testimin e gjuhës së huaj si një provim me ndikim në grumbullimin e pikëve të maturantëve, sepse 10 % e maturantëve në rang 

republike nuk iu është garantuar cilësi në mësimdhënien e gjuhës së huaj. Kjo për mungesë mësuesish, apo sepse lënda është dhënë nga mësues jashtë profili. 

Testi i MSH do të hartohet mbi bazën e tri nivelesh vështirësish (i ulët, i mesëm dhe i lartë) për arsye pariteti midis maturantëve dhe jo mbi bazën e altertekstit, por mbi bazën e programeve dhe dijes përftuar në harkun kohorë 3-vjeçar. 

Me këtë status duke mos ndërhyrë në formulën e llogaritjes së pikëve për të vazhduar studimet universitare, gjuha e huaj nuk e rëndon maturantin.

Përzgjedhja e testeve përfundimtare të provimeve të Maturës Shtetërore do të bëhet përmes teknologjisë digjitale, kjo risi do të sjellë siguri dhe cilësi në hartimin e testit. 

Përsa i përket rritjes së cilësisë së administrimit, kemi  ndërhyrë me përmirësime të procedurave të parashikuara në rregulloren MSH 2014 për rritjen e cilësisë së administrimit dhe në të njëjtën kohë janë parashikuar penalitete për përgjegjësitë e defekteve në  administrim dhe vlerësim.

Testet do të zhvillohen në mjedise që parshikojnë nga 50- 150 nxënës dhe kjo do të sigurojë një monitorim  më efikas. Do të sigurohet testi për secilin maturant/kandidat, sipas formularit përkatës A1/ A1Z dhe më pas ato do të mbyllen në kutia të veçanta për çdo qendër provimi. 

Siguria e kutive do të realizohet me vulë.
 
Këto janë masat e marra në drejtim të garantimit të zhvillimit të Maturës Shtetërore 2014 në kuptimin e tyre më imediat. Por dhe këto masa, të dashur, nuk janë marrë kuturu, por janë hapi i parë drejt synimeve dhe objektivave për të ardhmen.

Ne jemi duke parë dhe vlerësuar mundësinë e zhvillimit të testeve on-line. Në vizionin e reformave të ndërmarra nga Qeveria Rama dhe MAS, në fokus do të jetë cilësia, jo masivizimi, por në mënyrë që MSH të selektojë pa penalizuar mbi bazën e preferencë-meritës.

Të dashur, Matura Shtetërore dhe reformimi i saj është i lidhur ngushtë dhe me reformën në arsimin e lartë. Ne po punojmë paralelisht duke koordinuar punën, veprimtarinë dhe rezultatet e grupeve dhe komisioneve të ngritura për këto reforma, në mënyrë që matura, si dritare drejt një zgjedhjeje me rëndësi kaq jetike për të ardhmen tuaj, t’ju mundësojë qartësi në vendimarrjen tuaj për të ardhmen.

Do të informojmë në mënyrë të plotë çdo maturant e prind maturanti përmes takimeve e materialeve.

Ne themi cilësi, arsim cilësor, të lartë apo të mesëm, sepse një nxënës i mirëpërgatitur, një teknik apo profesionist kompetent, një student me formim akademik të mirëfilltë, janë e vetmja rrugë për një të ardhme e zhvillim të qëndrueshëm.

Miq nuk ka rrugë tjetër, rrugët e tjera janë rrugë qorre që çojnë drejt degradimit të shoqërisë.

Nga sot të gjithë duhet ta kenë të qartë që rruga e arsimimit tuaj kalon nëpërmjet përkushtimit ndaj dijes me moral të fortë e besimin se vetëm suksesi i arritur kështu është sukses. 

Shembull i çfarë po ju them, janë këta 20 maturantë, me rezultatet më të larta në rang republike, të cilët unë i falënderoj për mundin dhe përgatitjen e tyre.

Ju faleminderit!