Ministry of Education and Sports

Matura Shtetërore: Provimi i lëndëve me zgjedhje

Ditën e nesërme do të zhvillohet provimi i fundit i Maturës Shtetërore 2014-të, ai i lëndëve me zgjedhje.

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj deklaroi se MAS, bashkë me  institucionet e varësisë, kanë marrë të gjitha masat  për menaxhimin dhe zhvillimin korrekt të procesit të provimit,  deri në mbylljen e tij dhe finalizimin me sukses të MSH 2014- të

Znj.Malaj kërkoi përgjegjshmëri, seriozitet, korrektësi dhe bashkëpunim  nga mësuesit administratorë, drejtorët e shkollave dhe DAR/ZA-ve, përfaqësuesit e MAS-it dhe të institucioneve të vartësisë, për realizimin me efektivitet të lartë të provimit.

Zëvendësministrja, Nora Malaj i uroi suksese të gjithë maturantëve dhe theksoi edhe një herë se për nxënësit dhe administratorët që do të thyejnë rregulloren e MSH-së gjatë procesit të provimit do të merren masat e duhura në zbatim të akteve nënligjore në fuqi. “Nxënësit që do të marrin dhe përdorin celular ditën e provimit, do pezullohen sipas Rregullores”, tha Malaj.

46,411 maturantë të shkollave të mesme të vendit, për të gjitha profilet, pritet t’i nënshtrohen provimeve me zgjedhje që do të zhvillohen në 213 qendra në të gjithë vendin.

Provimet e lëndëve me zgjedhje, do të zhvillohen për 4 orë, dy orë për secilën lëndë dhe do të menaxhohen me korrektësi nga të gjithë administratorët.

Finalizimi me sukses i këtyre provimeve realizon më së miri sistemin meritë- preferencë, shtylla kryesore mbi bazën e së cilës është ideuar gjithë Matura Shtetërore 2014- të.

Më poshtë fjala e plotë e Zëvendësministres së Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, në deklaratën e sotme publike:

 

Të  nderuar prindër, nxënës dhe mësues

 

Nesër do të zhvillohet provimi i fundit i Maturës Shtetërore 2014 , ai i lëndëve me zgjedhje. Provimi do të zhvillohen në 213 qendra, në të gjithë vendin ku do të marrin pjesë 46411 maturantë të shkollave të mesme të vendit, për të gjitha profilet.

Provimet e lëndëve me zgjedhje, ndryshe nga dy provimet e tjera, kanë një veçori specifike, pasi ato diktohen jo vetëm  nga zgjedhja që bëjnë vetë nxënësit, por edhe nga kërkesat që kanë Institucionet e Arsimit të Lartë, ku këta nxënës dëshirojnë të vazhdojnë studimet.

Kjo zgjedhje kërkon një mobilizim total të nxënësve për të shkuar më tej në Institucionet e Arsimit të Lartë që ata preferojnë dhe meritojnë.

Finalizimi me sukses i këtyre provimeve realizon më së miri sistemin meritë- preferencë, shtylla kryesore mbi bazën e së cilës është ideuar e gjithë MSH 2014.

Që të realizohet kjo, nga të gjithë ne, aktorët e përfshirë në këtë proces; Posta Shqiptare, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e vartësisë, DAR/ZA, shkollat , nxënësit , prindërit, etj, kërkohet përgjegjshmëri e lartë dhe korrektësi në menaxhimin dhe zhvillimin e provimit.

MAS  ka marrë të gjitha masat për të realizuar një proces me standard të unifikuar dhe me shanse të barabarta për të gjithë nxënësit,  pasi vetëm kështu do të mundësojmë një vlerësim objektiv dhe të sigurojmë një cilësi të lartë.

Provimet e lëndëve me zgjedhje, do të zhvillohen për 4 orë, dy orë për secilën lëndë dhe do të menaxhohen me korrektësi nga të gjithë administratorët. Testet  janë hartuar nga mësues ekspertë në fushat përkatëse, duke pasur për bazë programet orientuese  të hartuara nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit dhe të miratuara nga MAS, si edhe lëndët e zhvilluara në tri vitet e shkollës së mesme.

MAS dhe DAR/ZA kanë siguruar që gjendja fizike e qendrave të provimit dhe higjena e tyre të  jetë konform Rregullores së MSH 2014. Janë kryer inspektimet e mjediseve nga përfaqësuesit e DAR/ZA-ve dhe përfaqësuesit e MAS-it.

 

Të nderuar prindër, mësues administratorë dhe nxënës

Për zhvillimin normal të procesit të provimeve të MSH në lëndët me zgjedhje, sesioni i parë,  ju lutemi të mbani parasysh porositë e mëposhtme:

 

  • Fëmijët dhe nxënësit që do të marrin dhe përdorin celular ditën e provimit, do pezullohen sipas Rregullores;
  • Nxënësit të paraqiten  në kohë në qendrën e provimit dhe të pajisen  me mjete identifikimi  dhe vërtetime të firmosura nga drejtuesit;
  • Fëmijët që do të futen  në provime me  mjete identifikimi të personave të tjerë, do  pezullohen dhe ndëshkohen sipas Rregullores së MSH 2014;
  • Përfaqësuesit e MAS do të jenë të vetmit me celular ditën e provimit, vetëm për komunikim me pikat e kontaktit në MAS, për problematika të ndryshme;
  • Për nxënësit dhe administratorët që do të thyejnë Rregulloren e MSH gjatë procesit të provimit do të merren masat e duhura, në zbatim të akteve nënligjore në fuqi.

 

Shoqërimi i testeve nga AKP, DAR/ZA-të, në qendrat e vlerësimit dhe anasjelltas do të kryhet nga Posta Shqiptare, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Punëve të Brendëshme.

 

Në procesin e vlerësimit do të mbahen parasysh të gjitha pikat e përcaktuara në nenet  28, 29 dhe 30 të Rregullores nr. 895 prot, dt. 07.02.2014 “Rregullore për procesin e Maturës Shtetërore 2014 në Republikën e Shqipërisë” si për nxënësit me kopje, me celularë, me barkode të dëmtuara, me shenja në teste, ashtu edhe për administratorët e provimit. Bazuar në neni 36 të Rregullores së MSH për pasaktësi në korrigjim, vlerësuesit penalizohen deri në largimin nga puna.

 

Të nderuar prindër dhe nxënës,

Përgjegjshmëria, serioziteti, korrektësia dhe bashkëpunimi për realizimin me efektivitet të lartë të provimit, duhet  të udhëheqin  gjatë gjithë procesit mësuesit administratorë, drejtorët e shkollave dhe DAR/ZA-ve, përfaqësuesit e MAS-it dhe të institucioneve të vartësisë. Vetëm kështu sigurojmë cilësi dhe garantojmë standarde në provim.

 

Në mbyllje do të theksoja se MAS bashkë me  institucionet e vartësisë, kanë marrë të gjitha masat  për menaxhimin dhe zhvillimin korrekt të procesit të provimit deri në mbylljen e tij dhe finalizimin me sukses të MSH 2014, për të nisur një etapë të re në studimet e mëtejshme të maturantëve, atë të  përgatitjes së tyre për t’u përballur me tregun e punës dhe zhvillimin social-ekonomike  të vendit,  për t’u bërë kësisoj qytetarë të denjë për integrimin e vendit drejt BE-së.
 

Faleminderit!