Ministry of Education and Sports

 

Ministrja Shahini: Falënderoj të gjithë ata që u solidarizuan vullnetarisht me ne.

 

Ministrja Besa Shahini raportoi sot në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik lidhur me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar në institucionet arsimore, si edhe në lidhje me masat e ndërmarra nga MASR për menaxhimin e situatës.

Znj. Shahini bëri me dije se numri total i objekteve shkollore dhe universitare, si edhe objekteve konviktore të dëmtuara është 307.

“Numri më i madh i objekteve shkollore apo arsimore të dëmtuara janë të përqendruara në Durrës, Tiranë, Vorë, Kurbin dhe Krujë, ku ka qenë pika kryesore e dëmtimeve të përgjithshme të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit”, u shpreh ajo.

Sipas shkallës së dëmit dhe vlerësimit të realizuar Instituti i Ndërtimit dhe grupe të ndryshme të inxhinierëve që i janë bashkuar institutit të ndërtimit për të ndihmuar procesin e vlerësimit të dëmeve, janë 56 objekte arsimore që kanë dëmtime të rënda, teksa 66 objekte arsimore kanë dëmtime të pjesshme.

Vlera e dëmeve të shkaktuara është llogaritur të jetë 64 milionë Euro, ndërsa vlera e humbjeve të tjera si humbja e orëve të mësimit, trajnimet e ndryshme që janë dashur të bëhen me psikologë, me mësues, për transportin e nxënësve në shkollat pritëse, është 9 milionë Euro.

Për sa i përket masave të ndërmarra, Ministrja Shahini nënvizoi: shtyrjen e mësimit disa-ditor për 3 qarqet e prekura; zëvendësimin e orëve mësimore të humbura përgjatë fundjavave; pajisjen e çdo shkolle me planin e daljes emergjente në rast të lëkundjeve sizmike; mobilizimin institucional për vërejtjen e dëmeve në terren, bashkëpunimin me inxhinierët vullnetarë të Kosovës dhe Institutin e Ndërtimit përgjatë procesit evidentues, si dhe një masë tjetër të pazakonshme, inspektimin e shkollave private për të cilin theksoi si më poshtë:

“Ne kemi bërë gjithashtu edhe një punë tjetër, e cila nuk është e zakonshme. Kemi bërë edhe inspektimin e shkollave private, ngaqë donim të siguroheshim që edhe shkollat private të cilat zakonisht marrin vetë masa për të siguruar dhe garantuar nxënësit e tyre, të jenë të sigurta për të gjithë nxënësit që i frekuentojnë ato” – tha Ministrja Shahini.

Ndër të tjera, ajo bëri me dije se 21 mijë nxënës dhe 1,300 mësues të 56 shkollave të dëmtuara janë transferuar në shkolla pritëse dhe janë ngritur 6 qendra të përkohshme mësimi për fëmijët e strehuar nëpër hotele; 120 punonjës psiko-social u kanë ardhur vullnetarisht në ndihmë ditët e para fëmijëve dhe familjeve, si edhe janë trajnuar mbi 2,500 mësues dhe 200 punonjës psiko-socialë për fazën e rikthimit normal në shkollë.

Ministrja theksoi se në fazën e parë MASR luajti një rol parësor në fazën e evidentimit, ndërsa më pas, në fazën e rindërtimit, do të vijojë të luajë një rol mbështetës.

 

 

Në fund të fjalës së saj, Ministrja Shahini nuk la pa falënderuar të gjithë ata që janë solidarizuar dhe kanë ofruar mbështetje:

“Dua dhe një herë të falënderoj të gjithë që janë solidarizuar jo vetëm me mjete financiare, por kanë ofruar edhe ndihmën e tyre profesionale, kanë ofruar çfarëdolloj gjëje që kanë patur mundësi, për shembull, hotelet e ndryshme janë ofruar që të mbajnë inxhinierët që janë nga Kosova pa patur nevojë ne që të paguajmë. Ka patur kompani ndërtimi që na ka ndihmuar me lyerjen dhe sanimin e dëmtimeve të vogla nëpër shkolla, gjithashtu në baza vullnetare. Psikologët dhe punonjësit socialë janë angazhuar në baza vullnetare, ndaj dua që t’i falënderoj të gjithë për këtë solidaritet të treguar. Ka qenë prekëse me të vërtetë, por jam shumë mirënjohëse që kisha mundësinë të shoh dhe përjetoj një mobilizim solidaritet të tillë”.

Ministrja Shahini iu përgjigj gjithashtu pyetjeve dhe interesit të anëtarëve të komisionit për çështje të caktuara. Seanca e komisionit u përfshi edhe nga diskutimet e deputetëve.