Ministry of Education and Sports

MAS nënshkruan vazhdimësinë e programit Junior Achievement

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe Kryetari i Bordit Drejtues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) Michael Granoff, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit (2014-2016) për vazhdimësinë e programit Junior Achievement në kurrikulën e shkollës së mesme.

Gjatë fjalës së saj, në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit, Ministrja Nikolla shprehu rëndësinë që pati përvoja e bashkëpunimit me Junior Achievement në shënjimin e një standardi të ri për orientimin e shprehive, që ofron shkolla në përputhje me ato të tregut të punës.

“Unë jam e lumtur, sepse feedback-u që kemi marrë nga shkollat e mesme të përfshira në Programin e Projektit “Junior Achievement” ka qenë jo vetëm i suksesshëm, por ka sjellë edhe risi që janë kthyer në standarde. Standarde që ne duam t’i zhvillojmë edhe në të ardhmen, duke i bërë pjesë jo vetëm në arsimin e mesëm, por edhe në ata bazë duke filluar investimin në arsim, sipas prioritetit tonë, që në moshë të hershme”, tha Lindita Nikolla.

Ministrja e Arsimit theksoi se arsimi është një ndër politikat më të mira të zhvillimit të vendit, ndaj dhe investimi në moshë të hershme, padyshim i shërben gjithë sistemit arsimor që të jetë në përputhje me këtë zhvillim.

Shkolla si qendra komunitare është projekti ynë i madh për t’i kthyer shkollat në pika të rëndësishme për nxënësit, prindërit, komunitetin nga ku duhet të fillojnë dhe të edukohen vlerat demokratike”, u shpreh ministrja Nikolla.

Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) Michael Granoff falënderoi për mbështetjen e plotë të MAS-it çka sipas tij, çon në realizimin e projekteve  me shumë vlerë.

Z. Granoff shprehu gatishmërinë e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, jo vetëm për vazhdimësinë e programit Junior Achievement në 159 shkolla të mesme, por edhe për projektin pilot në 26 shkollat fillore të vendit. Gjithashtu, Granoff shtoi se JA ka rëndësi jo vetëm për impaktin që krijon tek të rinjtë, por edhe për mënyrën se si zgjerohet në shkollat e mesme të shkallë vendi.

Programi Junior Achievement zbatohet përmes lëndëve më zgjedhje të lirë; Njohuri për Biznesin I në klasë të 11-të dhe Njohuri për Biznesin II në klasë të 12-të në 159 shkolla të mesme të vendit. Ky program ndihmon në përsosmërinë dhe përvetësimin e disa kompetencave kyçe, të cilat u vlejnë të rinjve në jetë, duke i parapërgatitur ata për të pasur sukses në tregun e punës.

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla