Ministry of Education and Sports

MAS nënshkruan marrëveshjen me Komisionin Evropian për të qënë pjesë e Erasmus+

Sot, në Bruksel, u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Komisionit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin Erasmus+, programi i BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin, propozuar nga Komisioni Evropian. Kjo marrëveshje e bën Shqipërinë pjesë të këtij programi komunitar, prej 14.7 miliardë Eurosh në një periudhë 7-vjeçare që synon të nxisë modernizimin e sistemeve arsimore, mundësi për studentë praktikantë dhe personelin akademik për të studiuar jashtë vendit, dhe mbështetje për sportin dhe aktivitete rinore.

Kjo marrëveshje u nënshkrua për Shqipërinë nga Zv. Ministri i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Arbjan Mazniku dhe për Komisionin Europian nga Drejtori i Përgjithshëm për Edukimin dhe Kulturën (DG EAC), Z. Jan Truszczynski.

“Erasmus+” është programi më i ri arsimor i Bashkimit Evropian, i cili synon modernizimin e sistemeve arsimore dhe përshtatjen e tyre me nevojat e tregut të punës, në  një botë që ndryshon vazhdimisht. Ky program do të mbështesë financiarisht një sërë veprimtarish në fushat e Arsimit, Trajnimit, Rinisë dhe Sportit për periudhën 2014-2020. Programi ofron mundësi për studentë, praktikantë, personel akademik dhe administrativ, vullnetarë, që të studiojnë një periudhë të caktuar jashtë shtetit me qëllim që të rrisin aftësitë e tyre për shanse më të mira punësimi. Programi mbështet organizata e institucione të punojnë në partneritete ndërkombëtare për të shkëmbyer praktika të reja në fushën e arsimit, trajnimit dhe rinisë. Në fushën e sportit, programi do të mbështesë projekte kombëtare dhe ndërkufitare në luftën kundër trukimit të ndeshjeve, dopingut, dhunës dhe racizmit.

“Erasmus+” bashkon shtatë programet e mëparshme arsimore të BE-së, duke lehtësuar orientimin e përfituesve dhe rregullat e pjesëmarrjes. Prej “Erasmus+” priten të përfitojnë studentë, të rinj dhe vullnetarë, praktikantë, stafe akademike dhe mësimore,  si dhe institucione ose organizata pjesëmarrëse.

 

“Erasmus+” do të financojë tre shtylla kryesore:

1. Mobilitete: shkëmbime studentësh, lektorësh, stafesh akademike dhe administrative; krijimin e  mundësive për të studiuar, për t’u trajnuar, për të fituar përvojë pune jashtë shtetit; kryerjen e periudhave të shkurtra ose ndjekjen e cikleve të plota të studimit jashtë shtetit;

2. Bashkëpunimin për inovacion dhe shkëmbimin e praktikave të mira:  nxitjen e bashkëpunimit midis  institucioneve të arsimit të lartë të BE-së dhe jashtë saj, për të zhvilluar qasje të reja në mësimdhënie, harmonizimin e programeve, kualifikimin e vazhduar të stafeve, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe ndërmarrjeve private e aktorëve të tjerë, duke sjellë mundësi të reja për institucionet e arsimit të lartë, studentët dhe stafin e tyre, me qëllim  lehtësimin e transferimit të dijeve, përshtatjen me nevojat e tregut të punës, etj. etj.; ngritjen e kapaciteteve (aftësimi i mëtejshëm) i stafeve të institucioneve nga vendet partnere;

3. Mbështetje për reformat e politikave arsimore, nëpërmjet nismave të reja për zhvillimin e dialogut ndërmjet institucioneve publike, ofruesve dhe aktorëve në fushat e arsimit, trajnimit dhe rinisë.

“Erasmus+” do të sigurojë nga vendet anëtare dhe partnere një financim prej 14.7 miliardë Euro për një periudhë 7-vjeçare me qëllim përmirësimin e arsimit, trajnimit, sportit dhe aktiviteteve rinore në Evropë.

Për më shumë informacion vizitoni: www.erasmusplus.al