Ministry of Education and Sports

Lufta ndaj korrupsionit, luftë ndaj një sistemi antivlerash

Beteja ndaj korrupsionit për ne do të jetë një proces i pandalshëm dhe i pandërprerë i bazuar në llogaridhënie dhe transparencë. Ministria e Arsimit dhe Sportit do të publikojë të gjitha raportet e inspektimit, masat e ndërmarra dhe kartat e performancës. Ne do të realizojmë analiza periodike dhe do të krijojmë sistem  eficient për shqyrtimin e ankesave të qytetarëve për çdo rast të denoncuar. Në kuadër të  politikëbërjes, politikat antikorrupsion do të përmirësohen vazhdimisht duke u shoqëruar me marrjen e masave që do të vijnë, edhe nga poshtë-lart.

Lufta ndaj korrupsionit është një luftë ndaj një sistemi antivlerash, të instaluar me forcën dhe dhunën e një politike keqdashëse, me qëllimin e vetëm vënien e çfarëdolloj burimi të vendit në shërbim, jo të interesit publik e jo të së nesërmes, por të vetvetes.

Ministrja siguroi angazhimin dhe vullnetin e saj, që kultura e pandëshkueshmërisë dhe e antivlerave në sistemin arsimor do të luftohet në çdo front dhe pa tolerim. Kështu u shpreh sot Ministrja Nikolla, gjatë fjalës së saj në punimet e Konferencës Kombëtare Antikorrupsion të organizuar nga Qeveria shqiptare në bashkëpunim me Komisionin Evropian.

 

Fjala e Ministres Nikolla:

 

I Nderuar z. Kryeministër,

I Nderuar z. ambasador Sequi,

Të Nderuar zotërinj Ministra,

E Nderuara znj. Mankuet,

Zonja dhe Zotërinj,

 

Dëshiroj ta nis fjalën time duke cituar znj. Hillary Clinton e cila rreth 1 vit më parë ka theksuar në sallën e seancave të Parlamentit shqiptar urgjencën për të luftuar korrupsionin. “Lufta kundër korrupsionit është një luftë që çdo vend duhet ta kryejë dhe ta fitojë, sepse në mbarë botën, korrupsioni është një kancer që gërryen shoqëritë. Shteron burimet, bllokon rritjen ekonomike, është mburojë për udhëheqës të paaftë dhe joetikë dhe, ndoshta më e keqja, krijon një kulturë pandëshkueshmërie që u gërryen njerëzve vullnetin për të përmirësuar cilësinë e jetës të komunitetit të tyre.”

Këto fjalë janë edhe më të vërteta për korrupsionin në arsim, i cili, për fat të keq, çon deri në mohimin edhe të së ardhmes së fëmijëve tanë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit synon ngritjen e cilësisë së arsimit në standardet evropiane, nëpërmjet krijimit të besimit tek arsimi shqiptar të shoqërisë dhe institucioneve kombëtare e ndërkombëtare.

Respektimi i parimeve themelore etike në jetën profesionale dhe publike të arsimtarëve në çdo nivel të arsimit dhe distancimi i tyre nga politika janë vetëm disa nga iniciativat  e para që ne kemi ndërmarrë.

Të gjitha nismat e ndërmarra nga Ministria e Arsimit dhe Sportit gjatë këtyre dy muajve janë realizuar me transparencë, llogaridhënie, gjithëpërfshirje të të gjithë aktorëve socialë, në veçanti të medias dhe në respekt të meritokracisë. Këta janë aleatët kryesorë në realizimin e objektivave tanë.Ne kemi nisur një fushatë kombëtare sensibilizuese me diskutime për nevojën e respektimit të parimeve të etikës në punën e mësuesit, kodit të sjelljes dhe standardeve profesionale. Diskutimet do të vijojnë me mësuesit, prindërit, nxënësit, bordet e institucioneve arsimore dhe senatet e shkollave, qeverisjes vendore. Promovimi i karrierës së mësuesit si profesion prestigjoz dhe konkurrues po realizohet nëpërmjet fushatave reklamuese, garantimit të meritokracisë, por edhe nëpërmjet nënshkrimit të kodit të etikës dhe të standardave profesionale nga çdo mësues.

Në kuadër të decentralizimit i është dhënë autoritet i plotë shkollës në procedurën e rekrutimit të mësuesve duke përfshirë në vendimmarrje bordin e saj, komitetin e prindërve, senatin e shkollës, komunitetin e qeverisjes vendore dhe nxënësit. Të gjithë mësuesve dhe studentëve do t`u ofrohet mundësia e këshillimit të karrierës me ngritjen e zyrave përkatëse në çdo njësi vendore duke vendosur si kusht publikimin e veprimtarisë shkencore të kryer në kuadër të zhvillimit dhe promovimit akademik dhe profesional në zbatim të kartës së performancës.

Ne do të krijojmë së shpejti bazën e integruar të të dhënave të arsimit parauniversitar me module për menaxhimin eficient administrativ, monitorimin infrastrukturor dhe përmbajtjen kurrikulare nëpërmjet platformave e-learning për digjitalizimin eçdo procesi të administrimit arsimor , si mjet i domosdoshëm për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies .

Zonja dhe Zotërinj,

Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se masat e para të rëndësishme kundër praktikave korruptive kanë filluar me procedurat për rekrutimin e drejtorëve të Drejtorive Arsimore Rajonale. Si asnjëherë më parë ky proces është bërë në transparencë të plotë, nëpërmjet shpalljeve publike dhe monitorimit hap pas hapi dhe në kohë reale nga mediat dhe qytetarët në respekt të kokorrencës së lirë dhe të zbatimit të ligjit. Për këto vende kanë konkurruar plot 220 kandidatë me një raport mesatarisht 20 aplikantë për 1 vend vakant. Procesi i rekrutimit po vijon dhe së shpejti ne do të organizojmë seanca publike për garën finale në të 12 qarqet në të cilat, kandidatët më të mirë do të vlerësohen prej një jurie prestigjioze të përbërë nga profesionistë të fushës së mësimdhënies dhe të drejtimit në arsim.

Në këtë kuadër, ne jo vetëm distancohemi nga çfarëdo formë emërimesh klienteliste, por krijojmë një precedent pozitiv për mënyrën e përzgjedhjes së drejtueseve në arsim, duke shënjuar një epokë të re të përfaqësimit në politikëbërje në bazë të vlerave dhe të meritokracisë.

Gjithashtu, brenda këtij viti shkollor do të rishikojmë reformën e Altertekstit duke filluar me zgjerimin e anëtarësisë së Komisionit të Miratimit të Teksteve me përfaqësues nga grupe të ndryshme të shoqërisë. Njëkohësisht metodologjia e Altertekstit do t`u nënshtrohet rishikimeve në sajë edhe të reformës së re kurrikulare.

Kurset private janë një tjetër praktikë korruptive, të cilën ne jemi të vendosur ta luftojmë. Pas urdhrit për çlirimin e mjediseve shkollore nga operatorët tregtarë, i jam drejtuar me një letër të hapur çdo mësuesi, në lidhje me domosdoshmërinë e zbatimit të kodit të sjelljes, parimeve etike të arsimtarit dhe zbatimin e standardeve të cilësisë. Transformimi i shkollave në qendra komunitare, racionalizimi i shkollave dhe krijimi i programeve plotësuese falas, do të shërbejnë për t`i dhënë fund cenimit të ligjit të arsimit parauniversitar dhe vetë etikës së mësuesit.

Prandaj ne duhet t`i projektojmë shkollat, jo vetëm si përçues të dijes dhe të edukatës qytetare, por dhe si promotorë të shpërndarjes së demokracisë në mbarë vendin.

Njëkohësisht në shërbim të dijes dhe të shpërblimit të studentëve sipas meritës, ne do të luftojmë pa mëshirë korrupsionin vulgar. Provimet shtetërore do të organizohen në salla të mëdha dhe do të administrohen nëpërmjet mekanizmave “mekanike” për të ndëshkuar çdo nxënës ose student që kopjon. Gjithashtu ne jemi të vendosur për marrjen e masave disiplinore, deri me largim nga detyra, të çdo administratori që nuk ndëshkon abuzimet. Vetëm disa ditë më parë Ministria e Arsimit dhe Sportit ka dërguar për ndjekje penale 6 pedagogë të një universiteti publik për korrupsion vulgar ose thënë ndryshe mitmarrje.

Por, sfida më e madhe dhe më komplekse ndaj cilësisë për ne, mbetet ajo në arsimin e lartë, i cili vitet e fundit është nëpërkëmbur në favor të sasisë. Ministria e Arsimit dhe Sportit menjëherë ka pezulluar procedurat e licencimit dhe akreditimit për çdo universitet dhe program studimi. Gjithashtu kemi pezulluar regjistrimin e formave të diplomave për programet e studimit të paakredituara. Ne kemi iniciuar, në një tryezë të përbashkët me rektorët e universiteteve publike, lançimin e kartës së parimeve në kuadrin e reformës financiare në arsimin e lartë, e cila do të mundësojë një skemë financiare në bazë të performancës dhe të outputeve të sistemit arsimor, autonominë financiare dhe administrative, si dhe ngritjen e një mekanizmi të ri të llogaridhënies ndaj shtetit dhe aktorëve të tjerë publikë. Gjithashtu MAS ka nisur procedurat për rivlerësimin e standardeve të  institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat, i cili do të finalizohet me akreditimin dhe renditjen e të gjitha IAL-ve (publike dhe jo publike) nga një organizëm i drejtë, i pavarur dhe transparent, i autorizuar nga ENCA (Organizata Europiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë).

Dëshiroj të ndaj me ju gjithashtu disa të dhëna të tjera publike për aktivitetet tona të monitorimit dhe të auditit.

Kemi zgjidhur menjëherë kontratat me 15 drejtorë dhe 57 specialistë të DAR/ZA-ve. Janë marrë masa disiplinore për 28 nëpunës, pasi u konstatuan emërime të kryera pa procedura konkurrimi, pa dhënien e provimit të shtetit dhe shpesh të personave pa arsimin përkatës. Gjithashtu u evidentuan emërimet e 211 mësuesve mbi normën e përcaktuar ose pa kualifikimin përkatës.

Lufta ndaj korrupsionit për ne do të jetë një proces i pandalshëm dhe i pandërprerë i bazuar në llogaridhënie dhe transparencë. MAS do të publikojë të gjitha raportet e inspektimit, masat e ndërmarra dhe kartat e performancës. Ne do të realizojmë analiza periodike dhe do të krijojmë sistem eficient për shqyrtimin e ankesave të qytetarëve për çdo rast të denoncuar. Në kuadër të  politikëbërjes, politikat antikorrupsion do të përmirësohen vazhdimisht duke u shoqëruar me marrjen e masave që do të vijnë, edhe nga poshtë-lart.

Lufta ndaj korrupsionit është një luftë ndaj një sistemi antivlerash, të instaluar me forcën dhe dhunën e një politike keqdashëse, me qëllimin e vetëm vënien e çfarëdolloj burimi të vendit në shërbim, jo të interesit publik e jo të së nesërmes, por të vetvetes.

Z. Kryeministër, të nderuar pjesëmarrës, ju siguroj se do të jem e angazhuar, me vullnet të hekurt që kultura e pandëshkueshmërisë dhe e antivlerave në sistemin arsimor do të luftohet në çdo front dhe pa tolerim.

 

Ju faleminderit!