Ministry of Education and Sports

Ligji i ri i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, më shumë cilësi për universitetet

Projektligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë vjen si një proces unik, pas dy dokumentesh strategjikë dhe një procesi të gjatë të një debati publik të të gjithë aktorëve.

Duhet të falënderoj punën e palodhur dhe profesionale të komisionit Gjonca, që kanë gjetur forcën për të dalë mbi opinionet personale dhe për të dakordësuar  një dokument thelbësor që na u prezantua. Falënderoj dhe gjithë rektoret, dekanët, pedagogët e studentët që u angazhuan në përmirësimin e vazhdueshëm të këtij projektligji.

Ligji i ri për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në arsimin e lartë sjell një mori ndryshimesh, te gjitha në frymën e masave të ndërmarra deri më tani.

Ne nuk bëjmë kompromis me cilësinë.

Koha e universiteteve që bëjnë sikur japin mësim ka marrë fund.

Ky është një ligj për studentët shqiptarë. Një ligj që synon t’u japë mundësinë të rinjve të këtij vendi të fitojnë nga universitetet dije cilësore, të përfitojnë vlerën e munguar të mundit të tyre dhe ti japin besimin prindërve të tyre, që investimi, koha dhe financat e investuara do t’ia vlejnë.

Kjo është dhe ka qenë e vetmja busull që na ka orientuar.

Gjithçka tjetër – Ministria, Universitetet, Profesorati, Autonomia, Qeverisja, Agjencitë e gjithçka tjetër janë mjete në funksion të këtij qëllimi.

Ky ligj ndryshon skemën e financimit, duke future konceptin modern të financimit në bazë të performancës. Shteti do jetë gjithmonë e më shumë financuesi i arsimit të lartë, por këto financa, taksa të qytetarëve shqiptarë, duhet të prodhojnë maksimumin e mundshëm të vlerës. Dhe një skemë moderne financimi që priret nga treguesit e performancës së universiteteve tona, do t’i shtyjë ato të modernizohen, të përmirësojnë shërbimin e ofruar ndaj të rinjve, gjenerimin e më shumë kërkimi shkencor, bashkëpunim të zgjeruar ndërkombëtar, etj. Në thelb do të prodhojë arsim të lartë më cilësor.

Ligji që kaluam sot e bën më të drejtë financimin publik për studentin, duke iu gjendur pranë studentëve në nevojë, duke krijuar një fond të posaçëm bursash për të gjitha kategoritë që për pamundësi financiare nuk ndjekin dot studimet.

Krijon një fond të posaçëm bursash për studentët që ndjekin degët me prioritet kombëtar dhe mbështet posaçërisht gjithashtu studentet me rezultate ekselente.  

Në këtë mënyrë do të optimizojmë mbështetjen me financim publik, duke e përqendruar tek ata që kanë më shumë nevojë, aty ku ka më shumë nevojë shoqëria dhe aty nga ku gjenerohet ekselenca.

Ligji rrit ndjeshëm autonominë universitare, duke deleguar drejt universiteteve publike një sërë vendimmarrjesh të rëndësishme, mbi numrin e studentëve të pranuar, kriteret e përzgjedhjes, përzgjedhjen e studentëve, tarifat e studimit, numrin e stafit akademik. I japim universiteteve të drejtën për të promovuar vetë stafin akademik. Ky është kantieri i parë i mirëfilltë i autonomisë universitare, si pjesë e besimit tonë, që universitet në balancën mes lirisë së mirëfilltë dhe përgjegjshmërisë ndaj publikut mund të ofrojnë cilësinë më të mirë

Ligji i ri për arsimin e lartë modernizon qeverisjen e brendshme universitare, duke i dhënë autoritet të qartë senatit akademik mbi qeverisjen akademike të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe e mbështet punën në një strukturë administrative në shërbim të misionit të Institucioneve të Arsimit të Lartë. Nën konceptet më modern të qeverisjes së universiteteve, rrisim cilësinë akademike duke fokusuar akademikët në detyrat akademike dhe rrisim cilësinë e administrimit duke i mbështetur me administrator profesionistë.

Ligji i ri sjell standardizim të gjithë hapësirës dhe të aktorëve, sipas parimit një kut një masë. Një sistem qeverisës, një set standardesh trupëzuar në një kod cilësie, një sistem sigurimi cilësie, një sistem i unifikuar kontrolli të ligjshmërisë. Një sistem modern në konkurrencë të drejtë, që ofron arsim të lartë cilësor.

Dhe e thënë qartë dhe prerë.

Jo, ky ligj nuk çon para publike drejt institucioneve private. Përkundrazi nxit rritjen e financimit publik e privat drejt arsimit publik ashtu si dhe nxit shtimin e ofruesve të shërbimit publik të arsimit të lartë.

Ligji i ri modernizon kërkimin shkencor në universitete duke e bërë një tregues të matshëm dhe të krahasueshëm të cilësisë së universitetit.

Ridimensionon agjencitë ekzistuese duke i afruar me modelet më të mira evropiane dhe duke modernizuar shërbimet e ofruara prej tyre.

Sot përmbyllim një fazë të rëndësishme në këtë reformë, por jemi të vetëdijshëm që faza tjetër e implementimit të kësaj reforme, do te jetë një sfidë e madhe për të gjithë ne, universitet dhe profesorët e studentët.

Por në jemi të bindur që kur pas disa vitesh të kthejmë kokën pas, të gjithë, edhe ata që sot janë më skeptikët do të binden që kemi ecur në udhën e mbarë. 

Faleminderit!