Ministry of Education and Sports

Letër e hapur e Ministres Nikolla, drejtuar mësuesve të vendit

Të nderuar mësuese dhe mësues,

Duke qenë e vetëdijshme për problemet dhe vështirësitë me të cilat përballeni, vazhdoj të besoj fort se, misioni ynë fisnik nuk përmbushet dot vetiu prej "shenjtërisë" së profesionit. Ai realizohet duke u bazuar çdo ditë në vlerat e drejtësisë, paanësisë, mosdiskriminimit, trajtimit të barabartë, dinjitetit, respektit, etj. Ky duhet të jetë mjedisi në të cilin Ju, të dashur mësues, merrni përgjegjësinë ti përkushtoheni nxënësit dhe profesionit tuaj, duke u bërë modeli i standardeve më të larta të etikës dhe sjelljes. 

Unë e kam kuptuar që, në punën tuaj, shpeshherë jeni ndjerë vetëm, pa mbështetjen e duhur dhe jo në qendër të vëmendjes të politikave arsimore, ndaj dhe jam e vendosur që, nëpërmjet një partneriteti të ri, të qëndrueshëm, mes mësuesve-prindërve-nxënësve-shtetit, të ndjehemi të gjithë bashkëpërgjegjës për cilësinë e arsimit në shkollat e gjeneratës se re të shqiptarëve. 

Ju bëj me dije, se do të vijojmë me procesin e përzgjedhjes së drejtuesve në çdo DAR, ZA e deri në nivel shkolle me transparencë të plotë dhe bazuar në meritokraci, në zbatim të ligjit dhe duke u larguar përgjithmonë nga lidhjet politike e korruptive. 

Do te realizojmë vlerësimin kombëtar të arritjeve për çdo shkollë dhe do të hartojmë kartën e performancës për çdo nivel të arsimit. Për këtë qellim, në ditët ne vijim, do të ndërmarrim fushata sensibilizuese dhe njohëse për procesin e përzgjedhjes së drejtuesve në bazë shkolle, si dhe për ndërgjegjësimin e nxënësve dhe prindërve për rëndësinë e zbatimit te Kodit te Etikes dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional të mësuesit. 

Ne e hodhëm hapin e pare duke e çliruar shkollën nga aktivitetet private. Ta çlirojmë atë edhe nga kurset private të zhvilluara nën presionin e marrjes së notës më të mirë. Kurset private me nxënësit janë në shkelje të plotë të etikës dhe standardeve profesionale. Prindër dhe nxënës dëshmojnë se si ato po kthehen në sjellje korruptive dhe po bëjnë që ora e mësimit t'i largohet qëllimit. Ne po punojmë, që nxënësit të kenë të gjithë asistencën e nevojshme dhe nuk do të lejojmë më abuzime të tilla. Çdokush që nuk zbaton Kodin e Etikes dhe Standardet e Cilësisë dhe Barazisë, nuk mund ta meritojë të jetë pjesë e sistemit arsimor. 

Besimplotë në punën Tuaj plot përkushtim, lejomëni t'Ju shpreh me këtë rast, ndjenjën e respektit tim të veçantë. 

Juaja sinqerisht,

Lindita NIKOLLA

 

Letra në PDF