Ministry of Education and Sports

Kurrikula e re bazuar në kompetenca, standard i ri i të nxënit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla mori pjesë në aktivitetin e Institutit të Zhvillimit të Arsimit (IZHA), mbi prezantimin e portofolit të mësuesit dhe nxënësit, bazuar në kurrikulën e re me bazë kompetencat.

Për gjatë periudhës nëntor 2014 – maj 2015, 78 mësues, përfaqësues të tri cikleve në 26 shkolla që po pilotojnë kurrikulën e re bazuar në kompetenca, janë përfshire në procesin e hartimit të portofolit të të nxënit.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja vlerësoi këtë standard të ri të të nxënit që kanë praktikuar mësuesit, sipas kurrikulës së re, e cila është në përshtatje edhe me kërkesat e tregut të punës.

“Ky aktivitet përcjell të gjitha arsyet se sa e nevojshme është kurrikula e re bazuar në kompetenca. Këtë shtator ajo do të përfshihet në të gjitha shkollat, për klasën e parë dhe të gjashtë”, u shpreh Nikolla.

Ministrja shprehu mbështetjen e saj, për nisma të tilla të të mësuarit të nxënësve, larg standardit ku ata vetëm përkufizojnë njohuritë, por duke mundësuar që t’i përdorin ato për të formësuar kompetencat.

Portofoli i të nxënit është një qasje bashkëkohore që bazohet në kriteret e cilësisë dhe dokumenton kontributin e nxënësve në veprimtari mësimore të orientuara nga kompetenca.

Ky proces udhëhiqet dhe realizohet nga mësuesi, i cili harton dhe dokumenton veprimtaritë e realizuara nga ai vetë (portofoli i mësuesit) si dhe udhëheq veprimtaritë dhe rezultatet e të nxënit (portofoli i nxënësit). Përmes veprimtarive për hartimin e portofolit është bërë përpjekje edhe për rritjen e pjesëmarrjes së prindërve në procesin mësimor.

Mësuesi e të tre cikleve prezantuan sot, rëndësinë, metodologjinë për zhvillimin e portofolit të të nxënit, përvojat e tyre dhe përhapjen dhe vazhdimësinë e kësaj përvoje.

Gjatë aktivitetit të sotëm, u prezantuan në formën e një panairi edhe produktet në lidhje me portofolin nga 26 shkollat pilot.

Të nxënit gjatë gjithë jetës, shndërrimi i shkollës në një qendër ku ndërtohet partneriteti shkollë-familje-komunitet dhe ku bashkëpunohet për zhvillimin e potencialit të plotë të çdo nxënësi, janë përparësi të politikave të MAS që synojnë përgatitjen e gjeneratës së të ardhmes me kompetencat e kërkuara nga shoqëria dhe tregu rajonal e global i punës.