Ministry of Education and Sports

Për herë të parë Shqipëria është bërë mikpritëse e një tjetër ngjarjeje të madhe sportive, zgjedhjet për President dhe Sekretar të Përgjithshëm të Federatës Botërore të Peshëngritjes, për bordin ekzekutiv dhe të gjithë komisionet teknike.

Në ceremoninë që u organizua në Pallatin e Kongreseve, merrnin pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Presidenti i Federatës Shqiptare të peshëngritje Elez Gjoza, Presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes Michael Irani, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Botërore të Peshëngritjes Mohammed Hasan Jalood, presidentë dhe sekretarë të përgjithshëm të Federatave Peshëngritjes nga 156 vende të ndryshme të botës, përfaqësues të Federatës Botërore, Evropiane dhe Shqiptare të Peshëngritjes, sportistë dhe trajnerë.

Në fjalën e saj në ceremoninë e hapjes ministrja Kushi u shpreh se prezenca e e këtij eventi për herë të parë në Shqipëri është një vlerësim. Znj. Kushi tha se kjo ngjarje vjen në në vazhdën e shumë aktiviteteve të rëndësishme për sportin që janë organizuar në Shqiperi, si Kupa e Botës, Finalja e Conference League, Kompionati Evropian i 100-të i Peshëngritjes dhe vizita për herë të parë në Shqipëri e z. Thomas Bach, President i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Aktivitete me vlera kaq të mëdha për Sportin Shqiptar kontribuojnë edhe në promovimin e Shqipërisë, në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë.

Znj. Kushi falënderoi Federatën Shqiptare të Peshëngritjes dhe sportistët kampionë për punën e jashtëzakonshme për zhvillimin e sportit të peshëngritjes.

Ajo theksoi mbështetjen e vazhdueshme ndaj sportit dhe sportistëve me një sërë iniciativash, si rritja e mbështetjes financiare për federatat sportive, shpërblimet e sportistëve medalistë, përmiresimi i legjislacionit dhe infrastrukturës.

Në fund të fjalës së saj Ministrja Kushi i ftoi pjesëmarrësit që të shijojnë sa më shumë qëndrimin në Shqipëri, mikpritjen dhe gatimet tradicionale shqiptare.