Ministry of Education and Sports

Konferenca e parë ndërkombëtare për formimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Institutin e Zhvillimit të Arsimit, zhvillon sot dhe nesër konferencën e parë ndërkombëtare mbi formimin dhe zhvillimi profesional të mësuesve, e cila ka për qëllim të prezantojë modele të suksesshme dhe të propozojë rekomandime, si bazë për politikat e mëtejshme të MAS në përmirësimin e këtij sistemi.

Duke falënderuar ekspertët e huaj si dhe përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë, të pranishëm në konferencë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla tha se konkluzionet dhe detyrat që kjo konferencë do të përcaktojë për Ministrinë e Arsimit dhe Institutin e Zhvillimit të Arsimit, do të jenë një plan i ri veprimi, për të mundësuar që eksperiencat më të mira botërore të jenë pjesë e punës për të ngritur një sistem të ri kualifikimi.

“Besoj, mendojmë të gjithë njësoj, se jo domosdoshmërish janë vetëm investimet, kurrikula apo përmirësimi i teksteve ato që mundësojnë një shkollë cilësore, por faktori kryesor është dhe mbetet mësuesi. Ndaj investimi në cilësinë e mësuesve, por edhe kualifikimi i mësuesve në sistem është një pikë e rëndësishme që do të sjellë gjithë pritshmëritë për atë që duhet të jetë arsimi i gjeneratës tjetër, arsimi i fëmijëve tanë”, tha Nikolla.

Ministrja tha se falë hartës së nevojave që çdo shkollë dhe çdo mësues ka për kualifikim, tashmë nuk flitet më në mënyrë empirike për atë që është e nevojshme dhe e domosdoshme për të përmirësuar në këtë proces, por është një sistem solid të dhënash, të nxjerra nga një testim i mirorganizuar i mbi 17 mijë mësuesve, që përcakton nevojat për ndërhyrje.

“Lejomëni t’ju bëj me dije se MAS ka bërë një ndërhyrje paraprake që lidhet me sistemin aktual të kualifikimit, duke pezulluar veprimtarinë e 51 agjencive private që realizonin kualifikimin e mësuesve, si një masë paraprake sa kohë që mungonte informacioni i qartë dhe monitorimi i plotë i punës që këto agjenci bënin për të kualifikuar mësuesit. Nga ana tjetër edhe si pasojë e dëshmive që vinin nga mësues dhe opinioni publik, se jo të gjitha agjencitë vepronin sipas standardeve për të cilat ishin akredituar dhe jo në pak raste funksiononin si agjenci që shisnin e blinin kreditë dhe jo për kualifikimin e mësuesve”, tha Nikolla.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Arsimit tha se Shqipërisë i mungon literatura profesionale dhe botimet mbështetëse për zhvillimin dhe formimin e mësuesve, bazuar mbi përvojat më të mira në Shqipëri, në rajon e më gjerë, në vende që kanë një sistem të konsoliduar në lidhje me këtë proces. Gjithashtu, sipas saj, ka një mungesë të trajnimeve që ofrohen përmes portaleve online apo sistemit digjital.

“Besoj se kjo konferencë është një arsye për të adresuar edhe problemet që ne kemi ndeshur gjatë bashkëpunimit me universitetet, por që përkthehen në një faktorë para së cilit nuk mund të mbyllësh sytë dhe nuk mund të mos e adresosh kur shef situatën e kalueshmërisë në provimet e shtetit nga mësuesit e rinj. Rezulton që niveli i kalueshmërisë dhe i cilësisë nuk është ai i dëshiruar. Po ashtu, në proceset kualifikuese të mësuesve, gjithnjë e më shumë vërejmë se cilësia lë për të dëshiruar”, u shpreh ministrja Nikolla.

E pranishme në konferencë ishte edhe Përfaqësuesja e UNICEF në Shqipëri, Antonella Scolamiero e cila vlerësoi zhvillimin e konferencës që sipas saj, do të e përmirësojë sistemin e kualifikimit dhe zhvillimit profesional të mësuesve.

Konferenca ndërkombëtare me temë “Formimi dhe Zhvillimi Profesional i Mësuesve”, vjen pas prezantimit të Raportit Kombëtar të Identifikimit të Nevojave për Trajnimin e Mësuesve dhe Drejtuesve, i cili ka të dhënat e rezultuara nga testimi i  17.613 mësuesve në gjithë vendin, në fushat si, planifikimi, mësimdhënia dhe të nxënit, etika dhe komunikimi, zhvillimi profesional.