Ministry of Education and Sports

Komunikim me maturantët për reformën në sistemin e arsimit të lartë

Ministrja  e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla zhvilloi sot, një takim me maturantët e Tiranës, për t’ju komunikuar ndryshimet e fundit në sistemin e arsimit të lartë dhe ndikimin që ka tek ata reforma në këtë sistem.

Ministrja u shpreh e vendosur për t’i shkuar deri në fund procesit të nisur për të informuar familjet shqiptare se cila është situata e cilësisë së universiteteve, për të vijuar më pas me një reformë tërësore në sistemin e arsimit të lartë.

 “Kemi hequr vetëm atë pjesë që cënonte kriteret e ligjshmërisë në ligjin aktual për arsimin e lartë. Do të vazhdojmë me procesin e akreditimit nga një agjenci e njohur botërisht për suksesin dhe profesionalizmin në këtë detyrë. Mbas akreditimit do të ketë universitete private, publike, programe të caktuara që mbase nuk do të mund ta kalojnë testin e akreditimit”, u shpreh Nikolla.

Në lidhje me deklaratat se këtë vit, duke ulur kuotat, 11 mijë maturantëve iu është ndërprerë ëndrra për universitet, ministrja Nikolla tha se kjo është një gënjeshtër dhe se këtë vit janë dhënë vetëm 2800 kuota më pak.

“Është gënjeshtër të thuash se kemi mbyllur dyert për 11 mijë maturantë. Këtë vit ne u konsultuam me universitetet dhe ata në total kërkuan rreth 22 mije kuota dhe ne kemi dhënë vetëm 2800 kuota më pak se kërkesat e universiteteve, pra në total 19,166 kuota”, tha Nikolla.

Ministrja sqaroi se nga 63 programe në total që nuk kanë marrë kuota, në 25 prej tyre rezultonin të regjistruar më pak se 10 studentë, ndërkohë që në ligj thuhet se një program nuk mund të hapet me më pak se 10 studentë. Gjithashtu rezulton se në 14 programe që janë mbyllur, totali i notës mesatare i të gjithë grupit rezulton më pak se 5.5.

Edhe në lidhje me tarifat e rritura të universiteteve, Ministrja tha se rritja më e madhe në tarifat e studimit është 70 mijë lekë të vjetra në vit. Tarifë kjo, shumë më e vogël se ajo që kanë kërkuar universitetet.

“Nëse nuk do kishim ndërhyrë ju do të orientoheshit në programe të caktuara që nuk ofrojnë cilësinë e duhur, do të kishit përzgjedhur dhe universitete si ato që ju hoq licenca. Kjo ka qenë në vëmendjen tonë  gjatë realizimit të këtij procesi dhe ndjehemi mirë që të gjithë e kanë mbështetur si një hap të parë të rëndësishëm”, tha Nikolla në lidhje me masat që u morën sipas Raporti të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në institucionet e arsimit të lartë.

Gjatë komunikimit të hapur me maturantët, Ministrja ju përgjigj të gjitha pyetjeve dhe shqetësimeve që ata kishin në lidhje me vazhdimësinë e studimeve të tyre.