Ministry of Education and Sports

Komunikim i ri shkollë-prindër-qeveri, për një shkollë miqësore

Gjatë qëndrimit në Korçë, Kryeministri Edi Rama, bashkë me Ministren e Arsimit dhe Sportit Lindida Nikolla, vizituan shkollën 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi”. Kjo shkollë është një ndër institucionet arsimore ku po zbatohet projekti pilot “Shkollat si Qendra Komunitare”. Si pjesë e këtij projekti, është edhe vënia në funksionim e sistemit të regjistrit elektronik.

Kryeministri Rama dhe ministrja Nikolla ndoqën një demonstrim të këtij sistemi, që zëvendëson regjistrin aktual me një regjistër të ri, bazuar në formatin elektronik. Ky sistem mundëson njoftimin e prindërve në kohë reale, rreth ecurisë së fëmijëve të tyre, nëpërmjet komunikimit me postë elektronike dhe mesazheve telefonike.

Kryeministri, teksa ndoqi në kohë reale, dërgimin e menjëhershëm prindit, të çdo note apo mungese që vendoset në regjistrin elektronik për çdo nxënës, përmes një mesazhi telefonik, vlerësoi se projekti i jep më shumë siguri dhe forcon lidhjen shkollë-prindër.

“Është një projekt që do kohën e vet, por pa asnjë dyshim, ne nuk duhet të humbasim kohë që t’i bashkojmë në një trup të vetëm nxënësit, mësuesit, prindërit dhe qeverinë. Në mënyrë që bashkërisht të bëjmë më të mirën, qoftë për rritur cilësinë e jetës në shkollë, në tërësi, qoftë për të rritur rezultatet e të gjithë nxënësve, në mënyrë të veçantë. Besoj që ky është një shembull i mbarë. Projekti i jep shkollës shumë më tepër siguri, i jep fëmijëve shumë më tepër siguri, i jep prindërve shumë më tepër siguri, garanton progres të vazhdueshëm dhe ka në themelin e vet inovacionin e pandalshëm, duke e shfrytëzuar sa më mirë teknologjinë,” – u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Rama dhe ministrja Nikolla ndoqën këtë takim me prindër, si dhe realizimin me shkrim të informimit të tyre për ecurinë e çdo nxënësi.

Ministrja Nikolla theksoi se  suksesi i këtij regjistri përbën një motiv inkurajues për ta shtrirë këtë model në të gjitha shkollat e vendit, çka do ta bënte mësimdhënien shumë më bashkëkohore, nxënësin shumë më të përkushtuar ndaj mësimit dhe prindin pjesë të orës së mësimit.

“Ne këtu demonstruam një premtim të qeverisë, një kërkesë të vazhdueshme të Kryeministrit që shkolla të jetë e hapur dhe ta bëjë prindin pjesë të komunikimit dhe arsimimit. Do të hapim një rrugë të re, që e ka bazën tek partneriteti me ju,” – u shpreh ministrja Nikolla.

Projekti "Shkolla Qendër Komunitare" përfshin gjithashtu ndërtimin e regjistrit online, që mbledh të dhënat e çdo nxënësi dhe të aksesueshme nga çdo prind; paraqitjen nga shkolla të letrës së përmuajshme, çdo prindi. Ky projekt shihet edhe si projekti i aleancës strategjike shkollë-prindër-qeveri, përmes të cilit do të realizohet llogaridhënia e ndërsjellë dhe do të garantohet cilësia në rekrutimin e mësuesve.