Ministry of Education and Sports

Kërkimi shkencor nxitës i rritjes ekonomike dhe progresit të vendit

Sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, ishte e pranishme në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare Shkencore, organizuar nga Shoqata për Bimët Aromatike dhe Mjekësore e vendeve të Evropës Juglindore (AMAPSEEC), Akademia e Shkencës të Shqipërisë dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, në Hotel Adriatik, Durrës.

AMAPSEEC është rrjeti më i rëndësishëm në Evropën Juglindore për Bimët Aromatike dhe Mjekësore. Ai përfshin 16 vende të rajonit, dhe përbëhet nga më shumë se 500 anëtarë.

 

Fjala e ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare të AMAPSEEC:

Ju lutem, më lejoni fillimisht të falënderoj organizatorët e kësaj ngjarjeje, që mundësuan zhvillimin e një konference të rëndësishme për kërkimin shkencor këtu, në Shqipëri.

Gjithashtu dëshiroj t’ju shpreh përgëzimet e mia autorëve të hulumtimeve që prezantohen sot, si dhe të gjithë pjesëmarrësve në konferencë, në veçanti atyre të huaj.

Konferenca e sotme është e rëndësishme, pasi kërkimi shkencor nuk është thjesht një gur më tutje në fushën e akademisë. Kërkimi dhe inovacioni përcaktojnë rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe progresin e një vendi.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, mandatuar në Shtator 2013, ka iniciuar menjëherë masa konkrete në këtë fushë, duke e konsideruar kërkimin shkencor si një busull në orientimin drejt sektorëve ekonomikë më të suksesshëm.

Me urdhër të Kryeministrit, z. Edi Rama, u ngrit një komision i pavarur për reformën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri.

Komisioni, pas një pune intensive disa mujore, ka hartuar draftin e parë të raportit mbi reformën, i cili po diskutohet këto ditë me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit. Ky raport, pasi të finalizohet do të shërbejë si dokument bazë për të hartuar ligjin e ri për arsimin e lartë në Shqipëri.

Reforma parashikon hapa konkretë drejt përmirësimit cilësor edhe të kërkimit shkencor në Shqipëri. Element thelbësor për këtë përmirësim është zhvillimi i kapaciteteve teknike dhe menaxhimit të projekteve, veçanërisht bashkëpunimi ndërkombëtar në nivel akademik. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndërmarrë hapat për asocimin e Shqipërisë në Programin e BE-së për Kërkimin Shkencor, Horizon 2020. Ky program ofron mundësi shumë të mira për të zhvilluar projekte të kërkimit shkencor në nivel rajonal, por edhe global.

Qeveria jonë, duke u anëtarësuar në programet Horizon 2020 dhe Erasmus Plus krijon mundësitë dhe nismat që favorizojnë ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, për nxitjen e shkëmbimeve për studentët, kërkuesit e rinj dhe stafet tona akademike. Në këto programe është përcaktuar qartazi se do të do të ofrohet mbështetje maksimale për bashkëpunimin mes kërkuesve shkencorë vendas dhe atyre të huaj.

Gjithashtu, vetë Ministria e Arsimit dhe Sportit, do të mbështesë me financim strukturor dhe programor, projekte cilësore dhe novatore të kërkimit shkencor.

Kërkimi shkencor çdo sfidë e transformon në një mundësi. Ndaj ne e kemi të nevojshëm kontributin tuaj për të mbrojtur biodiversitetin dhe për të nxitur aplikimin e bioteknologjisë në krijimin e formave të reja bimore për kultivim. 

Të nderuar pjesëmarrës,

Unë besoj se përpjekja dhe bashkëpunimi në fushën e shkencës, hulumtimit dhe inovacionit, janë nga mënyrat më të mira për të forcuar partneritetin tonë rajonal dhe për të shpejtuar zhvillimin tonë kombëtar dhe rajonal. 

Duke ju falënderuar për kontributin tuaj, ju uroj suksese në punimet e sotme dhe të ditëve në vijim.