Ministry of Education and Sports

Jo dopingut në sport, mbështetje për të ardhmen e sportit

Në një aktivitet të zhvilluar në ambientet e Agjencisë së Sporteve, në kuadër të prezantimit të listës së re të substancave antidoping, kjo Agjenci zhvilloi një sërë aktivitetesh sportive ku merrnin pjesë ekipe të moshave të reja të futbollit, tenisit, xhudos dhe karatesë.
 
Në ambientet e kësaj Agjencie ishte e pranishme dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, e cila duke përshëndetur Agjencinë e Sporteve për zhvillimin e këtij aktiviteti, shfrytëzoi rastin për t’iu drejtuar komunitetit sportiv për t’i informuar ata rreth zhvillimeve dhe masave të reja që Ministria e Arsimit dhe Sportit ka marrë në këtë drejtim. Një nga këto zhvillime është dhe riformatimi i “Komisionit Kombëtar Antidoping dhe Etikës Sportive”, që do të funksionoje si një Agjenci e Pavarur nga shteti duke patur në përbërje të saj tekniciene të fushës. 
 
Ndërkohë që në këtë aktivitet u prezantua dhe Skema e Re e Financimit për Statusin e Sportistit Elitar, një detyrim ky në mbështetje të zhvillimit të politikave buxhetore sipas përparësive dhe kritereve të përfitimit të këtij fondi në funksion të rritjes së efiçencës, autonomisë, në përdorimin dhe monitorimin për një vetëmenaxhim të strukturave të sportit, si një domosdoshmëri kjo për krijimin e kushteve optimale për kalimin e të gjithë sistemit sportiv kombëtar në vetëfinancim.
 
Në fund të këtij takimi, u mbajt dhe Seminari me temë “Jo dopingut në sport, mbro shëndetin tend dhe luaj ndershëm”, ku të pranishëm, sportistë, trajnerë dhe drejtues të federatave sportive u njohën me listën e re të substancave antidoping.
 

Fjala e plotë e Ministres së Arsimit dhe Sportit në ambientet e Agjencisë së Sportit:

Lejomëni që të shpreh kënaqësinë dhe njëkohësisht të falënderoj Agjencinë e Sporteve dhe Drejtorinë e Sportit që mundësuan këtë aktivetet të bukur sportiv, ku kryefjala është një sport që i thotë: Stop dopingut, mbro shëndetin tënd dhe luaj ndershëm. 
 
Si çdo vit, sot në fakt do të prezantohet lista e re e substancave antidoping. Në një seminar organizuar nga Agjencia e Sporteve, sportistët, trajnerët dhe federatat sportive do të njihen me  substanca, përdorimi i së cilave është në kundërshtim me rregullat e lojës së drejtë, principet etike dhe vlerat edukative që mishërohen në Kartën Ndërkombëtare të Edukimit Fizik dhe Sportit, UNESCO-s dhe në Kartën Olimpike, por mbi të gjitha dhe me shqetësimin që ngre komuniteti sportiv mbi përdorimin e dopingut nga sportistët, si dhe pasojat e tij për shëndetin e tyre.
 
Është për të ardhur keq, që ne si vend trashëgojmë nga e kaluara eksperienca jo të mira me disa prej sportistëve tanë elitarë, të ndodhura padashur e nga mosdija. Por nuk mungojnë as rastet kur kjo ka ndodhur me vullnet të plotë, janë përdorur këto substanca, duke dëmtuar kështu dhe shëndetin e tyre, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëme financiare, si pasojë e gjobave të vëna nga institucionet sportive ndërkombëtare, por dhe duke dëmtuar rëndë imazhin e vendit tonë në komunitetin sportiv ndërkombëtar. 
Miq sportistë e sportëdashës, 
Kjo nuk duhet të ndodh më! Ne duhet që njëherë e mire të SIGUROHEMI që sporti shqiptar të distancohet nga praktika të tilla, të shëmtuara dhe destruktive për të ardhmen e tij. Sigurisht që dhe shteti do të marrë masa të rrepta ndaj atyre që vendosin të bëhen pre e këtyre substancave, duke mos hezituar dhe toleruar askënd. Për këtë, ne po mundësojmë riformatimin e Komisionit Kombëtar Antidoping dhe Etikës Sportive, i cili nuk do të jetë më një komision i varur nga shteti por do të vijë në formatin e një Agjencia të Pavarur, e përbërë nga specialistë, profesionistë kryesisht mjekë dhe juristë. Ashtu si në çdo vend tjetër të botës, kjo Agjenci e pavarur do të mundësojë fushata sensibilizuese antidoping, do të ofrojë asistencë dhe informacion për sportistët, trajnerët dhe federatat sportive. Gjithashtu, do të jetë e kujdesshme dhe e rreptë në dënimin e atyre sportistëve apo trajnerëve që nuk zbatojnë rregullat ndërkombëtare të anti-dopingut. Kjo, pasi për ne SIGURIA në sport është element kyç drejt të ardhmes dhe PROGRESIT të tij.
Gjithsesi ne besojmë që eleminimi i dopingut në sport varet pjesërisht nga harmonizimi progresiv i standarteve dhe praktikave anti-doping në sporte dhe bashkëpunimi në nivelet kombëtare dhe globale.
 
Ne sot jemi të ndërgjegjshëm që sporti duhet të luajë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit, duke qenë projektues i edukimit moral, kulturor dhe fizik, si dhe i nxitjes së mirëkuptimit ndërkombëtar dhe paqes.
 
Organet publike dhe organizatat përgjegjëse për sportin kanë përgjegjësi plotësuese për parandalimin dhe luftën kundër dopingut në sport, me qëllim që të arrihet zhvillimi i duhur i ngjarjeve sportive, mbi bazën e principit të lojës së drejtë dhe të mbrohet shëndeti i atyre që marrin pjesë në to.
 
Në fakt janë pikërisht këta sportistë, të rinj e të reja sot këtu, të cilëve ne u detyrohemi shumë. Janë pikërisht këta të rinj që me pasionin, shpirtin e garës, dëshirën për të ecur përpara drejt suksesit, pavarësisht sfidave përballë të cilave sporti shqiptar gjendet sot, të na ngarkojnë të gjithëve ne, mua të parën si Ministre e Sportit, që të bëjmë gjithçka mundemi që e ardhmja e këtyre sportistëve të jetë e bekuar me suksese dhe arritje të mëdha. 
 
Ne i detyrohemi shumë kampionëve që nderojnë vendin tonë ndërkombëtarisht e që me arritjet e tyre ngrenë peshë krenarinë në zemrat tona. Dua të falënderojë këtu Luiza Gegën një atlete premtuese, kampionët e peshëngritjes Daniel Godellin dhe Romela Begën, boksierin e ri Rexhildo Zenelin dhe dy çiklistët e rinj Real Ramaliu dhe Redi Kopshti që tashmë janë kualifikuar në Lojrat Rinore që zhvillohen në Kinë në korrik të këtij viti. Fatkeqësisht për këta kampionë, por dhe shumë të tjerë premtues që ngrejnë flamurin shqiptar kudo në botë, shteti deri më tani nuk ka bërë mjaftueshëm ta, duke qenë indiferent e duke kthyer sytë në krahun tjetër.
 
Të vetëdijshëm për diçka që ndoshta është bërë keq, apo jo në lartësinë e duhur ndër vite, por duke e parë gjithmonë e më shumë si një përgjegjësi të re për të ndryshuar këto realitete, jam me zemër e shpirt e vendosur, si një sportdashëse, ashtu sikurse dhe ju, plot pasion për të mundësuar shumë punë dhe mbështje në mënyrë që ne të bëjmë të mundur  jetësimin e atij programi që gjeti jehonë kudo në Shqipëri; programit për sportin. 
 
E sot dua të ndajë me ju dhe me këta kampion një moment tjetër të rëndësishëm, atë të mbajtjes së një premtimi nga ana jonë për sportin, si detyrim ndaj PROGRESIT të sportit në tërësi dhe të këtyre sportistëve kampion në veçanti. 
 
Me anë të një udhëzimi të këtyre ditëve ne mundësuam ndryshimin e skemës së re të financimit në sistemin sportiv kombëtar, në mbështetje të zhvillimit të politikave buxhetore sipas përparësive dhe kritereve të përfitimit të këtij fondi në funksion të rritjes së efiçencës, autonomisë, në përdorimin dhe monitorimin për një vetëmenaxhim të strukturave të sportit, si një domosdoshmëri kjo për krijimin e kushteve optimale për kalimin e të gjithë sistemit sportiv kombëtar në vetëfinancim.
 
Në mbështetje të politikës shtetërore për decentralizimin e kompetencave, forcimin e demokracisë dhe fuqizimin e strukturave funksionale të federatave sportive, mënyra e re e finanacimit në sport, do të shënojë një ndryshim cilësor në trajtimin, vlerësimin dhe shpërndarjen e fondeve publike në dobi të organizatave sportive, duke bërë një ndryshim rrënjësor nga trajtimi dhe vlerësimi i mëparshëm i tyre, në respekt edhe të legjislacionit në fuqi.
 
Me qëllim miradministrimin e fondeve buxhetore që do të vihen në dispozicion të organizatave sportive, në udhëzim janë vendosur disa kritere prioritare, të cilat do të mbahen në konsideratë për trajtimin dhe vlerësimin me fonde grand të këtyre organizatave sportive.
 
Kriteret janë konsideruar prioritare dhe jo detyruese për faktin se referuar Ligjit “Për sportin”, shteti shqiptar ka detyrimin të mbështesë me fonde buxhetore, të gjitha organizatat shqiptare të sportit, në funksion të rritjes së cilësisë dhe masivizimit të sportit.  
 
Vendosja e këtyre kritereve prioritare dhe përmbushja e tyre nga ana e organizative sportive, do të garantojë shpërndarjen e fondeve buxhetore në përputhje me synimet dhe objektivat e Qeverisë shqiptare, për nxitjen dhe masivizimin e sportit.
 
Ndaj, më lejoni të theksojë dhe njëherë angazhimin tonë të plotë në zhvillimin dhe PROGRESIN e sportit. Është ky një prioritet i Qeverisë shqiptare, duke mundësuar masivizimin e sportit, në mënyrë që e ardhmja e gjeneratës tjetër të sportistëve, të edukohet qysh në sistemin arsimor parashkollor.
 
Ne kemi detyrimin për garantimin e statusit të sportistit elitar, duke ndërtuar infrastrukturën dhe rrugën e duhur drejt suksesit të talenteve të reja e duke mbështetur profesionistët që të mos largohen më për një flamur tjetër vetëm e vetëm se shteti nuk është i aftë t’u ofrojë respekt dhe  dinjitet sportiv.
 
Faleminderit!