Ministry of Education and Sports

Jetësimi i projektit Shkolla si qendër Komunitare, Korçë

Korça është një ndër qytetet  ku ka nisur jetësimi i projektit "Shkolla si qendër komunitare".

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja Nikolla, zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe drejtues të pushtetit vendor inspektoi nga afër punimet në godinën e re të shkollës “Mësonjëtorja”, të cilës i është shtuar edhe një palestër shumë e domosdoshme, jo vetëm për nxënësit, por edhe për qytetarët e zonës përreth. 

Një terren sportiv shumësportësh po i shtohet edhe shkollës “Raqi Qirinxhi” të qytetit të Korçës. Kryeministri dhe Ministrja e pa nga afër dhe u njoh me detajet e projektit, ndërsa theksuan domosdoshmërinë për shtimin e sipërfaqes së gjelbër në këto terrene. 

Projekti “Shkolla si qendër komunitare”, financuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, konsiston në rimodelimin e këndeve sportive të 4 shkollave të qytetit të Korçës. Projektimi ka në konsideratë frekuentimin e këtyre terreneve jo vetëm nga nxënësit, por edhe komuniteti. Në ndërhyrjet që po kryhen synohet krijimi i terreneve sportive bashkëkohore, me pista vrapimi, fusha tenisi, basketbolli dhe volejbolli, futbolli, si dhe vendosja e veglave gjimnastikore.