Ministry of Education and Sports

Investimi në burimet njerëzore, garanci për suksesin në sport

Sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, ishte e pranishme në ceremoninë e organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, me rastin e shpërndarjes së diplomave për pjesmarrësit në “Kursi i Avancuar mbi Menaxhimin Sportiv”, në ambientet e Hotel Mondial.

Në fjalën e saj, ministrja Nikolla, duke uruar pjesëmarrësit për përfundimin me sukses të këtij kursi të rëndësishëm për sportin, u shpreh : 

“Lejomëni ta nis fjalën, duke dashur të ndaj me të gjithë ju, një kërkesë ndaj jush, për të më dhënë mundësinë të mbahem mend si ministrja e parë studente e kursit tuaj. Ne presim ndihmën tuaj, që qoftë nga eksperienca juaj, qoftë nga gjithçka që keni mësuar në këtë kurs, t’i ndani këto vlera me ne, për të pasur një impakt të menjëhershëm në gjithë Shqipërinë, në kuadër të masivizimit të sportit. Këtu jemi të gjithë bashkë, për të adresuar një situatë krejtësisht të re për sportin.

Ndihem e lumtur dhe shpresë plotë, sa herë dal nga takimet me këto komunitete sportive kaq me vlerë të sportit, që ne do të arrijmë suksese të mëdha për sportin shqiptar. Sikurse e thanë parafolësit, nuk kanë rëndësi investimet e dorës së parë, nëse ato nuk shoqërohen me investime njerëzore në burime njerëzore. Nëse të gjitha investimet shoqërohen me punën eficente të njerëzve të duhur që e kanë me pasion dhe dashuri punën për sportin, sigurisht investimi shumëfishohet dhe rezultatet do të jenë gjithmonë e më të prekshme. Ndaj, ftesa ime është e hapur që së bashku me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, të hartojmë një plan pune që ju gjithçka që mësoni në këto kurse, t’i ndani me shumë të tjerë, kolegë e aktorë të sportit, në mënyrë që të kemi krejtësisht një frymë tjetër, e shoqëruar kjo me rezultate të larta në sport. Masivizimi i sportit nëpërmjet futjes së sportit në shkolla, në gjithë jetën edukative të çdo individi, do të mundësojë një situatë krejtësisht tjetër për sa i përket vlerave dhe qëndrimeve të personaliteteve të të rinjve. Ndaj jam e bindur, se në këtë mënyrë, puna jonë në drejtim qoftë të formëzimit të sportit masiv, qoftë në drejtim të sportit elitar, do të  na bëjë që të ndihemi krenar me bilancet së ardhmes.” – u shpreh ministrja Nikolla.