Ministry of Education and Sports

Zgjedhjet ne universitare janë të dizajnuara që të sjellin një frymë të re zhvillimore nëpër institucionet e dijes, duke ndryshuar udhëheqësit, apo duke konfirmuar udhëheqësit ekzistues por me një plan të ri zhvillimor për të gjithë studentët.

Në eksperiencën time nga të gjitha vendet ku kam studiuar dhe jetuar zgjedhjet nëpër universitete janë ngjarje të qeta, jo-kontroverse, që i përkasin stafit akademik dhe trupës studentore. Nuk përfshijnë në debat institucione, organizata apo grupe shoqërore që nuk janë pjesë e komunitetit universitar, siç bëjmë ne në Shqipëri.

Shpresoj të mos keqkuptohem. Unë me shumë kënaqësi paraqitem sot para kuvendit që të raportoj për rolin që MASR luan në procesin zgjedhor nëpër Institucionet e Arsimit të Lartë Publik.

Por besoj e keni parasysh që ky është një rol shumë i limituar siç edhe duhet të jetë.

Për shkak se universitetet janë institucione autonome që përfaqësojnë instancat më të larta të dijes në vend dhe janë plotësisht në gjendje të organizojnë zgjedhje të ndershme dhe të lira për udhëheqësit e tyre

Shteti ka për detyrë të garantojë autonominë dhe lirinë e IAL-ve dhe kjo është arsyeja pse Ligji për Arsimin e Lartë e vesh MASR vetëm me detyrën e dërgimit tek presidenti të emrave të kandidateve fitues për rektor pas verifikimit të rregullsisë së procesit zgjedhor.

Ndërsa gjithçka tjetër, themelimi i komisioneve zgjedhore, komisionet e apelit, numërimi i votave, sigurimi i mbarëvajtjes së procesit zgjedhor i takon IAL-së që po zhvillon zgjedhjet.

Në vitin 2016 në zgjedhjet e para të mbajtura pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Arsimin e Larte MASR ka patur një rol më të madh në organizimin e zgjedhjeve për shkak se jo të gjitha IAL kishin hartuar statutet dhe kishin themeluar të gjithë institucionet e nevojshme që të organizonin zgjedhje.

Ne atë kohë MASR nxorri rregulloren e parë të zgjedhjeve dhe caktoi datën e zgjedhjeve dhe ka mbikëqyrur gjithë procesin duke u bërë edhe pjesë e komisioneve të apelimit.

Kjo jo vetëm që nuk është më e nevojshme, por edhe nuk mund të ndodhë më për shkak të respektimit që duhet t’i bëjmë autonomisë universitare.

Ky është një funksion ceremonial që IAL-të ia kanë deleguar ministrit të arsimit, jo vetëm verbalisht në diskutimet që kemi patur me rektorët dhe organet e tjera udhëheqëse, por edhe me rregulloret e zgjedhjeve të secilës IAL dhe ai është caktimi i datës së zgjedhjeve.

IAL-të publike donin që zgjedhjet të mbaheshin në të njëjtën datë dhe të kishin një frymë ceremoniale, kështu që ky është një funksion që i delegohet ministrit të arsimit.

Mënyra se si funksionon është që rektoret kërkojnë nga ministri të caktojë datën e zgjedhjeve para se atyre tu skadojë mandati, për të vijuar pastaj me procesin zgjedhor.

Dhe kështu ndodhi. Në janar 2020 rektorët kërkuan që të caktohej data e zgjedhjeve për të gjitha IAL-të publike për muajin maj 2020, kur skadonin mandatet e gjithë strukturave drejtuese. Në këtë urdhër kam vendosur edhe një kërkesë që del nga Pakti për Universitetin, që kandidatët për struktura drejtuese të kenë verifikuar ligjshmërinë e marrjes së titujve akademik apo gradave shkencore, përfshirë këtu edhe kontrollin antiplagjiaturë të kërkimit shkencor me të cilin kanë fituar gradën apo titullin.

Kjo është e rëndësishme sepse udhëheqësit e universiteteve dhe i gjithë komuniteti universitar duhet të kenë integritet të lartë akademik.

Në janar 2019 Këshilli i Ministrave ngarkoi Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për të kryer kontrollin antiplagjiaturë për të gjithë trupën akademike.

Universitetet rezistuan me të drejte, duke thënë që nuk është punë për qeverinë, por për universitetet. Në kuadër të autonomisë universitare kërkuan ta bënin vetë.

Ne ua lamë në  dorë atyre, duke i ndihmuar me pajisjen me platformën elektronike të kontrollit antiplagjiaturë, e cila bën kontrollin në gjuhën shqipe por duke i kontrolluar punimet edhe me gjuhët e tjera.

Presim që të gjithë kandidatët të kalojnë nga kjo platformë dhe vitin tjetër të aplikohet edhe për studentët.

Ne jemi të gatshëm të subvencionojmë universitetet në blerjen e mëtutjeshme të qasjes në platformën antiplagjiaturë pa marrë parasysh se sa do të kushtojë kjo, vetëm e vetëm që përfundimisht, të pastrohet arsimi i lartë nga kërkimi shkencor i rremë, doktoraturat e rreme, titujt e rremë dhe të mësohen edhe studentet që studimet e tyre t’i bëjnë me integritet akademik.

Për shkak të pandemisë globale Covid 2019 dhe situatës së gjendjes së jashtëzakonshme me kërkesë të vetë strukturave drejtuese në IAL e shtymë dy herë datën e zgjedhjeve, herën e dytë pa afat, ngaqë ishte e paqartë situata me rikthimin e studentëve nëpër auditorë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme në fund të qershorit 2020

Por, në urdhrin dytë e shtyrjes së zgjedhjeve kërkuam nga IAL-të të vijonin me përgatitjet për zgjedhje me qëllim zhvillimin e tyre menjëherë pas krijimit të kushteve dhe përcaktimit të datës së re për zgjedhjet.

Ky natyrisht nuk ishte problem për shkak se shumica i kishin filluar dhe mbaruar përgatitjet për zgjedhjet që kur i kishim shpallur herën e parë në janar 2020.

Paralelisht, kërkuam nga IAL-të të organizojnë kthimin gradual të studentëve nëpër auditorë për konsultime dhe provime. Kjo ekskluzivisht për shkak se qindra studentë më kanë shkruar për limitet e mësimit në kushte shtëpie dhe nevojën e tyre për konsultime para provimeve, si dhe provime në universitet e jo online.

Për këtë, Ministria e Shëndetësisë ka miratuar ‘masat ndaj Covid 2019’ me rregulla strikte të higjienizimit dhe distancimit social që duhet të ndërmerren për institucionet arsimore.

Të gjitha IAL-te publike i kanë marrë këto masa.

Por, për shkak të përfundimit mandateve të autoriteteve dhe organeve drejtuese, janë shkaktuar ngërçe të funksionimit normal të IAL-ve.

Kjo, përveç se na u bë me dije nga rektorë dhe dekanë, u pa qartë edhe nga qindra e-maile dhe mesazhe nga studentët që nuk po merrnin shërbime të duhura në IAL për shkak se udhëheqësit kanë një hezitim që të ofrojnë shërbimet me mandate te skaduara.

Në fund të qershorit, pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, 11 nga 12 rektoret që janë të përfshirë në zgjedhje na kërkuan që t’i shpallim zgjedhjet sa më parë që të jetë e mundur duke dhënë tre argumente:

  1. rritja e rasteve të infektimeve rrezikon fillimin e vitit akademik shtyn zgjedhjeve pafundësisht, gjë që dëmton funksionimin e IAL-ve.
  2. IAL-të janë të hapura deri më 7 gusht dhe kanë frekuentim të rregullt të studentëve dhe pedagogëve. Kështu që është e mundur që të bëhen zgjedhjet.
  3. Janë hequr kufizimet e transportit publik, kështu që të gjithë studentët dhe pedagogët janë të lirë të marrin pjesë në ditën e zgjedhjeve.

Në fund të qershorit miratova këtë kërkesë të rektoreve për të caktuar datën e zgjedhjeve në universitete më 30 korrik, 2020.

Këtu përfundon edhe roli i MASR deri në momentin kur nga gara zgjedhore për rektor dalin emrat fitues, të cilët i dërgojmë tek presidenti.

Duhet të theksoj se rektori i UT nuk ishte pjesë e grupit të rektorëve që kërkuan zgjedhje në korrik dhe nga përpjekjet e vazhdueshme që ai bën për të penguar procesin zgjedhor, po supozoj që ai nuk është dakord.

Por, besoj se pajtoheni që nuk mund të injoroj kërkesën e 11 rektorëve të tjerë si dhe kërkesën e gjithë trupës akademike në UT që zgjedhjet të bëhen tani.

Dhe unë e di që pajtoheni, se shumica juaj, jo si deputetë por si prindër të studentëve, si pedagogë më keni shprehur mbështetjen tuaj për këtë kërkesë të rektorëve që zgjedhjet të mbahen në korrik.

Dua të nënvizoj edhe një herë rëndësinë e aplikimit te kontrollit antiplagjiaturë. Kjo po bëhet për herë të parë për kandidatët për struktura drejtuese, është hap i rëndësishëm drejt realizimit të Paktit për Universitetin, i cili synon shërimin e kërkimit shkencor nga plagjiatura.

“Pakti për Universitetin” realisht tregon vendosmërinë tonë në mbështetje të studentëve për një jetë më të mirë akademike dhe studentore.

Subvencionimi i tarifave dhe dhënia e bursave për studentët nuk është ndërprerë, përkundër dëmeve e presionit buxhetor të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia COVID-19,

Ndërhymë në konvikte sepse besojmë fuqishëm që studenti ‘konviktor’ që vjen nga kushte të vështira socio-ekonomike meriton të jetojë në kushte të mira në konvikt.

Kemi vendosur bibliotekën digjitale për të modernizuar kërkimin shkencor dhe gjithë punën akademike në IAL.

Jemi para zgjedhjeve, prandaj u bëj thirrje të gjithë zgjedhësve që me maturi të votojnë kandidatët më të mirë, në mënyrë që të drejtohen nga drejtues me ndjenjë të lartë përgjegjshmërie dhe të cilët kanë qëllim të vetëm përmirësimin e jetës studentore.

Duhet që të kemi lider të mirë që të çojmë deri në fund të gjitha reformat që kemi parashikuar, ndaj u bëj thirrje të gjithëve që të mendojnë mirë se kë votojnë për udhëheqës në IAL.