Ministry of Education and Sports

Instituti Konfuci, një avantazh më shumë për të ardhmen

Sot, Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla mori pjesë në ceremoninë e themelimit të Institutit Konfuci pranë Universitetit të Tiranës.  Instituti Konfuci është një institucion publik i cili është i angazhuar në drejtim të promovimit të gjuhës kineze dhe burimeve të tjera të të studiuarit të kësaj gjuhe. Qëllimi i tij kryesor është promovimi i gjuhës kineze për të kontribuar në zhvillimin e multikulturalizimit dhe ndërtimin e një bote globale.

Gjatë fjalës së saj në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Ministrja Nikolla, u shpreh e nderuar dhe njëkohësisht entuziaste që sot u  arrit të implementohej finalizimi i marrëveshjes së iniciuar mes Institutit Konfuci dhe Universitetit të Tiranës. “Hapja e Institutit Konfuci është padyshim një hap shumë i rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, pasi ne shohim tek Republika Popullore e Kinës një partner të rëndësishëm. Ne vlerësojmë potencialet e saj ekonomike dhe investues dhe besojmë në një partneritet të mirëfilltë mes dy vendeve. Partneritet që mund dhe duhet të ndërtohet dhe falë njohjes reciproke të kulturës dhe traditës të dy vendeve tona. Në këtë këndvështrim kultura, gjuha dhe njohja e saj janë hapa të rëndësishëm”, u shpreh znj. Nikolla.

Sipas Ministres së Arsimit dhe Sportit, hapja e Institutit Konfuci në UT,  do të rrisë edhe më tej interesin e studentëve shqiptarë për të eksploruar gjuhën dhe kulturën kineze si dhe do të jetë një vlerë e shtuar për Universitetin e Tiranës. "Në këtë drejtim promovimi i gjuhës, kulturës dhe traditës kineze, por edhe organizimi i aktiviteteve të ndryshme, si ai i leksioneve të hapura, seminareve, konferencave ndërkombëtare akademike, që mbulojnë kulturën, historinë, filozofinë, politikën dhe artin, do të jenë tema të interesit të studentëve”, theksoi Ministrja Nikolla.

Gjithashtu, Ministrja Nikolla shprehu besimin se hapja e Institutit Konfuci do të shërbejë si një moment i rëndësishëm për të ravijëzuar në të ardhmen projekte të rëndësishme që lidhen me cilësinë e arsimit të lartë dhe më tej në fushën e sportit.

“Në takimin që pata pak kohë më parë me ambasadorin Kinez, ne dakordësuam për të përforcuar edhe më tej bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe sportit duke mundësuar jo vetëm një rishikim të plotë të marrëveshjes, por dhe disa piketa të rëndësishme ku do të konsistonte intensifikimi i projekteve tona të përbashkëta në fushën e arsimit dhe sportit”, nënvizoi Ministrja Nikolla.

Në fund të fjalës së saj, znj. Nikolla, theksoi  dhe njëherë se themelimi i Institutit Konfuci pranë UT, është një fillim i mbarë dhe fryt i një bashkëpunimi që synon të shoh vetëm progres, duke forcuar gjithmonë e më shumë marrëdhëniet midis dy vendeve. “Unë i uroj fakultetit të gjuhëve të huaja, pedagogëve dhe natyrisht studentëve të kësaj gjuhe kaq të veçantë dhe të bukur, suksese dhe sa më shumë vullnet dhe dëshirë për të përvetësuar këtë gjuhë dhe dimensionin kulturor që ky Institucion mundëson dhe promovon, pasi kontributi në zhvillimin e multikulturalizmit është themeli i ndërtimit të një bote globale”, përfundoi fjalën e saj Ministrja Nikolla.

Më pas, Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla së bashku me Ambasadorin Kinez, morën pjesë në ceremoninë e hapjes të Kursit të Gjuhës Kineze në shkollën 9-vjeçare “7 Marsi”. Pasi ju uroi suksese nxënësve dhe mësuesve për këtë risi që ndodh në arsimin shqiptar për mësimin e gjuhës kineze, Ministrja Nikolla theksoi se: “Jam e nderuar që jam sot posaçërisht në shkollën “7 Marsi”, duke garantuar në cilësinë e ministres së arsimit që do të keni vëmendjen maksimale dhe mbështetjen e duhur që ta bëni shumë mirë këtë gjë, por dhe njëherësh që përmes shembullit tuaj ne t’u mundësojmë edhe nxënësve të tjerë të Shqipërisë mësimin e gjuhës së bukur kineze. Ndjeheni veten sot me fat, pasi keni një avantazh më shumë nesër, duke patur një armë më shumë për të qenë më të suksesshëm në tregun e punës” u shpreh Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla.