Ministry of Education and Sports

Inaugurimi i mjediseve të restauruara ku ruhet Fondi Arkeologjik

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte e pranishme në inaugurimin e mjediseve të restauruara ku ruhet Fondi i Arkeologjisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Nikolla tha se fal këtij restaurimi Fondi Arkeologjik është tashmë në shërbim të studentëve, duke mundësuar një situatë të re që lidhet me cilësinë e jetës universitare, si dhe duke krijuar  një standard të ri për punën e studiuesve dhe kërkuesve shkencor, shqiptarë e të huaj. 

“Lejomëni të shpreh gjithë angazhimin e institucionit që unë drejtoj dhe të qeverisë shqiptare se do të mbështesim çdo nismë që promovon, zhvillon dhe modernizon sektorin e arkeologjisë. Gjithashtu, jemi po aq të angazhuar që këtë standard të ri, këtë mënyrë të re sjelljeje me vlerat e trashëgimisë kombëtare t’ia përçojmë brezit të ri që në edukimin e hershëm përmes orëve të posaçme në gjithë arsimin parauniversitar”, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se kjo ka qenë arsyeja që MAS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës nisi projekte të rëndësishme si “Edukimi përmes kulturës” apo “Miq të monumenteve”, ku shkolla të caktuara marrin në mbrojtje monumentet e kulturës, jo vetëm për t’i ruajtur këto vlera të trashëgimisë kulturore, por edhe për të zhvilluar orë mësimi ndryshe pranë tyre.

“Dëshiroj të falënderoj SHBA-në, që për herë të parë Fondi i Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore është akorduar i gjithë për realizimin e këtij projekti të trashëgimisë kulturore. Në këtë mënyrë theksohet edhe një herë rëndësia e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore”, tha Lindita Nikolla.

Restaurimi i ambienteve të magazinimit të Fondit të Arkeologjisë vjen në kuadër të bashkëpunimit të Qendrës së Studimeve Albanologjike, të  Institutit Arkeologjik me ICOM Albania (Këshilli Ndërkombëtar i Muzeumeve) ku nga marrëveshja e nënshkruar (në shtator 2012) me Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë u përfitua një fond prej $103,389. Ky fond u mundësua nga “Programi i Fondit të Ambasadorit për Trashigimin Kulturore”.

Qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i kushteve të magazinimit të ambienteve të objekteve arkeologjike. Kjo duke vlerësuar nevojën për ruajtjen e këtyre objekteve, pasi në vlerësimin e ekspertëve (ICOM) ishte konstatuar se gjendja e këtyre objekteve ishte tej mase e rrezikuar nga mundësia e dëmtimeve, humbja (vjedhjes), apo zjarri.

Fondi Arkeologjik pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, një fond me vlera kombëtare, tashmë është i sigurt dhe mund të menaxhohet, monitorohet dhe mbrohet sipas standardeve ndërkombëtar. Fondet Arkeologjike që ndodhen pranë Institutit Arkeologjik janë 18,000 nga të cilat 16,000 prej tyre tani janë të siguruara në magazinimin e ri, mundësuar nga fondi i këtij programi dhe pjesa tjetër është e ekspozuar në Muzeun e Arkeologjisë, në mjediset e QSA-së. 

 

Më poshtë, fjala e plotë e Ministres Lindita Nikolla

 

I nderuar Z. Ambasador i SHBA-së, Aleksandër Arvizu

E nderuar Znj.Ministre e Kulturës, Mirela Kumbaro

I nderuar Z. Drejtori i QSA-së, Ardian Marashi

Të nderuar miq, të ftuar

Ndiej kënaqësi që jam sot, në inaugurimin e mjediseve të restauuara ku ruhet Fondi i Arkeologjisë, jo vetëm për rëndësinë që ka ky restaurim për mbrojtjen e tij, por për faktin se tashmë ai është i aksesueshëm nga studentë, arkeologë dhe nga publiku i gjerë.

Falë ndihmës së miqve tanë, SHBA-së dhe Ambasadorit Arvizu, këto mjedise ku ruhet një pjesë e fondit të artë të arkeologjisë shqiptare, morën dimensionin që u takon, me parametrat e duhura, sipas standardeve muzeologjike botërore.

Më gëzon shumë fakti se restaurimi i këtyre mjediseve është  në shërbim të gjithë studentëve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të thellojnë studimet e tyre në fushën e arkeologjisë. Në këtë mënyrë mundësohet një situatë e re që lidhet me cilësinë e jetës universitare, si dhe ngrihet një standard i ri për punën e studiuesve dhe kërkuesve shkencorë, shqiptarë e të huaj. 

Ekspozimi siç duhet i objekteve me vlera unikale i bën ato që të jenë të vizitueshme edhe nga publiku i gjerë, dhe ridimensionon kështu gjithë impaktin e publikut për këtë fond.

Dëshiroj të falënderojë SHBA-në që për herë të parë Fondi i Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore është akorduar i gjithë për realizimin e këtij projekti të trashëgimisë kulturore. Në këtë mënyrë theksohet edhe një herë rëndësia e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, dëshmi për rrënjët e kombit tonë.

Lejomëni të shpreh gjithë angazhimin e institucionit që unë drejtoj dhe të qeverisë shqiptare se do të mbështesim çdo nismë që promovon, zhvillon dhe modernizon sektorin e arkeologjisë.

Gjithashtu jemi po aq të angazhuar që këtë standard të ri, këtë mënyrë të re sjelljeje me vlerat e trashëgimisë kombëtare t’ia përçojmë brezit të ri qysh në edukimin e hershëm përmes orëve të posaçme në gjithë arsimin parauniversitar.

Kjo ka qenë arsyeja që MAS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës nisi projekte të rëndësishme si, “Edukimi përmes Kulturës” apo “Miq të monumenteve”, ku shkolla të caktuara marrin në mbrojtje monumentet e kulturës, jo vetëm për t’i ruajtur këto vlera të trashëgimisë kulturore, por edhe për të zhvilluar orë mësimi ndryshe pranë tyre.

Përtej një dite të veçantë, le ta kthejmë në një moment reflektimi dhe zhvillimi përgjegjësie në mënyrë që mbrojtjen e trashëgimisë kulturore ta bëjmë pjesë të rëndësishme të edukimit të brezit të ri.

Duke parë fotot se si kanë qenë mjediset ku ruhet Fondit Arkeologjik,  kushtet e vështira në të cilat ndodhej, dhe duke parë se si janë ridimensionuar këto mjedise sot, kemi gjithë motivet që ta kultivojmë edhe në të ardhmen këtë lloj kulture të mbrojtjes së vlerave arkeologjike.

Faleminderit