Ministry of Education and Sports

Hartimi i planit të veprimit për integrimin e romëve dhe egjiptianëve, 2015-2020

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe me mbështetjen e PNUD-it zhvilluan një seminar në kuadër të konsultimeve për hartimin e Planit të ri të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2015-2020, si pjesë e Dokumentit të Politikave për Përfshirjen Sociale.

Gjatë seminarit u diskutua për marrjen e masave konkrete nga stafi i ministrive në bashkëpunim me shoqërinë civile për të adresuar problematikat e arsimit dhe promovimit të dialogut ndërkulturor për komunitetin romë dhe atë egjiptian.

E pranishme në seminar, Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sporti, Nora Malaj tha se MAS ka prioritet krijimin e sa më shumë mundësive për nevojat e këtyre kategorive, jo vetëm për arsimimin e tyre, por edhe edukimin.

“MAS mbështetet në parimin e arsimit gjithëpërfshirës si një nevojë e domosdoshme për realizimin e objektivave, duke i dhënë çdo fëmije mundësinë e aksesit në sistemin e edukimit, gjithashtu duke e alternuar atë me promovimin e kulturës rome dhe egjiptiane në kurrikulat e reja”, tha Malaj.

Ndër politikat që ka ndërmarrë MAS, në ndihmë të integrimit të romëve dhe egjiptianëve, Zëvendësministrja Malaj theksoi nismën, “Çdo fëmijë rom në kopsht”, me qëllim ndërtimin e praktikave të suksesshme për integrimin e fëmijëve rom në kopshte. 

Disa nga nevojat që u identifikuan në fushën e arsimit ishin; trajtimi i romëve dhe egjiptianëve në kurrikulën shkollore si grupe vunerable dhe jo si identitete kulturore të ndryshme, përfshirja e mësuesve romë dhe  trajnimi për mësuesit jo romë për t’iu përgjigjur nevojave kulturalisht të ndryshme të fëmijëve, etj.

Në seminar ishte e pranishme edhe Zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, e cila ndër të tjera vlerësoi rezultatet konkrete nga bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, që kanë të bëjnë me Vendimet e Këshillit të Ministrave për të mbështetur shtresat në nevojë me kuota të veçanta në universitete, si dhe për përjashtimin apo reduktimin e tarifës vjetore të studimit për këtë kategori.

Seminari i sotëm në MAS ishte i katërti pas takimeve të tjera konsultative me ministritë e linjës për përcaktimin e masave që do të përfshihen në Planin e Veprimit për Integrimin e romëve dhe egjiptianëve 2015-2020.