Ministry of Education and Sports

Gjuha gjermane, hapja e një dritareje drejt vlerave të popullit gjerman

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë në Konferencën e Tretë të Drejtorëve të shkollave bashkëpunuese për gjuhën gjermane në Shqipëri. Të pranishëm në këtë veprimtari ishin z. Hellmut Hoffmann, ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, z. Herbert Muhlefeit, drejtor i seksionit dygjuhësh gjermano-shqiptar në Tiranë dhe z. Thomas Farber, këshilltar për gjuhën gjermane në Shqipëri.

Në fjalën e saj, znj. Nikolla vlerësoi maksimalisht studimin e gjuhës së huaj në kohët aktuale, duke thënë se është domosdoshmëri, një reagim pozitiv ndaj sfidave me të cilat përballen individi dhe shoqëria jonë. “Të studiosh gjuhën gjermane, do të thotë të hapësh një dritare drejt një shpirti, si ai i popullit gjerman, që aq shumë ka dhënë për artin, letërsinë, kulturën dhe shkencën mbarëbotërore”, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Sportit. 

Më tej, znj. Linidita Nikolla u ndal te seksioni dygjuhësh shqiptaro-gjerman, i hapur në vitin shkollor 2008-2009 dhe i mbështetur në deklaratën për bashkëpunimin midis MAS dhe Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë. “Kjo nismë, e cila ka hedhur tashmë hapa të rëndësishëm, synon krijimin e një modeli që hedh themelet e një bashkëpunimi jetëgjatë mes dy popujve. Në shkollat e përfshira në këtë program, sot po punohet për të ndërtuar një kontekst nxitës për të rinjtë, i cili, duke i pasuruar të rinjtë me përvoja specifike nga sistemi shkollor shqiptar dhe ai gjerman, do t’i lejojë të futen tejet të motivuar në sistemin europian të edukimit, ku ata do të mund të hulumtojnë dhe të formojnë hapësira të reja. Falë këtij projekti, ne kemi sot një model bashkëpunimi të suksesshëm mes shkollave, drejtuesve të shkollave të mesme dhe shkollave 9-vjeçare, mësuesve dhe nxënësve që kanë qenë dhe janë pjesë e këtij sistemi”, tha znj. Nikolla. 

Në përfundim të fjalës së saj, ministrja e Arsimit dhe Sportit vlerësoi të rinjtë shqiptarë që kanë përfunduar, vijojnë ose do të nisin studimet në universitetet gjermane, duke i konsideruar ata përçuesit e njohurive, të arritjeve dhe të mendimit akademik e shkencor përparimtar. “Pritshmëritë tona ndaj tyre janë të larta, sepse e lartë është cilësia e formimit që po përfitojnë. Nuk mund të mos përmend sot emra, si Robert Shvarc dhe Ardian Klosi, dy simbole të gjuhës gjermane në vendin tonë, të cilët  ndriçuan me përgjegjshmëri dhe njohje të thellë dy botë, duke ndërtuar themelet e një ure lidhëse mes nesh. Tashmë, kjo njohje dhe ky bashkëpunim duhet të thellohen e të forcohen dhe në fushën e shkencës, duke hedhur baza të shëndosha dhe duke na vënë përpara përgjegjësisë që kjo nismë të vazhdojë të zhvillohet duke gjetur gjithnjë e më shumë hapësirë”, u shpreh znj. Nikolla. 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit siguroi të pranishmit për mbështetjen e qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit ndaj këtij bashkëpunimi, i cili është një aleancë e projektuar drejt së nesërmes së përbashkët brenda një njohjeje reciproke të thelluar, falë njohjes të shpirtit të njëri-tjetrit, falë njohjes të gjuhëve tona.