Ministry of Education and Sports

Gjuha ADN-ja e një kombi

Sot Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla morri pjesë në hapjen e Konferencës me temë “Komunikimi Ndëretnik në Ballkan”, organizuar nga Universiteti i Tiranës në Qytetin Studenti.

Në fjalën e saj përshëndetëse Ministrja Nikolla duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për gjithë punën me vlerë dhe të vyer që kanë bërë profesorët dhe akademikët e nderuar, theksoi se gjuha është pasuria më e madhe e një kombi dhe se si pjesë e ADN-së së tij, ajo ka nevojë të mbrohet, kultivohet dhe pasurohet.

Në nevojën që ka gjuha për vazhdimësinë e të studiuarit dhe të hulumtuarit, Znj. Nikolla vuri theksin tek vëmendja e idesë për rishikimin e teksteve: “Ne trashëgojmë një pasuri të jashtëzakonshme vlerash gjuhësore, të cilat kanë pasur peshën e tyre historike ndër shekuj dhe mijëvjeçarë. Por në këtë kuadër ne kemi mundësi për të diskutuar e hulumtuar pafundësisht thesare, në lëmin e madh gjuhësor rajonal të Ballkanit. Është pikërisht momenti kur duhet pasur në vëmendje ideja e rishikimit të teksteve”– u shpreh Ministrja Nikolla.

Në mbyllje të fjalës së saj, Ministrja Nikolla, në kuadër të bashkëjetesës multietnike rajonale dhe të integrimit të rajonit në BE, ritheksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërshtetëror, në bashkimin e gjithë energjive intelektuale dhe institucionale si një shtysë në arritjen e qëllimit për një vendimmarrje të përbashkët dhe me përgjegjësi.

“Qëllimi ynë i përbashkët është integrimi rajonal drejt Bashkimit Europian. Dhe interesi ynë për tu bërë pjesë e këtij komuniteti vlerash dhe zhvillimi, është që të aderojmë në të mbi frymën e bashkëjetesës ndërkulturore, ndëretnike, e ndërfetare. Shkenca promovon vlerat, respekton të vërtetën dhe në emër të kësaj të vërtete që është realiteti i ri i rajonit tonë hartimi dhe rishikimi i teksteve në frymën e edukimit të tolerancës, paqes, fqinjësisë së mirë, respektit për diversitetin, e perspektivave integruese, do të ishte një shërbim me vlerë që ne do t’i bënim kombeve tona dhe gjeneratës tjetër.

Do mirëprisnim me shumë kënaqësi dhe endje nga ju zyrtarë dhe shkencëtarë, idetë tuaja, sugjerimet, sfidat, problemet dhe rrugëzgjidhjet në mënyrë që së bashku të ndërtojmë politikat më të mira arsimore duke qenë të gjithë përgjegjës për vendimmarrjen dhe të ardhmen e kombeve tona”.