Ministry of Education and Sports

Gjithëpërfshirje dhe përgjegjësi në përzgjedhjen e mësuesve të Shkollës Profesionale Kamëz

Sot, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, ishte e pranishme në  ndjekjen nga afër të konkursit të kandidatëve për postet vakante të mësuesve të matematikës, në shkollën Profesionale industriale, Kamëz. Duke folur për këtë proces përzgjedhës, ku për herë të parë pas shumë kohësh aplikohet përzgjedhja e kandidatëve, bazuar në ligjin për arsimin parauniversitar, ministrja u shpreh se ndjehej shumë e ngazëllyer që procedura e përzgjedhjes shpalosi një filozofi të re, atë të gjithëpërfshirjes, decentralizimit të vendimarrjes, depolitizimit dhe zhvillimit të strukturave demokratike të shkollës.

Fjala e plotë e ministres Nikolla:
 
“Konkursi për mësuesit e rinj në Shkollën Profesionale të Kamzës, është shembulli i parë i procedurës përzgjedhëse të mësuesve të rinj në arsim. Konstatova me shumë kënaqësi dhe përshtypje mjaft pozitive nga komisioni (pra nga përfaqësues të bordit të prindërve, nga përfaqësues të këshillit pedagogjik të mësuesve), të zgjedhur me votë për t’u përfaqësuar në këtë komision, si dhe gjithë përfaqësuesve të tjerë të Drejtorisë Arsimore Rajonale, sikurse ligji e thotë. Pata kënaqësinë, gjithashtu të ndiqja një prej orëve të mësimit nga konkurentët. Ishte lënda e matematikës, madje një temë speciale e sterometrisë: teorema e tre pinguleve. Ndjeva që konkurenti, pra mësuesi, pa dashur të shtojë më shumë, me aq sa pash unë, se mund të ishin edhe konkurentë të tjerë që të sillnin risi,  ishte komform gjithë atyre elementëve bazë, apo atyre teknikave të mësimdhënies që ofrojnë një interveprim dhe një të menduar kritik në një orë mësimi. Komisioni vendos për kandidatët më të mirë dhe pastaj bëhet përzgjedhja nga drejtori i shkollës. Drejtori i shkollës ishte i pranishëm , i ndoqi edhe orët, padyshim ka ndjekur dhe gjithë procedurat e tjera. Besoj se vijmë në një proçes decentralizues. Janë procese që realisht do të na largojnë nga ato metodat e vjetëruara ku fliste politika, fliste nepotizmi, po pse jo fliste edhe korrupsioni.

Ja, ky është një proces i pastër, i ndershëm, në të cilin janë aktorët më të rëndësishëm që ju dhemb shkolla, sepse janë prindërit, janë mësuesit, është drejtuesi i shkollës dhe drejtuesit e zyrës arsimore. Këtu  realisht kërkohet një bashkëpunim dhe një ndërveprim për të mirën e shkollës, për të mirën e këtyre nxënësve të mrekullueshëm. Më bëri përshtypje edhe një fakt tjetër, pasi e shoh edhe këtu në klasën e informatikës, megjithëse është shkollë profesionale, ka shumë vajza.”
 
Pasi ndoqi nga afër procesin e konkurimit, ministrja e shoqëruar nga stafi i shkollës, inspektoi disa prej klasave të ndryshme të lëndëve profesionale për të ndjekur posaçërisht procesin e mësimdhënies dhe dëgjuar nevojat, si dhe kërkesat e nxënësve e mësuesve të shkollës.