Ministry of Education and Sports

Garë transparente dhe e bazuar në meritë

Përshëndetje,

Nëpërmjet kësaj deklarate publike, dua të njoftoj përmbylljen e fazës së parë të konkursit për Drejtorë të Drejtorive Arsimore Rajonale në të gjithë vendin. 
Konstatoj me shumë kënaqësi që interesimi është i përmasave mbresëlënëse. Janë në total rreth 230 aplikantë, nga të cilët, 40 kandidatë kanë aplikuar për drejtor të DAR, Tiranë , për drejtor të Drejtorisë së Qarkut, Tiranë 30 kandidatë, për atë të Fierit, 29 kandidatë, të Elbasanit, 18 kandidatë, etj.

Konstatoj gjithashtu se kemi një shpërndarje gjinore si rrallëherë: 51% të aplikantëve janë gra dhe vajza.
Në totalin e konkurrentëve, 30% kanë një mesatare moshe nën 35 vjeç. 

Një lajm i mirë gjithashtu është fakti se, ftesës për kontribut i janë përgjigjur edhe qytetarë shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit. 
Ju garantoj se, besimi i shprehur publikisht përmes këtij interesimi të madh, do të përforcohet nga vijimësia e procedurave transparente dhe të depolitizuara të qeverisë së pas 23 Qershorit, larg korrupsionit dhe nepotizmit. 

Ne, jo vetëm distancohemi nga çfarëdo formë emërimesh klienteliste, por krijojmë një precedent të mirë në mënyrën e përzgjedhjes së drejtueseve në arsim, duke shënjuar një epokë të re të përfaqësimit në politikëbërje përmes vlerave, mbi baza meritokracie.

Nga ana tjetër, një pjesëmarrje e tillë, jo vetëm numerike, por dhe një nivel kaq dinjitoz e profesional përfaqësimi, na bën të jemi optimistë se arsimi në Shqipëri ka mundësi reale për të arritur në nivelet dhe standardet, të cilat ne kërkojmë. 

Ministria e Arsimit dhe Sportit vendosi që, konkurrimi për pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale të zhvillohej nëpërmjet një procedure publike, në të cilën, aspirantët që plotësuan kërkesat e paraqitura në rubrikën “Kërkesat e Veçanta të Kandidatit” për këtë pozicion, do t`i nënshtrohen një provimi me shkrim, i cili do të zhvillohet ditën e hënë,datë 11 Nëntor, në orën 10.00, pranë Fakultetit Ekonomik, të Universitetit të Tiranës. 

Ndërsa ditën e martë, datë 12 Nëntor, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në orën 10.00, kandidatët e përzgjedhur në këtë fazë të parë do të zhvillojnë provimin me gojë. 
Për çdo informacion drejtohuni në faqen zyrtare të MAS: www.arsimi.gov.al

Pasi Komisioni përkatës të ketë përzgjedhur kandidatët që kanë dalë më mirë në testimin me shkrim dhe me gojë, zgjedhja e fituesit ndërmjet, njërit nga tre të parët, për këtë pozicion, nuk do të bëhet më në zyrën e ministrit të Arsimit.

Njoftoj opinionin publik, se heq dorë nga zgjedhja, vetëm prej meje, ndër fituesit e përzgjedhur, prandaj do të ftoj kandidatët fitues të marrin pjesë në Finalet Publike.
Këto Finale do të organizohen përkatësisht në 12 qarqet e vendit, përballë një jurie prestigjioze profesionistësh të arsimit dhe me praninë e qytetarëve të çdo qarku, të cilët do të jenë dëshmitarë të përzgjedhjes së drejtorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale në transparencë të plotë. 

Procedura publike, garantimi i vlerësimit profesional dhe transparent, janë rrugët e vetme drejt suksesit të një sistemi arsimor cilësor dhe të pavarur politikisht. 
Ne mbetemi të vendosur për t’i shërbyer me devotshmëri publikut, por, mbi të gjitha për garantimin e së ardhmes për brezin e gjeneratës së re.
Lejomëni të falënderoj nga zemra edhe ata pjesëmarrës që, në këtë garë, nuk mundën të kalojnë në fazat e tjera, për shkak të mosplotësimit të kritereve të vendosura dhe shpallura publikisht për konkurrimin për këtë pozicion.

Mos u dekurajoni miqtë e mi. Të vazhdojmë bashkërisht të kontribuojmë për arsimin dhe përhapjen e dijes në vend.

E mbresuar edhe nga dëshira juaj, mësues të rinj, ju ftoj të bëheni pjesë e modelit dhe e rrugës sonë të patjetërsueshme drejt një arsimi dinjitoz për fëmijët dhe të rinjtë tanë. 
Kontributi juaj është më se i vlerë për mësimdhënien cilësore në shkollat tona. Dhe ju garantojmë që, për ju, do të ketë gjithmonë një vend në institucionet tona arsimore. Gara transparente dhe e bazuar në meritë, do të vijojë për pozicione të tjera drejtuese të niveleve të arsimit në çdo qark e çdo shkollë.

Le të mbushë kontributi juaj tryezat e përbashkëta të punës që do të kenë për qëllim dhënien e ideve për rrugëzgjidhje më efikase për ndërmarrjen e politikave më të mira për arsimimin e fëmijëve tanë, duke u bërë njëkohësisht të gjithë përgjegjës në vendimmarrjen e përbashkët për të ardhmen e kombit tonë në rrugëtimin drejt dijes.

Suksese të gjithë konkurrentëve në këtë garë! E mbarë rruga e vlerave dhe meritokracisë. 

Faleminderit.