Ministry of Education and Sports

Fushata e ndërgjegjësimit të votuesve për herë të parë

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Ambasadën Zvicerane dhe Komisionin Qendror i Zgjedhjeve kanë zbatuar gjatë muajve të fundit, në shkollat e mesme të vendit, programin “Fushata e ndërgjegjësimit të votuesve për herë të parë”, me qëllim informimin e rreth 140 mijë të rinjve që votojnë këtë vit për herë të parë.

Programi është finalizuar ditën e sotme në gjimnazin “Arben Broci”, në Tiranë ushtrimin e votimit, një proces simulimi i qendrës së votimit ku maturantët marrin role përkatëse si komisioner apo vëzhgues.

E pranishme në ditën e fundit të programit ishte edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla e cila tha se ky program ka trajnuar 385 mësues në të gjithë territorin e vendit të cilët kanë zhvilluar dy orë informuese mësimi mbi demokracinë, sistemet zgjedhore dhe rëndësinë e votës, me rreth 35 mijë maturantë që ndodhen në bankat e shkollave.

“Është një mundësi e vyer që shkolla t’i qaset formimeve dhe shprehive që kanë të bëjnë me votimin për herë të parë, për të pasur në Shqipëri realisht një votë të lirë, të fshehtë dhe që u shtrohet në mënyrë të përgjegjshme dhe në liri të plotë”, tha Nikolla.

Nëpërmjet ushtrimit synohet praktimimi i votuesve të rinj me procesin, por edhe informimi i tyre mbi problemet e votimit familjar apo delegimit të votës, të cilat dëmtojnë standardet zgjedhore. Nxënësit nxiten gjithashtu që të transmetojnë këto mesazhe ndërgjegjësimi edhe tek familjarët e tyre.

“Është shumë e rëndësishme që shkollën ta afrojmë me proceseve të tilla që edukojnë qytetarë të një demokracie evropiane”, tha Ministrja Nikolla.

Të pranishëm të tjerë në simulimin e qendrës së votimi ishin, Romana Vlahutin, Kreu  i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Dewi Van De Weerd, Ambasadore e Hollandës, Lefterije Lleshi, Kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ky projekt zbatohet nën kujdesin e Akademisë së Studimeve Politike, si  një program i Këshillit të Evropës.