Ministry of Education and Sports

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi së bashku me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar dhe përfaqësues të shërbimit psiko-social kanë bërë prezantimin e dokumenteve që shërbejnë për fuqizimin e këtij shërbimi.

Nisur nga problematikat e ndryshme sociale që ndikojnë negativisht në mirëqenien dhe edukimin e nxënësve, Ministria e Arsimit dhe Sportit e vlerësoi të domosdoshme përgatitjen e një pakete dokumentesh që ndihmojnë në fuqizimin, përmirësimin, standardizimin dhe monitorimin në mënyrë të unifikuar dhe të vazhdueshme të shërbimit psiko-social në institucionet arsimore.

Paketa e këtyre dokumenteve përfshin standardet e përgjithshme profesionale, parimet për etikën profesionale dhe udhëzuesin për praktikën e punës së këtij shërbimi.

Gjatë fjalës së saj ministrja Kushi u përqendrua tek pritshmëria e lartë që kanë nxënësit, prindërit dhe mësuesit tek ky shërbim i rëndësishëm. Ajo kërkoi që nga ana e të gjithë punonjësve të kushtohet kujdes dhe vëmendje maksimale në vlerësimin e çdo elementi negativ në shkollë, për të parandaluar të gjitha rastet e mundshme të dhunës, bulizmit apo fenomeneve negative që vihen re në shkollë, por jo vetëm.

Ministrja Kushi ka shprehur mirënjohje për të gjithë punonjësit e shërbimit psiko-social për punën dhe përkushtimin që tregojnë çdo ditë pranë nxënësve dhe mësuesve.

 

https://www.facebook.com/100057450729783/posts/pfbid02mqc7T1egvzeFbmvdEu8eHsCWDxE23gDYppn9C7Qmox7B8LiQ9W5wajx39eha7zaul/?d=n