Ministry of Education and Sports

Forumi Qytetar, Korçë

Arsimi ishte në fokus të “Forumit Qytetar” që u mbajt sot në Korçë, me praninë e Kryeministrit Edi Rama, ministres Lindita Nikolla, zëvendëskryeministrit Niko Peleshi dhe me pjesëmarrjen e një numri të lartë mësuesish, nxënësish, studentësh dhe qytetarësh të thjeshtë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit tha se po kapërcehet një emergjencë kombëtare në arsim dhe renditi si tre pika të rëndësishme, të ndryshuara, miradministrimin e Maturës Shtetërore, cilësinë e mësimdhënies dhe procesin e akreditimit në arsimin e lartë. “Kjo do të jetë rruga jonë. Ky është vullneti i qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit, por edhe për të mësuar një situatë të re që lidhet me cilësinë e mësimdhënies. Jemi duke kapërcyer një emergjencë kombëtare në arsim. Është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët që ia dolëm, falë një sistemi të tillë transparence, vlerësimi real dhe merite, që të shpëtojmë 1 ndër 4 nxënës shqiptarë, që nëse nuk ishin në një klasë, të paktën në një orë mësimi nga mësues, në fakt janë qytetarë, nuk janë mësues, nga qytetarë që nuk kishin lidhje me lëndën që ata jepnin” – tha ministrja Nikolla.

Për zëvendëskryeministrin Niko Peleshi reforma në arsim nuk është një reformë e shkëputur, por është pjesë e paketës së qeverisë për transformimin e Shqipërisë.

Vetë Kryeministri Edi Rama nënvizoi se ajo çka ka ndodhur këtë vit në sistemin arsimor është themelore për atë çka do të vijojë në vitet e tjera. “Unë besoj që çka ka ndodhur këtë vit ka qenë jashtëzakonisht themelore për atë që do të vazhdojë në vitin e ardhshëm dhe do të vazhdojë në vitet e tjera. Sepse jemi kthyer për të operuar sistemin e arsimit në qelizë” – u shpreh Kryeministri.

Qeveria vendosi shpërblim për mësuesit dhe nxënësit më të mirë, pasi synon të tërheqë edhe të tjerët drejt shembujve më të mirë. “Falë mësuesish dhe drejtuesish jo vetëm të zotë, por edhe të përkushtuar, kemi, për fat të mirë, shembujt që na duhen për të tërhequr edhe të tjerët pas shembujve më të mirë. Kjo ishte dhe arsyeja pse Qeveria e vlerësoi me një shpërblim të posaçëm për herë të parë mundin dhe rezultatet e më të mirëve, qoftë të mësuesve, qoftë të nxënësve. Jo thjesht për të shpërblyer financiarisht këta, por për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë të gjithëve dhe për të vënë theksin tek më të mirët”– tha Kryeministri Rama. 

Gjithashtu, Kryeministri e cilësoi domosdoshmëri nxitjen, vlerësimin dhe promovimin e më të mirëve. “Shembulli i më të mirëve për ne është absolutisht i domosdoshëm dhe nxitja, vlerësimi, promovimi i më të mirëve është absolutisht i domosdoshëm. Sepse kemi 20 vjet në një shoqëri që drejtohet duke stimuluar në vazhdimësi lëmoshën, parazitizmin, dembelizmin, paaftësinë, prapambetjen dhe duke harruar gjithmonë se në fakt në radhë të parë duhet stimuluar shembulli më i mirë. Shteti duhet të mbështesë shumë më tepër mësuesit më të mirë, duhet të mbështesë shumë më tepër studentët më të mirë, duhet të mbështesë shumë më tepër sipërmarrësit më të mirë, duhet të mbështesë shembujt që tërheqin shoqërinë. Se janë këta që prodhojnë gjërat që pastaj kemi ne përgjegjësinë ti rishpërndajmë. Në këtë aspekt ne na duhet aleanca e më të mirëve” – tha Rama.

Sa i përket cilësisë së mësimdhënies, Kryeministri vlerësoi se “Investimet në dije nuk janë thjesht muret e shkollave apo blerja e kompjuterëve dhe vendosja e tyre nëpër laborator, por fillojnë tek cilësia e mësimdhënies, tek cilësia e mësuesit. Prandaj vitin e ardhshëm ne do të bëjmë një testim kombëtar për të gjithë mësuesit që janë në sistem. Do ta fillojmë janarin, ashtu siç e kemi premtuar, me zëvendësimin e të gjithë atyre që nuk duhet të rrinë më në sistem  sepse janë pa diplomë, janë jashtë profilit dhe nuk i përgjigjen standardeve. Në vend të tyre do të futen ata që u testuan. Mësuesit që janë në sistem do të testohen dhe mësuesit që janë në sistem do të dinë ekzaktësisht se çfarë duhet të bëjnë për të qëndruar në sistem”.

Në këtë takim u ritheksua se reformat e nisura do të vijojnë me seriozitet maksimal, pasi filozofia e kësaj Qeverie është që pushtetin ta konsumojë për të bërë punët për të cilat është zgjedhur. “Pushteti duhet konsumuar për të bërë punët për të cilat je zgjedhur, jo për të bërë zgjedhjet e ndërmjetme, zgjedhjet e gabuara, me sa më pak kosto që të rrish sa më shumë në pushtet. Nuk na duhet fare ne ai pushtet, hiç! Pushet në qafë të njerëzve, duke gënjyer prindër, duke gënjyer të moshuar, duke gënjyer fëmijë  dhe duke i thënë që jemi vendi që po zhvillohet më shpejt nga të gjithë dhe që një ditë kur të hapin sytë të thonë nga ramë në këtë gropë, ne nuk na intereson. Kjo është filozofia jonë!”– theksoi Rama.