Ministry of Education and Sports

Faleminderit Ministres dhe gjithë anëtarëve të Komitetit Teknik të Ekspertëve që ju përgjigjët kërkesës sonë për organizimin e këtij takimi të nevojshëm, dedikuar mësimit online në sistemin tonë të Arsimit të Lartë. Them i nevojshëm – në gjykimin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë – mbi krijimin e mundësisë për të sqaruar situatën më të fundit dhe për t’u dhënë gjithashtu një përgjigje institucioneve tona të arsimit të lartë, universiteteve; dhe më e rëndësishmja, studentëve tanë, të cilët janë në fokusin tonë primar për t’u siguruar arsim sa më cilësor, sidomos sa më optimal tani në kushte pandemie.

Më lejoni të theksoj që në fillim, që ne kemi shumë besim tek ju, i vlerësojmë dhe i respektojmë të gjitha sugjerimet tuaja, apo vendimet tuaja, që lidhen me situatën e përgjithshme, por veçanërisht ato që lidhen me institucionet tona arsimore.

Edhe si një pedagoge që i shërben studentëve prej 24 vitesh, e kuptoj krejtësisht mire situatën, për çdo student, për çdo pedagog, çdo universitet nga pikëpamja e ndikimit në menaxhimin e tij. E po ashtu i kuptoj të gjitha vështirësitë dhe pengesat që janë krijuar për secilin prej tyre, të imponuara pa vullnetin e askujt, por nga një “armik i padukshëm” që ka sfiduar çdo cep të globit, çdo sferë të jetës dhe hallke të shoqërisë, prej gati një viti.

Jo më larg se para 3 ditësh, pranë ambienteve të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, zhvilluam një takim me rektorët e universiteteve publike në vend për të diskutuar rreth ecurisë së deritanishme të vitit akademik, mësimit “online”,  nevojat e shfaqura dhe problematikat e përgjithshme që janë shqetësim i të gjithëve për shkak të efekteve të drejtpërdrejta që ka sjellë kjo kohë e paprecedentë.

Bashkohem plotësisht me çdo mendim, opinion, rrethanë e shqetësim të tyrin, sikurse do të dëshiroja të kemi edhe mirëkuptimin e tyre dhe çdo institucioni të arsimit të lartë ndaj çdo vendimi që rrjedh si rezultat i rekomandimeve të qenësishme, analitike e shkencore pikërisht nga ekspertiza me vlerë e Komitetit të Ekspertëve.

E po ashtu, këtë mirëkuptim dhe solidaritet në një kohë aspak të lehtë, ku vëmendja maksimale dhe parësore e qeverisë shqiptare është mbrojtja e shëndetit e qytetarëve shqiptarë – sikurse në çdo vend te globit – e kërkoj me shumë përulësi edhe nga ana e çdo studenti që kërkon rikthimin në auditorë.

Gjate këtyre ditëve kam pasur pa fund mesazhe, kërkesa, ankesa në lidhje me hapjen e auditorëve. I mirëkuptoj që të gjitha, sepse e njoh shume mire rëndësinë e të qenurit në auditor, e kuptoj shumë mirë marrëdhënien pedagog-student, dhe padyshim vlerësoj shumë mirë edhe sfidat që krijon zhvillimi i mësimit “online”.

Prandaj, duke qenë në mënyre të pandalshme pranë zërit të studentëve e pedagogëve, dhe njëkohësisht autoriteti institucional si pikë referimi për universitetet për rritjen dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit të lart, e ndjeva të nevojshme të përcjell pranë këtij komiteti anëtarësh fort të nderuar edhe shqetësimin e krijuar kohët e fundit për pamundësinë e hapjes së auditorëve nëpër universitete.

Ashtu siç e kam deklaruar edhe me përpara, ministria që drejtoj ndjek shumë nga afër edhe praktikat më të mira të ndërmarra në vendet më të zhvilluara të botës. Situata nuk ndryshon nga këtu. Dominon zhvillimi i mësimit “online” dhe respektohen vendimet që pasojnë rekomandimet e autoriteteve eksperte që vlerësojnë rigorozisht dinamikën e pandemisë.

Edhe në vendin tonë, si MASR, jemi plotësisht të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është pesha rekomanduese dhe ekspertiza e Komitetit të Ekspertëve. Prandaj, me shumë mirënjohje për punen tuaj të palodhur dhe sakrificat që po bëni pa u ndalur që nga dita e parë e pandemisë, do të dëshiroja që ky Komitet i nderuar të ndante me ne vlerësimet më të fundit dhe opinionet e tij rreth çështjes së mësimit “online” nëpër universitete.

Ju faleminderit të gjithëve për kohën e konsideratën!

 

https://www.facebook.com/103464624802314/posts/198565485292227/?d=n