Ministry of Education and Sports

Fjala e ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla në prezantimin e raportit të inspektimit të burimeve njerëzore në sistemin e arsimit parauniversitar

Përshëndetje!

Sot po vijojmë me raportin publik për cilësinë e burimeve njerëzore në arsimin parauniversitar. Kjo është një praktikë pune që do ta kthejmë në një standard të ri transparence dhe llogaridhënie.

Për ne kryefjala ka qenë dhe vazhdon të mbetet përmirësimi i shërbimit për 532 mijë përfituesit e drejtpërdrejtë në sistemin e arsimit shqiptar dhe ngritjen e një sistemi solid për të tjerë që vijnë.

Ndaj, ne u angazhuam dhe realizuam inspektimin e plotë të cilësisë së burimeve njerëzore në shkollat tona, sepse asnjë reformë nuk është e mundur pa mësues që ofrojnë cilësi. Jo rrallë shifrat në arsim janë përdorur për keqinformim të opinionit publik për merita të pamerituara apo kritika po aq të pamerituara.

Unë, sot jam Ministre e Arsimit. Pa dyshim një detyrë e rëndësishme. Por nuk mund të harrojë kurrë atë që do jem sa të kem frymë, një mësuese matematike, një nënë, një qytetare e vendit tim.

Ndaj, të dashur prindër, të dashur mësues, si nënë nuk do të lejoja asnjë që me taksat e mia të deformonte formimin e vajzës sime. Si mësuese nuk do të doja askënd që të denigronte figurën apo të shpërfillte misionin fisnik duke keq menaxhuar burimet njerëzore dhe duke e bërë profesionin e mësuesit thjesht një mjet punësimi për këdo.

Si qytetare kurrsesi nuk do të heshtja, por do të ngrija zërin për investimin më të madh që shoqëria duhet të bëj në kapitalin njerëzor.

Ndaj për të gjithë këto arsye unë jam sot, para jush si Ministre e Arsimit dhe Sportit, si anëtare e kabinetit për të raportuar për punën dhe të vërtetat e punës sonë, duke siguruar çdo nxënës, çdo prind dhe çdo mësues se së bashku do ia dalim të çojmë në çdo klasë, në çdo shkollë përpara fëmijëve tanë mësuesit që ata meritojnë.

Sepse çdo fëmijë i Shqipërisë edhe ai në fshatin më të thellë të vendit, është arsyeja e fortë e zemrës, jo vetëm për të thënë të vërtetën, por për të punuar me mish dhe me shpirt për të ndryshuar situatën.

Nihilistëve dhe kujtdo tjetër që ka hobin të kundërshtojë çdo nismë në MAS, sot ju them se nuk na intereson fare të tregojmë se e kujt është përgjegjësia, sepse nuk e matim punën tonë me sa keq e gjetëm sistemin, por çfarë po bëjmë për të ndryshuar një orë e më parë situatën. Ndaj dhe kemi zgjedhur një rrugë tjetër, jo duke u fshehur pas shifrave të mesatarizuara, jo duke folur në përgjithësi, apo ca më keq duke mbyllur sytë e propaganduar për kinse reforma.

Jo, rruga jonë është rruga e përgjegjësisë duke drejtuar së pari gishtin nga vetja dhe duke dhënë llogari, duke realizuar reforma të thella e të plota dhe duke marrë përsipër edhe dhimbjen e pashmangshme.

Ndaj, ndryshe nga çdo herë ne nuk u mjaftuam me inspektime rutinë. Nuk kemi bërë asnjëherë të tilla inspektime, – na thoshin inspektorë e punonjës të vjetër në MAS.

E vërteta e sotme është e vërteta e çdo shkolle të Shqipërisë, e çdo klasa edhe në fshatin më të thellë, është e vërteta e çdo ore mësimi të fëmijëve tanë.

E nisëm inspektimin pas një raportimi që bënë drejtuesit e DAR/ZA-ve. Më pas përcaktuam 13 inspektorë të MAS-it, të cilët kaluan një për një çdo shkollë të Shqipërisë, duke mundësuar 11 ditë të pandërprera inspektimi që përfshinë edhe llogaridhënien sy më sy të 1726 drejtorëve, 1340 shkollave 9-vjeçare dhe 386 shkolla të mesme në të gjithë Shqipërinë.

Procesi i monitorimi ishte zbatimi i akteve nënligjore të MAS-it për arsimin parauniversitar dhe kishte për qëllim identifikimin e problematikave ekzistuese  në raport me cilësinë e burimeve njerëzore në arsimin parauniversitar në Shqipëri, si dhe padyshim marrjen e masave të nevojshme për përmirësimin e situatës.

Nëse si ngaherë do kishim vijuar me raportime standarde pas formularëve tip, sot ende do të ishin në këmbë piramidat e shitjes së diplomave.

Nisma jonë “Mësues për Shqipërinë” nuk nënkupton kurrsesi zëvendësimin e disa mësuesve me disa të tjerë.

Kush e njeh dhe i dhemb arsimi e kupton këtë gjë. Mjafton të shoh Udhëzimin nr. 44 për të përmirësuar situatën e cila kërkon të çojë në profil mësuesin e profilit.

Kush nuk e njeh, por i dhemb arsimi, jemi të gatshëm që të japim llogari për gjithçka që raportojmë dhe bëjmë, si dhe të shikojnë të gjitha dokumentet që kanë dosjet e DAR/ZA.

Kush e njeh dhe nuk i dhemb arsimi do ta lëmë të qetë në zakonin e tij dhe do punojmë fort që secili fëmijë, nip e mbesë e tij të preknin ndryshimet përmes punës sonë dhe të kenë mësuesin dhe shkollën që ata dhe të gjithë fëmijët e Shqipërisë meritojnë.

Faleminderit!