Ministry of Education and Sports

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla në aktivitetin “HORIZON 2020”

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla në aktivitetin “HORIZON 2020”:

 

Të nderuar Zotërinj, Zëvendëskryeministra,
E nderuara Ministre Vlahovic,
Të nderuar kolegë ministra,
I Nderuar Drejtor i Përgjithshëm Z. Smits,
Të nderuar akademikë dhe ekspertë,
Zonja dhe zotërinj,

Së pari dëshiroj t’ju falënderoj për organizimin e kësaj konference rajonale me qëllim lancimin e programit evropian “Horizon 2020”.
Konferenca e sotme është e rëndësishme jo thjesht për të ardhmen e kërkimit, teknologjisë dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor, por edhe të shpejtimit të integrimit të vendeve tona në BE.
Programi i ri qeverisës ka përcaktuar si prioritet krijimin e mundësive të reja për angazhimin e kërkuesve shkencorë shqiptarë, në kuadrin e rritjes së bashkëpunimit efektiv të institucioneve arsimore e shkencore me organizatat ndërkombëtare që financojnë programe të tilla.

Ne e konsiderojmë progresin shkencor si paraprijës të zhvillimit shoqëror, ekonomik, e kulturor, si një faktor të konsolidimit demokratik dhe si një pjesë themelore e imazhit të Shqipërisë evropiane, dhe pikërisht programi evropian “Horizon 2020” ofron mundësi të shumta për financimin e projekteve kërkimore, duke prekur të gjitha fushat sociale dhe shkencore.

Ministria e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, ka shprehur interesin në Drejtorinë e Përgjithshme të Kërkimit dhe Inovacionit të Komisionit Europian për të marrë pjesë si vend i asociuar në programin e ri në kuadër të BE për “Kërkimin, Inovacionin dhe Shkencën “Horizon 2020”. Aktualisht MAS është në fazën e diskutimeve me Drejtorinë e Përgjithshme të Kërkimit dhe Inovacionit të Komisionit Europian për projektmemorandum për përcaktimin e kushteve, detyrimeve dhe përfitimeve të pjesëmarrjes së Shqipërisë në programin e ardhshëm komunitar.

Gjithashtu, Agjensia Kombëtare e Teknologjisë dhe Inovacionit ka ndërrmarrë nisma për promovimin e Programit të Komisionit Europian  “Horizon 2020” me anë të “Ditëve informative” dhe trajnimeve te organizuara në universitetet shqiptare.

Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe pjesëmarrja në projektet komunitare në fushën e arsimit të lartë  do të bëjë të mundur zbatimin e shpejtë të reformave të reja në këtë sektor duke mundësuar  përfshirjen e arsimit të lartë shqiptar në hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe integrimin në Bashkimin Europian. 

Programet komunitare të financuara nga Bashkimi Europian, ku Shqipëria ka marrë pjesë deri tani, FP7, TEMPUS dhe ERASMUS MUNDUS, kanë qenë dhe mbeten disa nga instrumentet më të rëndësishëm për modernizimin e arsimit tonë të lartë dhe përafrimin e tij me standardet evropiane. Po kështu programet dypalëshe të bashkëpunimit shkencor dhe teknologjik me vendet e tjera kanë qenë shumë të 

frytshme në bashkëpunim me grupet e kërkimit, duke mundësuar njohjen e partnerëve të ndryshëm dhe krijimin e rrjeteve kërkimore shumëpalëshe, të domosdoshëm për të marrë pjesë në programet e sipërpërmendura. Këto projekte kanë ndikuar në intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh midis institucioneve tona të arsimit të lartë  dhe atyre evropiane e rajonale. 

Falë këtyre projekteve, universitetet shqiptare, grupet kërkimore ndërdisiplinore, institucionet dhe qendrat kërkimore kanë mundur ndër të tjera të kryejnë shkëmbime dhe trajnime të stafeve akademike dhe administrative, mobilitete kërkuesish të rinj dhe studentësh, të krijojnë programe të përbashkëta (master, doktoraturë), të pasurojnë dhe krijojnë laboratorë të rinj. Roli i programeve  komunitare ka qenë plotësisht i prekshëm në modernizimin e infrastrukuturës së universiteteve bashkëpunuese. 

Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë përpara për të arritur një nga objektivat që Strategjia e Bashkimit Europian , “Europe 2020”, ka vendosur lidhur me mobilitetin e studentëve. Në hapësirën evropiane:. 20 % e studentëve duhet të kenë kryer të paktën një mobilitet deri në 2020.

Kjo është një sfidë. Është sfida e universiteteve tona, e stafeve akademike dhe studenteve shqiptare që  të përfitojnë maksimalisht nga programet e “Horizon 2020” . 
Qeveria jonë do të mbështetë çdo nismë që favorizon ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, për nxitjen e shkëmbimeve për studentët, kërkuesve të rinj dhe stafeve tona akademike. Në këtë program është përcaktuar qartazi se do të do të ofrohet mbështetje maksimale për bashkëpunimin mes kërkuesve shkencorë vendas dhe atyre të huaj. Ministria e Arsimit dhe Sportit  do të jetë e angazhuar të mbështesë institucionalisht çdo iniciativë bashkëpunimi dhe projekt kërkimor të përbashkët që do të ndërmerren në zbatim të këtyre objektivave. 

 

Faleminderit dhe suksese bashkëpunimeve shumëpalëshe që na presin!