Ministry of Education and Sports

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në konferencën  “Innovation in Albania / Challenges & Opportunities”

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Është kënaqësi të marr pjesë në konferencën e parë që organizohet në Shqipëri në kuadër të projektit “Pacinno” në fushën e Inovacionit. 

Angazhimi i institucioneve akademike në projekte kërkimore është shumë i rëndësishëm për ndërtimin e kapaciteteve institucionale, për krijimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve me institucione akademike në nivel rajoni dhe më gjerë, si dhe për nxitjen e universiteteve për t’u aktivizuar në më shumë projekte të financuar nga programe të Bashkimit Evropian.

Projekti “Pacinno” është një projekt ambicioz dhe për nga fusha që mbulon merr një rëndësi edhe më të madhe.

Ky projekt synon krijimin e një platforme bashkëpunimi në kërkim dhe inovacion që mbulon të gjithë rajonin e Adriatikut, duke ndikuar në krijimin e një ekosistemi të ri të transferimit teknologjik dhe inovacionit.

Bashkëpunimi i institucioneve kërkimore, i politikëbërësve dhe i bizneseve, në mënyrë që të zhvillohen ura të reja bashkëpunimi mes sipërmarrjes së lirë dhe veprimtarisë shkencore të institucioneve akademike me referencë të veçantë për nevojat teknologjike të SME-ve është një domosdoshmëri.

Institucionet e Arsimit të Lartë kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kurrikulave të duhura në mbështetjen dhe inkurajimin e të rinjve për t’u bërë pjesë e iniciativave sipërmarrëse dhe që nxisin inovacionin.

Gjithashtu, i gjithë sistemi arsimor duhet të fokusohet tek arsimimi si aftësim drejt punësimit si dhe tek  krijimi i mundësive me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Për këtë arsye, ndërhyrjet në sistemin parauniversitar si dhe gjithë reforma e arsimit të lartë është një hap i domosdoshëm për të mundësuar aftësimin e të rinjve më atë që i pret nesër në tregun e punës.

Reforma e arsimit të lartë do të mundësojë jo vetëm krijimin e hapësirave të nevojshme, por gjithashtu do të nxis universitetet që të jenë në vijën e parë të stimulimit të politikbërjes drejt fushave me rëndësi prioritare në zhvillimin e vendit.

Kjo konferencë ka mundësi që të japë një vështrim të përgjithshëm mbi gjendjen e inovacionit në Shqipëri, përdorimit të teknologjisë nga bizneset, mundësisë së shfrytëzimit të potencialeve si dhe mbështetjen që mund të japin Universiteti i Tiranës dhe projekti “Pacinno”.

Nxjerrja në pah e problematikave dhe sfidave me të cilat  përballet vendi ynë në këtë fushë dhe hapat konkretë që po ndërmerren nga institucionet përkatëse janë elementë të rëndësishëm të përmirësimit që mund të bëhet në fushën e Inovacionit.  Më vjen mirë që me këtë projekt Universiteti i Tiranës do të mund të asistojë dhe trajnojë nëpërmjet aktiviteteve që do të organizohen nga grupe të ndryshme interesi si: kërkues, biznese, start-up të rinj etj .

Pra, është e qartë se universiteti, që ne duam, duhet dhe do të jetë epiqendra e zhvillimit ekonomik të vendit, jo vetëm si protagonist në edukimin e brezave nëpërmjet aftësimit, por dhe si epiqendra e inovacionit dhe kërkimit shkencor me impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik e strategjik të vendit.

Lejomëni ta mbyll me një falënderim për të gjithë partnerët të pranishëm sot e që përfaqësojnë të gjitha vendet e rajonit të Adriatikut dhe të shpreh mbështetjen e plotë të qeverisë dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të mundësuar vijueshmërinë e bashkëpunimeve sa më të ngushta në rajon, pasi sfidat me të cilat do të përballemi i tejkalojnë kufijtë e vendeve tona, duke gjetur zgjidhje në një kontekst gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues në rajon.

 

Suksese dhe punë të mbarë!