Ministry of Education and Sports

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit (2014-2016) me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF)

I nderuar z. Granoff,

Të dashur pjesëmarrës,

Lejomëni t’ju shpreh mirënjohjen për gjithçka ju keni bërë dhe vazhdoni të bëni në ndihmë të arsimit shqiptar.

Përvoja e bashkëpunimit me “Junior Achievement” dhe programi specifik që u ofrua në shkollat e mesme ishte një ndër programet më të suksesshme që ka lënë gjurmë jo vetëm në jetën e disa shkollave të mesme, por ka shënjuar risi dhe standarde suksesi në formimin e shprehive të reja për ata nxënës që u bënë pjesë duke orientuar shprehitë që shkolla ofron në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

Unë jam e lumtur, sepse feedback-u që kemi marrë nga shkollat e mesme të përfshira në Programin e Projektit “Junior Achievement” ka qenë jo vetëm i suksesshëm, por ka sjellë edhe risi që janë kthyer në standarde. Standarde që ne duam t’i zhvillojmë edhe në të ardhmen, duke i bërë pjesë jo vetëm në arsimin e mesëm, por edhe në ata bazë duke filluar investimin në arsim, sipas prioritetit tonë, që në moshë të hershme.

Ndaj, kemi bashkëpunuar me këtë program për të mundësuar një kurrikul të re që e integron konceptin që ngjizi “Junior Achievement,’  në një program të unifikuar nga mosha 3 deri 18 vjeçare.

Një kurrikul e orientuar nga kompetencat, nga aftësitë për të mundësuar jo për disa, por për të gjithë nxënësit shprehi dhe qëndrime që sot i kërkon tregu i punës dhe zhvillimi i vendit.

Arsimin për ne është një ndër politikat më të mira të zhvillimit të vendit, ndaj dhe investimi në moshë të hershme i shërben gjithë sistemit arsimor që të jetë në përputhje me këtë zhvillim.

Sepse shoqëria evropiane nuk është vetëm një ëndërr,  ajo ndërtohet çdo ditë duke filluar nga klasa, shkolla, komuniteti. Ndaj dhe “Shkolla si qendra komunitare” është projekti ynë i madh për t’i kthyer shkollat në pika të rëndësishme për nxënësit, prindërit, komunitetin nga ku duhet të fillojnë dhe të edukohen vlerat demokratike.

Falënderoj Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim që ka mundësuar një standard të ri për arsimin shqiptar që ne na shërben për të ndërtuar argumentet për kurrikulën e re, bazuar te kompetencat.  Është pikërisht ky program që na bën të themi, po, ne mund të arrijmë sukses përmes kurrikulës së re dhe të tregojmë që është e mundur ta fusim arsimin shqiptar në rrugën  e formimit të kompetencave.

Ne do t’i përgjigjemi hap pas hapi këtij bashkëpunimi me rezultate dhe suksese të reja në arsimin shqiptar dhe te çdo i ri që është përfshirë në të.

Suksese këtij bashkëpunimi!