Ministry of Education and Sports

Fjala e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Drejtësisë

I nderuar Rektor,

Të nderuar profesorë,

Të nderuar diplomantë e prindër,

Të dashur studentë

Sot, është një mbrëmje e veçantë dedikuar 1300 të diplomuarve sot, në programet Bachelor dhe Master të këtij fakulteti.

Spikasin mes jush edhe ekselenca, 50 studentë, më të mirët e Fakultetit tuaj, që përfaqësojnë dhe ekselencën e Universitetit të Tiranës. Nga këta, 22 studentë do të marrin certifikatën “Medalje Ari” dhe 28 studentëve  do t’u jepet certifikata “Studentë i Shkëlqyer”.

Si pjesë e Fakultetit të Drejtësisë, duke u formuar si profesionistë të sistemit të drejtësisë, por edhe si qytetarë, besoj, të gjithë ju, të interesuar siç jeni për të drejtën dhe ligjin, jeni po aq të interesuar dhe për aspektet e jetësimit të së drejtës në përditshmërinë tonë.

Reforma në sistemin e drejtësisë, shkolla e magjistraturës, janë besoj, çështjet më thelbësore te debatit publik mbi drejtësinë, të cilave sot u shtohen 1300 energji të reja për t’i bërë ato sipas standardeve evropiane.

Por, lejomëni t’iu them se, sot çështja më jetike për ne si shoqëri e si shtet demokratik është vendosja e shtetit të së drejtës, nëpërmjet vendosjes dhe jetësimit të parimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në jetën publike dhe administrative të vendit.

Ligji vë rregullat e lojës duke krijuar mundësitë dhe hapësirat e bashkëjetesës në shoqëri. Ndaj detyra jonë si qytetarë, si administratorë, si institucione qeverisëse, është t’i mbrojmë këto hapësira jetike për shoqëritë demokratike dhe për vetë demokracinë, duke mbrojtur ligjin, duke kërkuar respektimin e tij.

Kjo duhet të jetë detyra juaj nesër dhe përgjithmonë! Për të gjithë ju që mbyllni sot këtë kapitull e mëtoni të hidhni hapat e para drejt profesionit dhe tregut të punës, nuk duhet ta harroni këtë detyrë.

Profesorët e nderuar të Fakultetit të Drejtësisë, padyshim janë pjesë e rëndësishme në hartimin e politikave që do të shënjojnë reformën në drejtësi.

Nuk ka të ardhme pa një bashkëjetesë të themeluar mbi respektin ndaj ligjit, ndaj Kushtetutës.

Askush nuk mund ta përçudnojë ligjin duke e përdorur si armë kundra arsyes të së vërtetës, aty asnjë moral nuk i mbetet më jo vetëm juristit, avokatit, gjykatësit apo dhe profesorit të së drejtës, por asnjë grimcë moral nuk i mbetet njeriut.

Gjithashtu, dua të theksoj se ne qëndrojmë me bindje për një arsim cilësor! Ne qëndrojmë për një shkollë cilësore, për një universitet cilësor. Nuk mund të ketë cilësi aty ku nuk ka ligjshmëri.

Kjo është arsyeja pse ne vendosëm t’u thoshim jo diplomave plaçkë, universiteteve kioskë, shkollave ku nota merrej pa merita, maturës që i mbushte auditorët me të rinj të paaftësuar për t’u përballur me sfidat e dijes dhe të njohurive, të cilat falë zhvillimeve teknologjike, ecin e përparojnë me ritme të përshpejtuara.

E qartë si drita, e përtej çdo polemike, universiteti që ne duam është një universitet si qendër prej së cilës marrin jetë të gjitha zhvillimet që prekin jetën ekonomike dhe sociale të vendit.

Një universitet me pavarësi reale, që ndërvepron me biznesin, me sipërmarrjen, me komunitetin, që e vë dijen dhe shkencën në shërbim të tij, ky është universiteti që qëndron në thelb të reformës së arsimit të lartë.

Të dashur të diplomuar, prindër e profesorë! Universiteti është vendi ku ndërtojmë të nesërmen, ndaj institucionet e arsimit të lartë duhet të angazhohen në vijë të parë në ndërtimin e rrugëve të integrimit dhe zhvillimit të vendit.

Si Ministre e Arsimit dhe Sportit, shpreh angazhimin e institucionit që unë drejtoj për t’ju mbështetur pa asnjë kusht tjetër përveçse kërkesës për cilësi në këtë sfidë të madhe për ju e për shoqërinë tonë.

Duke ju përshëndetur për ftesën,

Ju uroj suksese të mëtejshme!

Suksese juristëve të sapo diplomuar,

Suksese studentëve që vijojnë në rrugën akademike,

Suksese profesorëve në misionin e tyre fisnik!