Ministry of Education and Sports

Fjala e ministres Nikolla në Ceremoninë e Diplomimit të studentëve të Fakultetit të Ekonomisë, UT

I nderuar zoti Guvernator, i nderuar zoti kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i nderuar zoti Jaka, i dashur profesor Kule, të dashur studentë, të dashur prindër, të nderuar pedagoge e pedagogë, të nderuar profesorë, rektor, dekan, deputetë që jeni sot të pranishëm në këtë ceremoni,

Më lejoni modestisht të ndaj së bashku me ju disa momente të rëndësishme për të thënë, sepse Fakulteti i Ekonomisë vazhdon mbetet fakultet cilësor, duke dhënë vetëm disa prej shifrave të këtij viti, pranimet në këtë fakultet. Në vitin akademik 2017-2018 Fakulteti i Ekonomisë në degën Administrim Biznes ia ka dalë të renditet i pari ndër kërkesat e maturantëve. Për këtë program studimi raporti ka qenë 18 kërkesa për një kuotë, po ashtu Financa dhe Administrim Biznesi, nota mesatare e studentëve të pranuar është 9.24, mesatare kjo që tregon për rëndësinë që ka pajisja me një diplomë nga Fakulteti i Ekonomisë i të rinjve dhe të rejave tona. Po ashtu, 100 studentët në degën Informatikë Ekonomike kanë notë mesatare që varion nga 9.5 deri në 10.

Këto janë disa tregues të rëndësishëm për interesin e maturantëve të shkëlqyer të Shqipërisë, për Fakultetin e Ekonomisë, por më lejoni që po modestisht t’ju them të nderuar prindër, studentë e po ashtu të nderuar profesorë e profesore të Universitetit të Tiranës të Fakultetit të Ekonomisë por edhe të ftuar që janë sot këtu, t’ju them që është edhe një tregues i rëndësishëm i rezultateve që po jep reforma në Arsimin e Lartë. Procesi i pranimeve në Universitet sivjet përkundër gjithçkaje që ndodhi një vit më parë, tregoi sesa serioz, sa i rëndësishëm dhe sa me kohën dhe sa i nevojshëm ishte adaptimi dhe zbatimi që në hyrje të pranimeve në Universitet duke mundësuar një cilësi të re dhe, me lejoni të them para jush që kemi një rritje të cilësisë së pranimeve, jo vetëm në Universitetin e Tiranës por në të gjitha Universitetet e Shqipërisë.

Profesor Kule, siç ai di në fakt gjithmonë të bëjë, la shumë detyra këtu, la detyra shtëpie edhe për qeverinë edhe për ministren e arsimit, dhe unë do doja që në këtë ceremoni dhe në një ditë të bukur në fakt për të gjithë studentët e diplomuar, të thoja që “po” jam e gatshme për të zhvilluar të gjitha përgjegjësitë, për gjithçka që ne duhet të bëjmë për të mundësuar një histori suksesi për të gjitha të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë, diplomat të përshtatura me tregun e punës por edhe Universitete tashmë të akredituara ndërkombëtarisht dinjitoze në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.

Ne do të bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë, por modestisht, përulësisht bëni edhe ju detyrat e shtëpisë. Këto vendet që janë bosh sot këtu, të autoriteteve të rëndësishme të Universitetit të Tiranës, përpara se të bëjmë bashkimin e madh të universiteteve le të bëjmë këtë bashkimin e vogël të përgjegjësive për të vijuar më shumë, më fortë me treguesit e arritjes, me përgjegjësinë e zhvilluar. Ka një autonomi e zgjeruar që arsimi i lartë iu ka dhënë, që ligji i ri për arsimin e lartë iu ka dhënë të gjitha institucioneve tona të arsimit të lartë.

Për sa i takon Ministrisë së Arsimit, ministres së arsimit, do të jemi krah jush, një krah i fortë në respektin më maksimal, për të qenë jo vetëm të baraslarguar por në respektin më maksimal për të mundësuar kushte normale të punës, funksionimin me standardet më të larta te lirisë akademike dhe autonomisë universitare.

Ndaj, edhe njëherë lejomëni të përgëzoj së pari gjithë këta studentë të nderuar që do t’i shtohen cilësisht tregut tonë të punës, që do t’i shtohen cilësisht si qytetarë të një Shqipërie që aspiron në Evropë, por pa dyshim lejomëni edhe njëherë t’ju them ‘një faleminderit’ të madhe prindërve, atyre që sot iu rreh zemra fort, janë njerëzit më krenarë për bijtë dhe bijat e tyre, por besoj që për të gjithë ne që sot jemi këtu në këtë skenë, meritojnë jo vetëm mirënjohjen por përuljen e thellë për gjithçka që ata bëjnë, që kapërcejnë çdo vështirësi për të mundësuar për fëmijët e tyre një edukim cilësor. Faleminderit!

Unë do doja vetëm dy momente të veçanta të ndaja për t’iu thënë të rinjve të sapo diplomuar, që ne do të punojmë së bashku me profesorët e nderuar të Universitetit të Tiranës, por edhe gjithë Universiteteve shqiptare, për të mundësuar modernizimin e kurrikulave universitare, për t’i qasur ato gjithmonë e më shumë me nevojat e tregut të punës, në mënyrë që historia juaj e suksesit në Universitet, të jetë një histori e suksesit me integrimin tuaj në tregun e punës dhe e suksesit në tërësi e shoqërisë shqiptare, kur gjithnjë e më shumë të rinj e të reja të talentuar i bën pjesë të zhvillimit dhe progresit të vendit.

Fakulteti i Ekonomisë ka dhe një arsye tjetër sepse unë kam një krah të fortë bashkëpunimi zv.ministrin e Arsimit Sportit dhe Rinisë prof. Ervin Demon i cili vjen nga ky fakultet, vjen me një eksperiencë të vyer në mësimdhënie por edhe në drejtimin e Universitetit të Tiranës, kështu që besoj është një arsye e fortë që ne të jemi edhe më të bashkuar për të bërë gjëra që duhet të ndodhin në institucionet tona të arsimit të lartë, duke u larguar nga ato historitë e trishta të së shkuarës, por duke parë përpara në atë që janë sot standardet më të mira të arsimit të lartë në Evropë ku ne duam të integrohemi.

Suksese edhe njëherë, me gjithë zemër ju përqafoj dhe ju uroj më të mirën. Faleminderit prindërve tuaj, faleminderit dhe mirënjohje të gjithë pedagogëve tuaj për gjithçka që kanë mundur, shpesh edhe jo me mbështetjen e duhur që meritojnë nga qeveria dhe shoqëria, por ia kanë dalë falë vullnetit, pasionit dhe energjive tuaja të thonë gjithçka ata mundin. Urime dhe suksese!