Ministry of Education and Sports

Fjala e Ministres Lindita Nikolla në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me agjencinë britanike të akreditimit, QAA.

I nderuar Z. Kryeministër

I nderuar Z. Zëvendëskryeministër

I nderuar Z. Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar

I nderuar Z. Jackson, Shef ekzekutiv i QAA

Të nderuar deputetë, 

 

Lejomëni të ndaj me ju një lumturi të posaçme, në këtë ditë që shënon një pikë kulmore të punës sonë në reformën e arsimit të lartë. Nënshkrimi i marrëveshjes me Quality Assurance Agency (QAA) është një lajm i mirë për prindërit, studentët e pedagogët, sepse do të thotë verifikim i kritereve të cilësisë sipas standardeve evropiane të arsimit të lartë.

Është një pikë kulmore jo vetëm se pas 24 vitesh po realizohet për herë të parë një proces i tillë, por edhe sepse shënon një etapë të rëndësishme të punës  së qeverise sonë në sektorin e arsimit të lartë, falë edhe bashkëpunimit me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe unë dëshiroj të falënderoj në mënyrë të posaçme Ambasadorin Nicholas Cannon. 

Në respekt të kësaj audiencë të veçantë, lejomëni t’i jap një përgjigje paraprake, çdokujt që e ka merak, sa herë që ne themi se është për herë të parë, një reformë e caktuar që ndodh në vend dhe që ndoshta do nxitojnë fill pas këtij takimi të na tregojnë se ka pasur edhe një herë tjetër. Nëse herë tjetër, do të thotë mbështetje nga partnerët tanë të rëndësishëm apo nga ekspertë të huaj. Po. Ka pasur dhe ka mirënjohje për të gjithë ata që kanë ndihmuar për reformat në arsim. 

Por, asnjëherë nuk ka pasur vullnet dhe vendosmëri për të realizuar operacione të thella, të plota, të vështira , sepse në të kundërt si u lanë në këmbë 18-të IAL-të private, që ishin pastërtish piramida dhe që jo vetëm nuk respektonin cilësinë që ne kërkojmë në arsimin e lartë, por nuk plotësonin as kriteret më minimale të ligjit. Por, nuk janë vetëm ato IAL, por edhe filiale e programe tek universitetet publike të cilët nuk kishin asnjë lidhje me cilësinë. Ndaj vendosmëria dhe vullneti ynë është i qartë për të mos u ‘shitur’ të rinjve një ëndërr për një diplome të pavlerë.

Ndaj, i nderuar Z. Ambasador, të nderuar rektorë, akademikë, ekspertë të agjencisë britanike lejomëni të ndaj sot, qartazi dhe publikisht vullnetin dhe vendosmërinë tonë, se kemi nevojë për ekspertizën tuaj në arsimin e lartë, publik e privat. Dhe kjo nevojë jo për të thënë se ishim ne që nënshkruam një marrëveshje me agjencinë e mirënjohur britanike, por, për të bërë transparente vlerësimin tuaj. 

Të vendosur për të zbatuar çdo rekomandim tuajin, të vendosur për të mbështetur IAL-të në rrugën e cilësisë si dhe për të mbyllur të tjera institucione apo programe që nuk ofrojnë cilësinë, nëse ky do të jetë vlerësimi juaj profesional. 
Arritja e kësaj marrëveshje është një lajm i mirë, sepse në rrugëtimin tonë të dialogut me partnerë të rëndësishëm një agjenci e tillë e vlerësuar e nga më të mirënjohurat i bashkohet reformës në arsimin e lartë.  

Lejomëni të ndaj me ju se gjatë këtij viti Qeveria shqiptare dhe MAS ka ecur në rrugën e zhvillimit të përgjegjësive. Nëse do më pyesni se cila është arritja jonë më e madhe do të thoja se arritja jonë më e madhe është ky auditor i nderuar, të cilin ne kemi vendosur ta dëgjojmë, të komunikojmë dhe ta bëjmë pjesë të çdo vendimmarrje politike. 

Falë këtij komunikimi të ri në nivele të reja ne ia dolëm dhe publiku e pedagogët mund të vlerësojmë se IAL-të, private e publike janë më të mira se ato të një viti më parë, sepse i janë kthyer rrugës së ligjit.  Gjithashtu, studentët e pranuar në vitin e parë në institucionet publike të arsimit të lartë janë më të mirë cilësisht fal miradministrimit të Maturës Shtetërore.

Por, ne kemi këtu edhe një Komision të nderuar që drejtohet nga Z. Arjan Gjonçaj që si rrallë herë realizoi një proces gjithëpërfshirës e transparent, duke finalizuar një raport përfundimtar për qeverinë se si do jetë arsimi i lartë.

Kemi fatin të kemi një Këshill të ri Akreditimi, që drejtohet nga Z.Gjonçaj dhe që është një këshill ekspertësh të baraslarguar nga çdo konflikt interesi, që padyshim do të jenë një garanci dhe mbështetje e duhur për punën e tyre profesionale. 

Lejomëni të ndaj me ju dy momente të rëndësishme!

Së pari mjafton të shihni sot numrin e studentëve të transferuarve nga IAL-të që iu hoq licenca në IAL-të e tjera publike e private. Nga rreth 11.000 studentë, sot vetëm 2.800 kanë vijuar studimet. Mjafton vetëm ky tregues për të kuptuar se sa i nevojshëm ishte operacioni që ne ndërmorëm.

Një moment tjetër për të cilin ne po kritikohemi këto ditë është mbyllja e Filialit të Peshkopisë. 

  • Në këtë filial degë si Infermieria dhe Informatika nuk kishin as edhe një pedagogë të brendshëm. E përsërisë asnjë pedagogë të brendshëm!
  • Programe studimi si ai i Shkencave Bujqësore me profile Agrobiznes, Prodhim Bimor, ishin hapur pa licencë, siç ligji e kërkon. 
  • Në një mjedis të  adoptuar nga ish-shkolla e mesme “Seit Najdeni” në Peshkopi, i cili ishte llogaritur për 720 nxënës, studionin 1954 studentë në sistemin me kohë të plotë dhe me kohë të pjesshme.

Kjo është cilësia? Kjo është ajo që duhet t’u ofrojmë të rinjve shqiptar të një Shqipërie që e duam evropiane? Sigurisht që jo.

E pra janë pikërisht këto fakte dhe shumë të tjera që na bëjnë të vendosur se nuk duhet të bëhemi më pjesë e mbajtjes në këmbë të piramidave universitare. Masat e marra kanë qenë në komunikim të ngushtë me komunitetin dhe studentët dibran të cilëve ju është dhënë një mundësi e artë për të vijuar studimet, jo më në një filial piramide, por në një universitet të mirëfilltë.

Por sot ndryshe nga një vit më parë ligjin e bëmë pjesë të proceseve në universitete, kemi cilësi më të mirë të studentëve fitues për të ndjekur studimet ne universitte publike; Nuk kemi më  kuota part-time ku ishin  21.5 % e të gjithë masës së studentëve, prej 78.5% që studiojnë në universitete publike. Një zgjerim ky i sistemit pa ofruar cilësi. Reforma që po draftohet në ligj adreson në mënyrë të plotë ,siç standardet evropiane e kërkojnë, edhe studimet me kohë të pjesshme. 

Kemi procese analize për çdo ndërhyrje në shpërndarje kuotash apo tarifa studimi;. Kryefjala ka qenë respektimi i kërkesave të universiteteve, jo symbyllur, por duke analizuar çdo tregues e duke u orientuar nga ato standarde që duhet të garantojnë IAL-të 

Kemi një Këshill të ri Akreditimi që është një vlerë e shtuar e këtij procesi në të gjitha kuptimet, për të garantuar profesionalizëm e siguri në rrugën e reformave në arsimin e lartë. Agjencia jonë e Akreditimit ka një shans të ri për të përmirësuar punën dhe për të mundësuar kapacitete në rrugën e saj për të qenë anëtare e ENQA.

Mbi të gjitha kemi një standard të ri gjithëpërfshirje dhe transparence me të gjithë aktorët. 
Besoj, jemi në rrugën e duhur me argumente të forta dhe rezultate të matshme, që do të thotë një cilësi e re në IAL-të publike apo private.

Të nderuar miq na udhëhiqni në këtë proces ku do ju ndjekim gjithë pasion për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të pasur një histori të re cilësie në arsimin tonë të lartë.

Ndaj, lejomëni ta mbyll duke thënë vetëm tri fjalë, të cilat janë busulla e punës sonë:

Gjithëpërshirje, transparencë, profesionalizëm.

Si? Me guxim, të vendosur dhe duke parë të vërtetat në sy.

Faleminderit!