Ministry of Education and Sports

Mirëdita të gjithëve!

E nderuar Ministre e Arsimit të Kosovës, e dashur mikja ime shumë e shtrenjtë Arbërie.

Të dashur mësues dhe mësuese, kudo nga bota ku mësoni, jetoni dhe punoni ku ju jepni kontribut për mësimin e gjuhës shqipe.

Unë e kam pritur me padurim organizmin e këtij seminarit të 16, i cili siç u përmend këtu, për katër vite u ndërpre për shkak të pandemisë. Por ja ku jemi edhe njëherë për t’a rifilluar edhe një herë traditën nga e para.

Dhe kur vendosëm së bashku me Arbërien për ta kthyer këtë traditë ne vendosëm që të ishte në Vlorë. Jo vetëm për faktin që Vlora është një qytet i bukur turistik, ku të gjithë kanë dëshirë të vijnë gjatë verës, por për faktin se Vlora është një qytet simbol. Është simbol i bashkimit, simbol i patriotizmit, është simbol i atdhedashurisë, ku në vitin 1912 u ngrit flamuri, dhe me mblidhemi sot pas 111 vitesh, përsëri për një mision shumë të rëndësishëm, për të përcjellë, për të trashëguar tek fëmijët tanë kudo në botë, ku jetojnë emigrantë, gjuhën shqipe por edhe kulturën shqiptare, edhe traditat, edhe dashurinë për atdheun.

Para pak kohësh isha në Torino në Sallonin Ndërkombëtar të Librit dhe aty takova disa prej jush, mësues dhe nxënës që mësonin gjuhës shqipe. Kam mbetur e befasuar nga pasioni, nga dashuria, nga përkushtimi, nga spektakli që na dhuruan nxënësit atje. Po kështu pak më vonë vizitova edhe Mynihun, dhe takova edhe aty përfaqësues nga lidhja e arsimtarëve në zonën e Bavarisë dhe i përgëzova për arritjet e tyre, sepse tashmë në shumë shkolla në Gjermani kanë arritur të hapin klasa ku mësohet gjuha shqipe. Dhe çdo muaj që kalonte kishin progres, kishte numra të shtuar, përpjekje dhe bashkëpunime shumë të mira me autoritetet vendase atje.

Të dashur mësues!

Falënderimin e parë e kam për ju. Për përkushtimin, këmbënguljen dhe sakrificën tuaj për t’i mësuar fëmijëve shqiptarë kudo në botë gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare.

Në fakt të gjithë ne jemi dëshmitar që sot po jetojmë një imazh të ndryshuar të shqiptarëve kudo në botë, edhe për Shqipërinë edhe për Kosovën. Sot, Shqipëria ka hapur negociatat me BE-në. Sot Shqipëria mirëpret samite të një rëndësie të veçantë, ku mblidhen liderët më të rëndësishëm të Evropës, të vendeve më të zhvilluara. Mblidhen pikërisht këtu për të organizuar takime të rëndësishme.

Sot Shqipëria është kthyer në një destinacion turistik, ndër më të preferuarit, jo vetëm për evropianët, por nga shumë vende të tjera të botës.

Po ashtu Shqipëria, është kthyer në një vend të preferuar edhe për investitorët në ekonomi, në fusha të ndryshme. Sot bota po njeh nga afër vlerat e shqiptarëve, vlerat në kulturë, në sport, në shkencë. Xhubleta shqiptare është tashmë në UNESKO, këngët shqiptare që nga Jaret shkodrane dhe polifonia labe. E po kështu edhe Kosovën. Isha vetë në Tokio për lojërat olimpike, kur tre xhudiste nga Kosova fituan medalje, dhe nuk kishte emocion më të madh. Pra të gjitha këto janë arritje neve na bëjnë të ndihemi shumë krenarë për shqiptarinë.

Pikërisht këtë krenari ne duhet t’ia përcjellim fëmijëve shqiptarë kudo ku janë në botë, që të ndjehen krenarë që janë shqiptarë. Ky është misioni jonë i përbashkët, ky është dhe misioni juaj. Nuk është mision vetëm gjuha shqipe. Sigurisht ruajtja dhe forcimi i saj është e para. Por jo vetëm gjuha shqipe, por edhe kultura, edhe tradita, krenaria shqiptare, dashuria për Shqipërinë, dashuria për Kosovën, ta thotë me zë të lartë që është shqiptar.
Ky është misioni ynë. Dhe unë jam shumë krenare që së bashku me Ministren e Arsimit të Kosovës në këto vite kemi shumë arritje, shumë projekte të përbashkëta. Jo vetëm me përfitues shkollat apo arsimin në Shipëri apo në Kosovë por edhe për diasporën.

Do ta filloja me Abetaren e përbashkët unike. Vitin e kaluar kemi punuar kaq intensivisht që në shtator Abetarja e përbashkët unike të ishte në duart e të gjithë vogëlushve. Dhe sot, kudo, në Shqipëri dhe Kosovë, madje edhe në shkolla në Maqesoni, po kështu po përpiqemi dhe në Malin e zi dhe kudo ku ka shkolla shqiptare, kudo ku ka shqiptarë gjuha shqipe të mësohet me të njëjtin libër të përbashkët.

Po kështu libri Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare në Diasporë, teksti i parë që tashmë ju e keni të gjithë në duar dhe po punohet me shumë intensitet që dhe teksti i dytë, volumi i dytë të jetë gati brenda këtij viti. Përsëri për ju dhe për nxënësit tanë kudo në botë, për nxënësit shqiptarë.

Po kështu ne kemi kurrikulën e përbashkët që tashmë prej vitesh, që nga viti 2018 në mos gaboj, është kurrikula e përbashkët e mësimit të gjuhës shqipe kudo në diasporë. E po kështu kemi edhe projekte të një niveli edhe më të lartë midis dy akademive tona të shkencave. Kemi projekte të mëdha në Albanologji, kemi Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, Enciklopedia Shqiptare, Historia shqiptare.

Pra po punojmë bashkërisht në shumë drejtime por përsëri është e pamjaftueshme. Përsëri ne angazhohemi. Dhe çdo herë që takohemi themi “Cili do të jetë projekti i radhës?” sepse gjithmonë kërkojmë shumë më tepër nga vetja dhe e ndjej që mësuesit shqiptarë në diasporë, nxënësit, fëmijët shqiptarë kudo në diasporë kërkojnë dhe presin shumë më tepër nga ne.

Dhe prandaj seminare si ky janë shumë të rëndësishme që ne të marrim edhe ide të tjera nga ju, edhe kritika, siç thanë kolegët, por të diskutojmë bashkërisht se çfarë mund të bëjmë më shumë dhe si mund të bëjmë më shumë, si mund të bëjmë edhe më mirë.

Unë falënderimin e parë sot e kam për Arbërien, e cila është gjithmonë kaq e gatshme, kaq bashkëpunuese, por jo vetëm ajo, por i gjithë stafi i Ministrisë së Arsimit të Kosovës. Po kështu falënderoj shumë Qendrën e Botimeve për Diasporën që e njihni të gjithë. Përkushtimi me të cilin ajo dhe stafi i saj punon, pikërisht për ato tekstet mbështetëse për ju çdo vit, por edhe seminaret, për trajnimet e vazhdueshme.
Falënderoj gjithashtu ASCAP Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar këtu në Shqipëri, jo vetëm për organizimin e këtij seminari, por edhe për Regjistrimin e mësuesve të Diasporës. Ju e dini që tashmë kemi një regjistër, një bazë të dhënash ku janë të regjistruar të gjithë mësuesit kudo që jetojnë e punojnë. Po kështu e falënderoj edhe për licencimin. Sepse pretendimet tona janë shumë të mëdha. Ne nuk duam vetëm të mësohet gjuha shqipe, por gjuha shqipe të mësohet pastër, bukur me profesionalizëm, jo vetëm me dashuri dhe përkushtim, por edhe me profesionalizëm. Dhe prandaj ka filluar edhe licencimi i mësuesve të gjuhës shqipe.

Kemi lajme shumë të mira në fakt. Në shtator Qendra e Botimeve për Diasporën për herë të parë do të organizojë shkollën e parë verore për nxënësit dhe mësuesit e diasporës. Po e fillojmë pilot vetëm me nxënësit dhe mësuesit e Greqisë por natyrisht do të ketë një traditë të përvitshme duke përfshirë mësues dhe fëmijë shqiptarë nga gjithë bota.

Po kështu së shpejti brenda këtij viti do të organizohet edhe Samiti i madh i Diasporës. Sigurisht është Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizatori kryesor, por me të gjitha ministritë do të ketë tryeza, do të ketë ditë të veçanta pikërisht që të gjithë të jemi të përfshirë, dhe të gjithë të bëjmë më të mirën në fushat tona specifike.

Kështu që edhe një herë unë ju falënderoj shumë. Kam shumë besim që ky seminar 3-ditor do të jetë i suksesshëm. Presim me padurim që të dëgjojmë sugjerimet tuaja, idetë tuaja për projekte dhe për punë më të mira të gjithë së bashku.

Shumë faleminderit, suksese!