Ministry of Education and Sports

“Buxheti për kërkimin shkencor në 5 vitet e fundit është rritur me 30%”, – tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, në Forumin “Kërkimi Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë”.

23 Tetor, Tiranë- Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit organizuan Forumin, “Kërkimi Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë”, me qëllim nxitjen, orientimin dhe zhvillimin e  kërkimit shkencor në universitete. Ky forum reflektoi arritjet, prioritete dhe sfidat për ndërkombëtarizimin e Universiteteve përmes programeve dhe mbështetjes me fonde nga qeveria shqiptare për zhvillimin e mendimit akademik dhe shkencor. Në fjalën e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vuri theksin të rëndësia e kërkimit shkencor dhe financimi në Institucionet e Arsimit të Lartë. “Për vitin 2023 janë 90 projekte të kërkimit shkencor të financuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe janë 17 projekte të infrastrukturës akademike të financuara. Në tërësi, buxheti për kërkimin shkencor në 5 vitet e fundit është rritur me 30%”, – tha Ministrja Manastirliu.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit shprehu angazhimin për mbështetjen e universiteteve në raport me bizneset, për krijimin e një programi të përbashkët që synon bashkëpunimin mes stafit akademik dhe biznesit në fushën e kërkimit shkencor, për t’i dhënë më të mirën sektorëve të ekonomisë. Shqipëria gëzon gjithashtu dhe statusin e asociuar në programin “Horizon Europe” të BE-së që bën të mundur bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kërkimit dhe inovacionit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi se 42% e buxhetit të “Horizon Europe” është përthithur nga projektet e fituara nga Institucionet e Arsimit të Lartë. Gjithashtu, sistemi i kërkimi shkencor është modernizuar në përputhje me parimet themelore të Zonës Evropiane të Kërkimit. Në këtë kuadër, Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka miratuar së fundmi edhe dokumentin më të rëndësishëm të politikave të kërkimit shkencor, “Strategjinë Kombëtare të kërkimit shkencor, teknologjisë dhe inovacionit”. Ky dokument përcakton politikat, vizionin, synimet dhe objektivat strategjike për periudhën 2023-2030. “Kjo Strategji Kombëtare do të jetë një udhërrëfyes për të gjithë ne, që të çojmë përpara kërkimin shkencor dhe të çojmë përpara instutucionet tona të arsimit të lartë, si baza të kërkimit shkencor, që së bashku me të gjithë instutucionet e tjera që mbështesin kërkimin shkencor, me të gjithë partnerët, të tretët, ne në këtë hapësirë, të mundemi që të influencojmë sa më shumë, sa më shpejt dhe sa më pozitivisht zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”,- tha Ministrja Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në Forumin “Kërkimi Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë 2023”.