Ministry of Education and Sports

Fillimi i punimeve për stadiumin  "Loro Boriçi", Shkodër

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla morën pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Nikolla tha se si kurrë më parë, në më pak se 18 muaj, Qeveria Shqiptare ka mundësuar investime në sport me një shifër prej 10 milion euro.

“Kemi realizuar ndërtimin e stadiumit të Elbasanit, për të vijuar me Parkun Olimpik të Tiranës, dhe me 44 terrene sportive në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa sot, fillojmë këtë investim madhor, këtë projekt të standardeve të UEFA-s për Shkodrën. Ky investim do ta kthej këtë zonë në një qendër polifunksionale për qytetin e Shkodrës, në funksion të shumë aktiviteteve sportive, kulturore dhe tregtare, por padyshim "Loro Boriçi" do të jetë arena e “fairplay-it”, arena e qytatarisë së sport-dashësve shkodran”, tha Nikolla.

Ndër të tjera, Ministrja e Arsimit dhe Sportit shprehu bindjen se historitë e investimeve në arsim dhe sport, por dhe kudo tjetër do të vijojnë duke shënuar standarde të reja.

Ndërhyrja në stadiumin “Loro Boriçi” konsiston në ndërtimin e tribunave të reja perëndimore e jugore dhe rikonstruksionin total të pjesës ekzistuese veriore e lindore. Stadiumi do të jetë i kategorisë 4 të UEFA-s për ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare, me standarde të larta në siguri, shërbime e  transmetimin.

Stadiumi do të ketë rreth 17 mijë shikues (12 mijë ka stadiumit i Elbasanit). Tribuna kryesore do të ketë 2.500 vënde dhe përveç ambienteve në funksion të skuadrave e arbitrave, do të ketë edhe bar, restorant, ambiente për të mundësuar transmetimin për mediat, etj.

Tribuna pas portës jugore do ketë 2.500 vende dhe ambiente ndihmëse, e katering në shërbim të tifozëve. Pjesa ekzistuese, ajo veriore dhe lindore e cila do ristrukturohet, do të ketë 12.000 spektatorë. Ambientet e brendëshme do përmbajnë muzeun e “Vllaznisë”, palestra për disa sporte dhe aktivitete të tjera.

Stadiumi “Loro Boriçi” do të shndërrohet në një qendër multifunksionale aktivitetesh sportive, kulturore e tregtare në funksion të sportit e qytetit.  Investimi do përfshije edhe rrugën rreth stadiumit, dhe dy sheshe që shtrihen përgjatë  perimetrit të tij.