Ministry of Education and Sports

Festa e Maturës 2014 në qytetin e Fierit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte e pranishme pasditen e djeshme në festën e Maturës 2014-të në qytetin e Fierit nga ku deklaroi se të gjithë së bashku ja dolëm për të t’i kthyer dinjitetin provimeve të Maturës Shtetërore duke mundësuar një proces me standard të unifikuar, siguri dhe cilësi.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse Ministrja Nikolla tha se të gjithë së bashku po ndërtojmë një model të ri, atë të arritjeve me vullnet të qartë për meritokraci. “Një model për t’i thënë mjaft energjive të shpenzuara për të gjetur rrugën më të shkurtër e më të pamundimshme. Një model që vë në themel të së ardhmes, ndershmërinë”, tha Ministrja.

E premtuam, tha Ministrja Nikolla, dhe sot, është një realitet. 46 mijë familje shqiptare janë dëshmitare të një standardi të ri, merite dhe ndershmërie.

“Sigurisht duhet po aq ndershmëri për të heshtur, për të mos spekuluar për përfitime ngushtësisht politike, pikërisht aty ku me dashje apo pa dashje ke falimentuar duke rrënuar gjithçka. Përtej polemikës dhe tymnajës keqinformuese, që kemi zgjedhur t’i përgjigjemi me punë e rezutate sot, dua t’iu drejtohem ju të dashur maturantë. Të gjithë së bashku treguam se për të ndërtuar procese me të vërtetë demokratike duhet vullnet i qartë për të respektuar ligjin dhe partneritet i shëndoshë midis institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në to”, deklaroi Ministrja Lindita Nikolla.

Ministrja deklaroi gjithashtu se kjo Maturë Shtetërore, masat që u ndërmorrën në drejtim të mirëadministrimit, kishin për qëllim zgjimin e maturantëve nga gënjeshtra e madhe, e një modeli të dështuar të promovuar, një model që ne së bashku e hodhëm poshtë.

“Të dashur nxënës! Këta maturantë të shkëlqyer janë arsyeja që tregon se ju keni nevojë t’i vini shkelmin të vjetrës, të braktisni modele që kanë pikëmbërritje degradimin e shoqërisë dhe rrënimin e së ardhmes. Në po përgatitemi të përballemi dhe konkurojmë në një botë ku vetëm forca e dijeve të konsoliduara mundëson arritje”, ju drejtua Ministrja maturantëve të pranishëm.

Ministria e Arsimit dhe Sportit fillon këtë vit traditën e aktiviteteve festive në përfundim të maturës, jo vetëm për të evidentuar maturantët ekselent si krenaria e qytetit dhe modele suksesi, por edhe si një festë për të gjithë qytetin.

Aktiviteti në qytetin e Fierit ishte i pari që çel siparin e aktiviteteve që do të zhvillohen në 12 qarqet e vendit, me qëllim promovimin dhe respektimin e maturantëve ekselent, për përkushtimin e tyre ndaj dijes.

“Matura 2014-Nderojmë më të mirët” ishte slogani i aktivitetit i organizuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale Fier, në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor të qytetit.