Ministry of Education and Sports

Festa e Maturantëve të Tiranës

Në vazhdën e festave të maturantëve në disa rrethe të vendit, mbrëmjen e djeshme ishte rradha e maturantëve të Tiranës për të festuar përfundimin e ciklit të tyre të studimeve në gjimnaz. Pas një parade të maturantëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nën udhëheqjen e Bandës së Ushtrisë dhe Cirkut Kombëtar, festa vazhdoi në sheshin para Universitetit të Arteve, ku e pranishme ishte edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse për maturantët, pas urimeve të shumta, Ministrja shprehu gjithë angazhimin e saj për të vazhduar punën e nisur në shërbim të nxënësve, për të ngritur një komunikim të ri dhe një situatë të re të cilësisë në shkolla.

“Ne ia dolëm, ia dolëm falë punës suaj dhe punës së mësuesve ta realizonim që kjo maturë të ishte matura e cilësisë së vërtetë. Ne do të ecin në këtë rrugë, sepse vetëm kështu garantohet e ardhmja juaj, garantohet realizimi i ëndrrave tuaja dhe garantohet cilësia evropiane”, tha Ministrja.

Sipas saj, Reforma e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, padyshim do ta bëjë të ardhmen e brezit të ri të studentëve më të sigurtë. “Reforma do ta bëjë talentin dhe pasionin tuaj të marrë krahë dhe do ta bëjë suksesin tuaj të integrohet në tregun e punës”, tha ministrja Nikolla. Pas festës në sheshin “Nënë Tereza”, maturantët ekselent morën pjesë në pritjen e organizuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Pallatin e Brigadave.

Festa e maturantëve, mes së cilëve u evidentuan maturantët ekselentë, prej këtij viti do të kthehet në një traditë për të gjitha rrethet e vendit, me qëllim promovimin e vlerave të vërteta.