Ministry of Education and Sports

“Edukimi përmes kulturës”, firmoset marrëveshja me Ministrinë e Kulturës

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro kanë firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”, duke institucionalizuar kështu një bashkëpunim, i cili ka nisur tashmë prej një viti.

Programi i Edukimit përmes Kulturës synon që institucionet kulturore dhe arsimore të nxisin interesin e fëmijës për të marrë pjesë në jetën kulturore dhe artistike duke garantuar sigurimin e mundësive të përshtatshme dhe të barabarta në jetën kulturore, artistike, si dhe krijimin e  hapësirave dhe aktiviteteve krijuese përgjatë kohës së lirë.

Ministrja Lindita Nikolla u shpreh se së bashku me mësuesit dhe drejtuesit e Drejtorive Arsimore do të ndërtohet një program në mënyrë që mjediset e kulturës dhe të artit të gëlojnë nga fëmijët dhe gjimnazistët.

“Forma të tilla të edukimit rrisin gjithnjë e më shumë cilësinë e shkollës shqiptare, rrisin cilësinë e fëmijëve tanë. Ajo që është e rëndësishme duke ndërhyrë edhe në programet e kurrikulës mësimore në mënyrë që programet përshtaten me këtë projekt të përbashkët që ne do të nënshkruajmë sot", u shpreh  ministrja Nikolla.

Në  fjalën e saj Ministrja e Kulturës, Mirela  Kumbaro u shpreh se edukimi nuk është një detyrë që i duhet lënë vetëm shkollës pasi ka kaq shumë institucione të tjera publike, të cilat duhet dhe kanë të gjitha mundësitë të luajnë një rol edukativ.

Prej më se një viti institucionet arsimore dhe institucionet e artit dhe trashëgimisë kanë një bashkëpunim që rezulton i suksesshëm dhe tashmë teatrot, muzetë, monumentet e kulturës  kanë filluar programe të veçanta që zhvillojnë nxënësit dhe të rinjtë. Institucionet e artit tashmë janë kthyer në orë të hapura për nxënësit e ciklit parauniversitar dhe kjo përmirëson cilësinë e mësimdhënies.