Ministry of Education and Sports

Edukimi global, pjesë e kurrikulave mësimore dhe skemës së re të trajnimit të mësuesve

Instituti i Zhvillimit të Arsimit në bashkëpunim me Qendrën Veri-Jug të deleguar nga Këshilli i Evropës, zhvilluan sot, për herë të parë në vendin tonë, seminarin “Edukimi Global”, me qëllim integrimin e edukimit global si pjesë e kurrikulave mësimore në vendin tonë dhe e skemës së re të zhvillimit profesioal të mësuesve.

Një nga kompetencat bazë të edukimit global është aftësia e të kuptuarit të fakteve nëpërmjet nxitjes së multikulturalizmit dhe luftës ndaj stereotipeve. Edukimi global përfshin zhvillimin edukativ, edukimin mbi të drejtat e njeriut, edukimin për qëndrueshmëri, edukimin për paqe dhe reduktimin e konflikteve , elemente këto që përfaqësojnë përmasat globale të edukimit për një qytetari demokratike.

E pranishme në seminar ishte edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla e cila deklaroi se çështja e kompetencave është kryefjala e reformave që janë ndërmarrë në arsimin parauniversitar, me objektivin madhor që përmes shkollës mos të mundësohet vetëm dhënia e njohurive, por përmes shkollës të formohen qytetarë të suksesshëm të një shoqërie demokratike.

“Ne kemi ambicien ta shohim veten  të rreshtuar së bashku me vendet e tjera evropiane edhe në përpjekjet për të promovuar  vlerat  e përbashkëta,  për të ngushtuar terrenin e dukurive negative, për të zgjidhur konfliktet dhe për të ofruar një cilësi të re në formimin e qytetarëve të një shoqërie evropiane. Qeveria shqiptare e ka prioritet arsimin pasi shikon që politika më e mirë ekonomike e zhvillimit të vendin është pikërisht investimi në arsim”, tha Nikolla.

Në fjalën e saj, Ministrja Nikolla renditi proceset reformuese që MAS ka ndërmarrë për të mundësuar, ndër të tjera, përafrimin e sistemin arsimor parauniversitar me vendet e BE-së. Reforma kurrikulare, shkolla si qendër komunitare, digjitalizimi, “Mësues për Shqipërinë”, tekstet e reja dhe së fundi vlerësimi i mësuesve për nevojën për trajnim , janë reformat në sistemin parauniversitar, të cilat ministrja Nikolla i shpjegoi në fjalën e saj.

“Nuk do të ketë më emërime në arsim që vijnë për shkak të asgjëje tjetër përveç meritës dhe transparencës. Kemi krijuar një proces të bazuara në teknikalitete shkencore dhe profesionale, transparente për publikun ku gjithë punëkërkuesit renditen në çdo DAR/ZA dhe është vetëm kjo renditje që do të të bëjë të mundur punësimet në arsim”, tha Nikolla duke ju referuar portalit “Mësues për Shqipërinë”, nismë e MAS në “luftën” kundër korrupsionit dhe emërimeve politike.

“Jemi të vendosur të luftojmë tregun e informalitetit. Janë licencuar rreth 51 agjenci që mundësojnë trajnimin profesional të mësuesve, por pa paragjykuar askënd do doja të ndaja me ju nevojën për të lexuar të vërtetat, të cilat shpesh janë denoncuar edhe nga media. Mësuesit vetëm se duhet të kenë disa kualifikime, i përfitojnë ato vetëm përmes pagesës pa ndodhur asnjë proces i marrjes së dijes. Ndaj ne po shkojmë drejt një politikë të re, atë të vlerësimit të nevojave për trajnimin për të gjithë mësuesit”, u shpreh ministrja Nikolla.

Seminari “Edukimi global” në Shqipëri, si edhe seminaret e tjera të zhvilluar në vendet kandidate të BE-së, kontribuojnë në zhvillimin e edukimit të zhvillimit global në vendet kandidate, duke sjellë së bashku aktorët kryesorë të arsimit.