Ministry of Education and Sports

Drejtorët e DAR-ve konkurrim mbi bazën e ligjit dhe vlerave

Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Lindita Nikolla ishte e pranishme paraditen e ditës së hënë në ambientet e Fakultetit Ekonomik nga ku njoftoi fillimin e fazës së dytë të konkurrimit për Drejtor të Drejtorive Arsimore Rajonale, atë të testimit me shkrim të konkurrentëve. Gjatë fjalës së saj Ministrja Nikolla falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në konkursin për Drejtorët e DAR-ve dhe i uroi atyre sukses në të gjitha fazat e konkurrimit.

”Kisha kënaqësinë sot të ndaja me të gjithë konkurrentët nisjen e garës të përzgjedhjes së Drejtorëve të Arsimit në 12 Qarqe të vendit të cilëve i urova suksese”, – tha Ministrja Nikolla, pasi pa nga afër procesin e konkurrimit  dhe i falënderoi konkurrentët për gatishmërinë me të cilën iu përgjigjën ftesës për të qenë pjesë e kësaj gare. Ministrja Nikolla rikonfirmoi edhe një herë që kjo është një garë e bazuar vetëm në ligj, vlera dhe meritokraci. Znj. Nikolla sqaroi se procesi pas përzgjedhjes së parë do të vijojë me intervistën me gojë ditën e martë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

“I rikonfirmova secilit prej pjesëmarrësve në këtë garë që kam hequr dorë nga të bërit përzgjedhjen vetëm unë si Ministre e Arsimit në zyrën time. Kam vendosur që këtë atribut ta ndaj së bashku me publikun e qarqeve nga kandidatët vijnë, në mënyrë që ata të ftohen në 12 finale publike për të shpalosur idetë e tyre si mendojnë të zhvillojnë arsimin në qarqet përkatëse. Padyshim do të kemi risi dhe vlera të reja që do t’i japin një cilësi të re arsimit në Shqipëri”, deklaroi Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla.