Ministry of Education and Sports

Dorë më dorë – takohemi në Tiranë

Në kuadër të rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, ditën e mërkurë, datë 12 gusht 2015, Ambasada kineze ka zhvilluar një takim ndërmjet nxënësve kinez të gjimnazit në varësi të Universitetit Hsinghua, dhe nxënësve shqiptar të shkollave të Tiranës dhe Vlorës.

Një grup artistik prej 20 gjimnazistësh kinez kanë mbërritur në Tiranë për t’u takuar dhe njohur me bashkëmoshatar të tyre nga gjimnazet shqiptare. Në kuadër të rritjes së bashkëpunimit arsimor dhe kulturor, ky aktivitet përmban një simbolik tepër të veçant, atë të nxitjes së ndërtimit të urave të reja të komunikimit mes të rinjve kinez dhe atyre shqiptar, nëpërmjet shkëmbit të eksperiencave, dijeve, ëndrrave, ideve dhe vlerave kulturore të të rinjve nga dy vendet tona.

E pranishme në këtë aktivitet, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj, duke vlerësuar këtë nisëm u shreh se:  “Të promovosh gjuhën, kulturën dhe traditën e një populli, do të thotë të përcjellësh njohuritë mbi ADN-në e një kombi. Njohja e ADN-së së një populli, mundeson tejkalimin e barrierave të padijes, duke mposhtur paragjykimet e duke krijuar bindjen se popujt janë të ndryshëm, po aq sa edhe të njëjtë. E ky është çelësi sesi ne, së bashku, mund të ecim drejt zhvillimit, e jo shkatërrimit, drejt prosperitetit e jo skamjes, drejt dijes dhe larg injorancës, pasi këto janë parimet bazë nga të cilat duhet të udhëhiqemi, nëse duam të shikojmë një botë të begatë e të paqtë.”

Zëvendësministja Malaj shtoi se: “Aktivitete të kësaj forme janë një dëshmi e përsëritur e një rrugëtimi të gjatë bashkëpunimi, e një historie miqësie të gjatë mes dy vendeve tona. Nga ana tjetër, veprimtari të tilla janë edhe tregues të intensifikimit të marrëdhënive midis dy shteteve tona, ku është për t’u theksuar se vitet e fundit janë shoqëruar nga një sërë zhvillimesh domethënese në kuadër të bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit, shkencës, sportit dhe ekonomisë.”

Nga ana e saj, ambasadorja kineze Jang Yu, duke vlerësuar intesifikimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, u shpreh se: “Vitet e fundit marrëdhëniet Kino-Shqiptare janë duke u zhvilluar mirë, është thelluar besimi politik reciprok, si dhe janë duke u intesifikuar bashkëpunimet në fushën ekonomike-tregtare, arsimore, kulturore, vendore, etj.”

Aktiviteti “Dorë më dorë – takohemi në Tiranë” i organizuar nga Ambasada kineze në Shqipëri, u shoqërua me shfaqje të ndryshme artistike të performuar nga gjimnazistë të dy vendeve të cilat përcollën, këngë e valle nga repertoret e tyre folklorike.
 
Të rinjtë kinez do të vizitojnë edhe një sërë qytetesh historike, në mënyrë njohjen më nga afër të kulturës dhe traditës së vendit tonë.