Ministry of Education and Sports

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla mori pjesë në një prej aktiviteteve festive që Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë zhvilloi në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 Qershorit.

Nga festa që nxënës e fëmijë zhvilluan në sheshin “Shtraus”, Ministrja uroi fëmijët për festën e tyre. Festa e fëmijëve u ndje sot, në çdo lagje të Tiranës, ku DAR kishte organizuar aktivitete të ndryshme.

Ministrja Nikolla ishte gjithashtu e pranishme në Spitalin Pediatrik, ku nxënës të disa shkollave shpërndanë dhurata për fëmijët e shtruar në këtë spital, duke mundësuar edhe për ta një atmosferë feste.

Ministrja vlerësoi nxënësit që morën këtë nismë, që ndër të tjera demonstron se si mund të funksionojë mjaft mirë shkolla si qendër komunitare.

“Ky veprim sot, është një mësim për të gjithë ne dhe me anë të këtyre iniciativave, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të jemi krah jush që aktivitete të tilla t’i bëjmë gjithnjë e më shumë pjesë të shkollës. Të gjithë do të punojmë fort që çdo ditë e jetës suaj, të jetë ditë feste me ëndrra dhe shpresa për të ardhmen”, tha Nikolla.

Ky aktivitet pranë fëmijëve të sëmurë ishte nismë e një grupi fëmijësh të shkollave si, “Jeronim De Rada", "Fan Noli", "Avni Rustemi", "Edit Durham" dhe "Faik Konica", të kryesuar nga nxënësja 10 vjeçare Ejona Buxhelaj që të ardhurat e mbledhura nga shitja e revistës “Bota e fëmijëve”, i shpenzoi për fëmijët e shtruar në spital.