Ministry of Education and Sports

Dialogu për politikat e reformës në arsim

I nderuar z. Kryeministër,

E nderuara znj. Goldestein,

E nderuara znj. Sayed,

Të nderuar përfaqësues të Bankës Botërore,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

 

Ne jemi sot këtu, në këtë takim të rëndësishëm si rrjedhojë e një bashkëpunimi të frytshëm për arsimin shqiptar, me partnerë të rëndësishëm e strategjik, siç është Banka Botërore. Mbështetja e këtij institucioni prestigjioz ndërkombëtar ka qenë një domosdoshmëri ndër vite dhe padyshim mbetet e tillë edhe për të ardhmen.

Fillimi i vitit shkollor dhe atij akademik, 2014-2015, na gjen të angazhuar në një sipërmarrje madhore, atë të reformës tërësore të sistemit arsimor parashkollor, para-universitar dhe universitar.

Shpeshherë është folur për reforma në arsim, ndaj sigurisht nuk do të ndaj me ju vetëm argumentin e radhës për arsyet e reformës në arsim, por lejomëni të ndaj me ju përgjegjësinë institucionale të nevojës për ndërhyrje të plota dhe të thella në sistemin arsimor.

Do përpiqem t’u jap përgjigje pyetjeve që shqetësojnë çdo familje shqiptare. A mund të themi ne që kemi një arsim cilësor, a mund të themi ne që shkolla shqiptare përgatit të rinj dhe të reja për t’u përshtatur dhe për të bërë sukses në tregun e punës? Çfarë është bërë për cilësinë në arsim.

Shqipëria ka angazhuar për arsimin 3% të Prodhimit të Brendshëm, shifër e ulët referuar vendeve me nivel zhvillimi të ngjashëm. Ajo që duhet theksuar është fakti se investimi është i nevojshëm për të garantuar një minimum standardi, por është po aq e vërtetë se nivele më të larta financimesh jo domosdoshmërish përkthehen në rezultate më të mira mësimore.

Arsimit në Shqipëri, edhe në ato raste në të cilat nuk i ka munguar investimi, i ka munguar puna për politika përmirësimesh të qëndrueshme në rezultatet mësimore. Sepse edhe kur ka pasur investime të rëndësishme, siç ka qenë projekti i madh  i Bankës Botërore “Barazi dhe cilësi në arsim”, apo në rastin kur janë hartuar strategji kombëtar të arsimit, rezultatet e Shqipërisë kanë vijuar të jenë të ulëta në krahasim me vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore, në matematikë dhe të parafundit në lexim.

Nga viti 2000 në vitin 2012 përmirësimi në nivelin funksional i matematikë është nga 64 % në 61  % dhe në lexim nga 57 në 52 %.  Ndërkohë rezultatet në provimet e lirimit apo ato të Maturës Shtetërore vijonin me kalueshmëri 90 %, por realiteti ka treguar se të rinjtë nuk i kanë aftësitë e duhura për të plotësuar kërkesat e tregut dhe ekonomisë që bazohet tek njohuritë.

Ne po ndahemi një herë e përgjithmonë nga koha e arritjeve imagjinare dhe duam të shikojmë të vërtetën në sy ndaj kemi filluar të zhvillojmë përgjegjësi të reja me punë dhe rezultate konkrete.

Përcaktuam standarde të reja në kopshtet shqiptare; Përfshimë arsimin parashkollor në Kornizën e Re Kurrikulare duke plotësuar boshllëqet; Inventarizuam infrastrukturë e kopshteve; Bëmë trajnimin e mësuesve dhe edukatorëve të kopshteve. Janë këto hapa që do të mundësojnë jetësimin e filozofisë së një investimi të hershëm në arsim, është një investim solid, jetëgjatë dhe me përfitim më të lartë për fëmijët e sotshëm si qytetarët model të së ardhmes në vendin tonë.

 

Korniza e re kurrikulare, bazuar në kompetenca dhe e harmonizuar me kurrikulën BE e projekton shkollën shqiptare në gjirin e eksperiencave më bashkëkohore në arsim, duke plotësuar atë hendek që e kishte lënë shkollën tonë si një ishull në hapësirën evropiane.  Unifikuam Kornizën Kurrikulare të arsimit parauniversitar me atë të Kosovës, sepse ne besojmë që integrimi ynë në Evropë nis nga integrimi i faktorit shqiptar në rajon, si një faktor paqedashës dhe konsolidues për bashkëjetesën rajonale.

Pilotuam projektin “Shkolla si Qendër Komunitare” në 66 shkolla të vendit, i cili promovon bashkëpunimin mësues-prindër-nxënës, sepse ne besojmë që shkolla është epiqendra ku ngjizet në të njëjtën kohë individi dhe bashkësia, qytetari dhe komuniteti.

Realizuam një reformë të rëndësishme, atë të Maturës Shtetërore që jo vetëm unifikoi standardet, por është një fotografi reale e gjendjes së vërtetë në arsimin e mesëm dhe një dokument i rëndësishëm për të punuar  jo në përgjithësi, siç është punuar me vite në arsim, por për të punuar emër për emër, në çdo shkollë, në çdo nxënës.

Realizuam inspektimin e plotë në arsimin privat parauniversitar, duke ndërhyrë me heqjen e licencave për shkollat që nuk plotësonin kushtet e cilësisë. Publiku në ditët në vijim do të njihet me raportin përfundimtar të këtij inspektimi.

Ne kemi tashmë gati një reformë tërësore të sistemit të arsimit të lartë, e cila synon rritjen e cilësisë në të gjithë sistemin pa cenuar aspak mundësitë e të rinjve për t’u arsimuar, reformë e cila u parapri nga bërja e transparencës mbi gjendjen e arsimit të lartë në vend, nëpërmjet një procesi unik në këto 24 vite, si ai i Verifikimit të Kushteve të Ligjshmërisë në të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri.

Një moment i dytë në po në këtë vazhdë do të jetë dhe procesi i vlerësimit i të gjitha institucioneve të arsimit të lartë publik dhe jopublik që do të kryhet nga një agjenci anëtare e ENQA-s.

Në vizionin tonë pjesë e pandashme e procesit të edukimit që duhet të ofrojë sistemi arsimor është dhe sporti. Për këtë arsye, në modelin tonë kurrikular, është përfshirë si një ndër kompetencat edhe fusha “Edukim fizik, sporte dhe shëndeti” dhe janë shtuar orët e lëndës së edukimit fizik në shkolla për vitin e ri shkollor 2014-2015. Nuk do të ketë më shkolla në sistemin parauniversitar që zhvillojnë më pak se tre orë edukim fizik.

Të dashur pjesëmarrës,

Pa dyshim, domosdoshmëri për realizimin e reformave janë dhe forcimi i udhëheqjes, menaxhimit dhe qeverisjes së sistemit arsimor; përmirësimi i kushteve për mësimdhënie dhe mësimnxënie; përmirësimi dhe racionalizimi i infrastrukturës së arsimit.

Lejomëni të ndaj me ju bindjen time, por edhe të Qeverisë, se hapat e ndërmarrë deri tani mundësojnë projektimin e arsimit në objektiva afatgjatë në fushat e arsimit, aftësimit dhe punësimit. Sfida jonë, por si edhe në shumë vende të tjerë,  është cilësi në sistemin e arsimit dhe të edukimit, në mënyrë që të garantohet që rezultatet e të mësuarit të përkthehen në aftësi që përmbushin kërkesat e tregut të punës dhe nxisin rritjen ekonomike.

Theksoj se jemi të vendosur për të zhvilluar të gjithë së bashku, në një komunikim të ri, me të gjithë partnerët ku rol të rëndësishëm luajnë stafet akademike, për të mundësuar një situatë të re që lidhet me burimet njerëzore.

Është e pafalshme, e pa tolerueshme që ne të vijojmë në rrugën ku mësuesit ofrojnë lëndë jashtë profilit të tyre. 128 mësues jashtë profilit janë vetëm në Drejtorinë Arsimore të Korçës, në një qyteti me tradita në fushën e arsimit. Ndaj ftesa për fakultetet që përgatisin mësues është e hapur për të ndikuar në këtë situatë.

Besoj se të gjithë së bashku ndajmë bindjen se investimi në edukimin e fëmijërisë së hershme është çelësi i një suksesi afatgjatë e të qëndrueshëm. Ne nuk mund të projektojmë të ardhmen, nëse nuk investojmë në mënyrë cilësore dhe të hershme në formimin e saj.

Këto dy të fundit janë edhe tematikat ku do të fokusohet ky dialog i politikbërjes së nivelit të lartë. Falënderoj të gjithë ju për angazhimin, kontributin dhe pjesëmarrjen, si dhe ekspertët e Bankës Botërore, të cilët sot janë pjesë e përbashkët e rrugës tonë për ngritjen e arsimit cilësor në Shqipëri.

Lejomëni të shpreh gatishmërinë e MAS-it, gatishmërinë e ekipit qeverisës, për të bërë gjithçka që është e mundur për të ecur në një rrugë të re rezultatesh që kanë për qëllim formimin e fëmijëve qysh tani për t’i përgatitur për tregun e punës.

Na ndihmoni ne duke qenë të rreptë në monitoronim e punës sonë dhe në vlerësimin e situatës rajonale, duke bërë transparente gjithçka që ne kemi bërë realisht, objektivisht dhe duke parë në sy fëmijët dhe prindërit e tyre.

Faleminderit!