Ministry of Education and Sports

Si Ministre e Arsimit dhe Sportit jam e keqardhur nga ngjarja e dhunës transmetuar në media dhe në rrjete sociale.

Kemi vepruar menjëherë, pa hezitim, pa mëdyshje. Në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe Policinë e Shtetit verifikuam ngjarjen që shfaqet në video.

Rezulton se mësuesja e shfaqur në këto plane filmike, është znj. Suela Pirani, mësuese prej 13 vitesh e lëndës së matematikës.

Ngjarja ka ndodhur ditën e enjte datë 23.01.2015, gjatë orës të matematikës në klasën e VII-të shkollës 9 vjeçare “Prek Gjoni”, në Bajzë të Malësisë së Madhe.

Pas verifikimit, Drejtoria Arsimore e Qarkut Shkodër dhe drejtoria e shkollës ka pezulluar menjëherë nga detyra mësuesen Pirani, si dhe është bërë kallzim pranë organeve përkatëse.

Dënoj ashpër këtë akt të shëmtuar dhe jashtë çdo lloj etike të profesionit.

Ftoj të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe çdo qytetar në vend, të mos hezitojnë të denocojnë çdo lloj akti dhune i cili cënon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë si dhe dëmton rëndë imazhin e shkollës.

Dhuna nuk ka vend në shkollat tona.

Jam thellësisht e vendosur për t’u përballur me sfidën që kemi të gjithë së bashku për të larguar dhunën nga shkolla, nga komuniteti dhe nga familja.{:}